Afrika
Korporatat kineze dhe indiane janë shfrytëzueset kryesore të burimeve natyrore të Sudanit të Jugut, shtetit të ri të pavarur të Afrikës. Këto kompani qenë konsideruar dikur armiq nga rebelët që fituan pavarësinë nga Khartumi, ndërsa tani po punojnë për të rindërtuar marrëdhëniet e biznesit, duke harruar të shkuarën, bën të ditur “Reuters”.
Qeveria e re e Sudanit të Jugut do ta ketë naftën një burim mbijetese për shumë dekada dhe thotë se është e hapur për biznes me Kinën, por nuk ka ndërmend të harrojë të shkuarën. Konflikti civil në Sudan zgjati mbi 40 vjet dhe ka shkaktuar rreth 2 milionë viktima. Korporatat kineze konsideroheshin si armik pak vite më parë, për shkak se investimet e tyre dhe pagesat që bënin, lejonin mbijetesën e qeverisë së Khartumit dhe shtypjen e Jugut. Por tashmë jugorët po lëvizin nga udhëheqja e një lufte në drejtimin e një shteti. Sudani i Jugut disponon rezerva nafte të vlerësuara në 7 miliardë dollarë, kuotë e paktë kjo në krahasim me vende të tjera afrikane si Nigeria, por e mjaftueshme për t’i siguruar jetesën shtetit të ri dhe një sasi e përafërt me konsumin e SHBA-së për një vit.