Aktiviteti
Qeveria ul tarifat me 50%, por shoqata mban qira të lartë
ARD KOLA
Kush vizitoi vitin e kaluar Panairin e Librit do të ketë ndjerë edhe aromën e qofteve të skarës, nën shoqërimin e këngëve sllave. Mjaftoi publikimi i lajmit në media, duke shkaktuar indinjatë, dhe qoftet bashkë me tingujt e muzikës u hoqën menjëherë në ditën e dytë të aktivitetit. Çfarë i lidhte qoftexhinjtë sllavë me panairin tonë të librit, më i rëndësishmi, jo vetëm për lexuesit shqiptar të Shqipërisë, por anembanë trevave? Organizatori!
Këtë vit skara që mbyste me tym ambientet e panairit me libra nuk është, por është kompania që realizon panairin, e cila vjen nga Serbia. E quajtur “Mundial”, me seli në Beograd, shoqëria ka marrë përsipër organizimin e Panairit të Librit “Tirana 2012”. Kjo nuk është hera e parë, pasi kjo shoqëri, e specializuar për të tilla organizime, ka qenë e pranishme edhe në aktivitete të tjera të Shoqatës së Botuesve në Shqipëri.
Edhe këtë vit, kjo shoqatë kontraktoi shërbimet e shoqërisë serbe, ku pavarësisht kostove të transportit, nga njëri shtet në tjetrin, të qëndrimit të stafit për disa ditë në Tiranë, etj., u lidh sërish, ndonëse në treg ekzistojnë shumë kompani vendase me tarifa më konkurruese.
Natyrshëm që shoqëria e huaj, për shërbimet që ofron, llogarit në kosto edhe distancën. Faktet tregojnë se shoqëri të njohura greke apo italiane kanë tentuar të organizojnë panaire në Tiranë, por pas eksperiencës së vitit të parë, nuk e kanë përsëritur më, pasi ka kosto, ose u duhet të aplikojnë tarifa shërbimi të larta për pjesëmarrësit.
Botuesit e librit, për të marrë pjesë në panair, i cili zhvillohet një herë në vit, kanë paguar tarifa të pjesëmarrjes mesatarisht 60 euro për metër katror, për 5 ditë qëndrimi. Çmimi varion nga 50 deri në 70 euro tek holli dhe ku pjesa dërrmuese ekspozohen në këtë ambient. Pastaj është kati i dytë dhe i treti, por në tërësi, organizatorët marrin me qira nga shteti rreth 4 mijë metra katrorë.
Shoqata e Botuesve është organizatorja, kurse realizuesi është shoqëria serbe, e cila llogarit kostot që duhen për vendosjen e pajisjeve, etj. Nga qeveria, pronare e Pallatit të Kongreseve, ku organizohet panairi, shoqata merr me qira ambientin, me tarifë 300 lekë për metër katror për hollin dhe zbret në 250 lekë (pa TVSH, në ditë) për katet e mësipërme. Organizatori nuk i paguan qira shtetit për pesë ditët e panairit, por këtu futen edhe tri ditët e përgatitjeve, plus një ditë tjetër për mbylljen (pra katër ditë), por duke qenë se paguhet vetëm 25 për qind e çmimit, llogaritet vetëm një ditë. Në pamje të parë duket se përfitimi del i lartë, megjithatë, nëse llogariten edhe shpenzimet, ka një tkurrje, por gjithsesi me diferenca të konsiderueshme.
Nëse për organizimin e Panairit të Librit, llogaritet kostoja mesatare prej 45 eurosh (futen ditët me qiranë, hapësirat e papërdorshme-firot, pajisjet, etj., etj.), dhe organizatori i merr pjesëmarrësit një çmim mesatar prej 60 eurosh për metër katror (për 5 ditët e qëndrimit), atëherë këtu duhet të lindë kërkesa e llogarisë dhe bërja transparente e të ardhurave që krijon shoqata. Janë 2400 metra katrorë që jepen mesatarisht për 60 euro për metër katror, ose më saktë me 15 euro më shumë, nga kosto reale (45 euro), pra ka diferenca të palogjikshme për një shoqatë jofitimprurëse.
Këto janë llogari me tarifat zyrtare të qeverisë, pra me 300 lekë dhe 250 lekë (2 dhe 1.5 euro) për metër katror/ditë, që ia vendos organizatorit të panairit, pasi në rast se do të kryheshin analiza duke marrë në konsideratë VKM e miratuar dje, që përgjysmon tarifën vetëm për Panairin e Librit, diferencat plus për shoqatën bëhen edhe më të larta (pa përjashtuar edhe mbështetjen financiare të Bashkisë së Tiranës, sipas deklaratës së kryetarit Basha). Këtë ulje që vjen nga vullneti i qeverisë, organizatori duhet ta reflektojë edhe te pjesëmarrësi, por tarifa ka mbetur e njëjtë, 60-70 euro/metri. Ndoshta shoqata u bën zbritje botuesve pjesëmarrës, por vitin e kaluar, qeveria i uli sërish tarifat e qirave dhe kostoja e pjesëmarrjes mbeti e njëjtë.