Deputeti i Partisë Socialiste Arben Ahmetaj akuzoi Entin Rregullator të Energjisë se ka ulur çmimin e faturimit të energjisë elektrike, me të cilin KESH ia shet energjinë CEZ-it, pa ulur tarifat finale për qytetarët. Ahmetaj thotë se dëmi i shkaktuar është rreth 30 milionë dollarë në vit.


“Kam një vendim të Entit Rregullator të Energjisë numër 97, i vitit 2010, i cili e ul çmimin për faturimin ndaj KESH në CEZ, në 1.48 lekë. Cilat janë arsyet që KESH në vendime të ndryshme ka vazhduar gjithashtu të ulë çmimin e KESH ndaj CEZ, ndërkohë që çmimi që i faturon qytetarëve vetëm është rritur dhe në krahasim me vitin 2005 është rritur me 200 për qind. Ka një pyetje shumë të rëndësishme që ERE duhet t’i përgjigjet drejtpërsëdrejti: Cila është arsyeja që ERE ka ulur çmimin e KESH-it duke shkaktuar një dëm marramendës? Kjo aferë meriton një hetim nga institucionet përgjegjëse”, tha Ahmetaj.


Reagon CEZ


Kompania CEZ Shpërndarje ka reaguar ndaj akuzave të publikuara ditët e fundit nga deputeti socialist Arben Ahmetaj. Në një letër publike drejtuar zotit Ahmetaj, CEZ thotë se akuzat ndaj saj janë të pavërteta, çoroditëse dhe që kontribuojnë në krijimin e një imazhi negativ për CEZ.


Në reagimin e saj kompania thotë se përkundër deklaratave të deputetit socialist ka investuar në përmirësimin e rrjetit dhe uljen e humbjeve në të në 3-vjeçarin e fundit.


“Shoqëria ka bërë dhe vazhdon të bëjë të gjitha përpjekjet e arsyeshme për të siguruar furnizimin e vazhdueshëm me energji elektrike për të gjithë klientët që paguajnë dhe për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë e sistemit të shpërndarjes dhe atë të shërbimit për klientin në përputhje me kuadrin rregullator”, thotë CEZ.


Deputeti Ahmetaj ka akuzuar shoqërinë CEZ Shpërndarje për favore klienteliste, fshehje parash dhe mungesë investimesh.


Por menjëherë pas deklaratës së CEZ ka reaguar deputeti Ahmetaj. Në daljen e radhës para mediave, Ahmetaj thotë se është ERE ajo që denoncon mungesën e investimeve të nevojshme në rrjet. Ai tha se do të vazhdojë të të denoncojë skandalet në energjitikë dhe i kërkoi CEZ të sqarojë se cilat janë arsyet që ka kaq humbje të mëdha në rrjet.