“Denisi 11-vjeçar”
Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje dy mjekët irlandezë dhe anestezistin shqiptar
Bledi Gilaj
Nëse ilaçi i quajtur Dantrolen do të gjendej në drejtorinë e spitalit, atëherë fëmija 11-vjeçar, Denis Alimadhi, do të ishte gjallë. Atij i ka bërë alergji narkoza, që i solli rritjen e temperaturës, por ne mund t’ia ulnim, nëse do të kishim medikamentin. Kështu janë shprehur para grupit hetimor dy mjekët irlandezë që kryen kurimin e tij në sy, të kryesuar nga Prokuroria e Tiranës, ndërkohë që me këto dëshmi kanë hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga spitali, se fëmija kishte përqindje të vogël mundësie për të mbijetuar. Megjithatë, për t’i shkuar deri në fund këtij hetimi, prokuroria ka kërkuar që të kryhen edhe analizat kimiko-psikologjike për rastin. Ndërsa anestezisti shqiptar ka pretenduar se narkoza e përdorur për 11-vjeçarin ka qenë konform rregullave të një operacioni. Mjekët irlandezë kanë shpjeguar me detaje të gjithë ecurinë e operacionit dhe komplikacionet e shfaqura, ndërkohë që kanë dhënë edhe mendimet e tyre mbi rastin e rëndë, ku humbi jetën i mituri.
Dëshmitë e mjekëve
Dy mjekët, të marrë në pyetje për orë të tëra, kanë treguar se gjithçka ka shkuar shumë mirë gjatë operacionit, por më pas i mituri ka pasur komplikacione, për shkak të rritjes së temperaturës, që i ka ardhur nga alergjia e narkozës. Në dëshminë e tyre, dy mjekët kanë treguar se temperatura mund të ulej nëse ata do të kishin mundësi të injektonin në trupin e fëmijës një ilaç të quajtur Dantrolen. “Këtë injeksion nuk e arritëm, pasi medikamenti mjekësor mungonte në depot farmaceutike të Ministrisë së Shëndetësisë. Jo vetëm që e kemi kërkuar në mënyrë zyrtare, por disa nga mjekët okulistë, si dhe vetë familjarët, kanë kërkuar te klinikat e grosistëve dhe sërish nuk kanë qenë në gjendje ta gjejnë. Për pasojë kemi vendosur që të porosisim ilaçin në Itali, pasi na premtuan se do e dërgonin me avion, por temperatura në trupin e fëmijës vinte gjithnjë duke u ngritur. Ishte një rast unikal dhe jemi përpjekur të shpëtojmë jetën e vogëlushit, por s’arritëm dot të ndalnim rritjen e temperaturës, pasi na mungonte medikamenti”, ka treguar në prokurori mjeku irlandez, John McCann, si edhe kolegu i tij. Gjatë marrjes në pyetje, dy mjekët kanë shmangur përgjegjësinë e tyre, se vdekja e fëmijës mund të kishte ardhur nga ndonjë gabim gjatë procesit të operacionit në sy. Më tej, ata shprehen se ilaçin e kërkuan sapo konstatuan rritjen e temperaturës dhe uljen e rrahjeve të zemrës. “Kur na dhanë përgjigje për mungesën e ilaçit, kemi mbetur të habitur, dhe na zuri paniku, por s’kishim çfarë të bënim tjetër, pasi temperatura vetëm rritej. Denisi pësoi disa herë radhazi arreste kardiake dhe sërish jemi mundur ta mbajmë në jetë. Jemi lidhur në telefon me disa mjekë italianë dhe bashkë me ta kemi bërë të pamundurën për ardhjen e ilaçit sa më parë, por që në fakt ishte e pamundur, pasi jeta e vogëlushit ishte me minuta dhe më pas kaloi në çështje sekondash”, kanë rrëfyer para grupit hetimor dy mjekët irlandezë.
Hetimet dhe ekspertiza
Por, prokuroria nuk është mjaftuar vetëm me dëshmitë e dy mjekëve irlandezë, pasi në pyetje kanë marrë edhe anestezistin shqiptar, i cili ka deklaruar që sasia e narkozës që ka përdorur ka qenë brenda normave të lejuara, duke mohuar të ketë pasur mbidozë ilaçesh. Nga ana tjetër, burime nga organet e hetimit bëjnë me dije se po verifikohet me imtësi pajisja me një protokoll të rregullt mjekësor nga ana e Spitalit Francez dhe anestezistëve, protokoll ky i nevojshëm për trajtimin e hipertermisë malinje. Për të hetuar deri në fund këtë çështje, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar kryerjen e një ekspertize kimiko-biologjike. Në kërkesën e akuzës, janë renditur katër pyetje, ku prokurorët kërkojnë përgjigje shkencore, me qëllim përcaktimin me të plotë të shkakut që solli vdekjen e fëmijës. Prokurorët thonë se fëmija ka zhvilluar edhe operacione të tjera me narkozë dhe nuk ka pësuar asnjë alergji. Nisur nga kjo situatë, ata kanë kërkuar qartësimin e plotë të shkakut dhe kryerjen e të gjitha eksperimenteve mjekësore me lëndë kimiko-biologjike. Spitali dhe Ministria e Shëndetësisë, me nxitim dolën në deklarata, duke u shprehur se kishin përdorur antidotët e nevojshëm për uljen e temperaturës, megjithëse dy mjekët irlandezë këmbëngulin që po të kishin medikamentin e lartpërmendur, do të ulnin temperaturën e fëmijës, ndërsa medikamentet e tjera, siç duket nuk kanë dhënë efekt.