Prishja e një martese, sidomos kur në mes janë fëmijët, kërkon shumë kujdes, kohë për të reflektuar dhe përkushtim, prandaj para se të kaloni te vendimi përfundimtar “këshillohuni” me veten


Pavarësisht se për ndarjen flitet vazhdimisht në median e shkruar dhe televizive, kur kjo eksperiencë përjetohet personalisht është më e vështirë nga ç’mund të imagjinohet. Të prishësh një martesë, sidomos kur në mes janë fëmijët, është çështje që duhet parë me shumë kujdes, kërkon kohë dhe përkushtim, madje shumë më tepër sesa kur i jepet fund një marrëdhënieje në çift. Kështu, para se të merrni vendimin përfundimtar dhe të kaloni te faktet, fillimisht duhet t’i bëni disa pyetje vetes.


Ky rishikim i situatës nuk do të thotë që të ktheheni mbrapa në kohë, në vitet ’50, kur ndarja nuk ekzistonte dhe martesa zgjaste gjithë jetën me çdo kusht, por ju ndihmon që të mos reagoni me impulsivitet natyrisht. Marrja e vendimit për t’u ndarë ndonjëherë shkaktohet nga gjendja shtypëse dhe e mërzitshme e krijuar mes partnerëve. Ata arrijnë në këtë përfundim me mendimin se kjo është zgjidhja e vetme, por mund të mos jetë e duhura. Në shumicën e rasteve ndarja sjell lot në familje: çështje të vjetra ngrihen, ndërsa reflektimet hapin plagët e pashëruara mirë. Një person i ndarë është shumë i brishtë. Nëna zakonisht mendon për fëmijët kur nuk i ka. Por ç’duhet bërë për të mos vuajtur kaq shumë nga një ndarje? Një familje që kalon një proces të tillë padyshim që përfshihet nga një mori çrregullimesh emocionale. Procesi i ndarjes mund të rrisë brenda pjesëtarëve të familjes ndjenja të forta zemërimi, ankthi, depresioni, vetmie, turbullimi dhe mungesë guximi në personalitetin e individëve.


Pavarësisht se mund të tingëllojë cinike dhe e pandikueshme për zgjedhjet e bëra, të pyesësh veten se çdo të bëhet me fatin e lidhjes nuk është një pyetje për t’u nënvlerësuar. Përveç burrit natyrisht ka miq që nuk do të shihen më kurrë? Arrini ta mbani veten ekonomikisht? Mund të mbani shtëpinë? Këto janë disa pyetje praktike, të cilave duhet t’u përgjigjeni para se të kaloni te avokati, në mënyrë që më pas të mos ndiheni më keq se në fillim. Në këtë rast dyshimi më i madh është ky: vërtet do të jeni më të lumtur pasi t’i keni dhënë fund përgjithmonë martesës? Ju duhet të kërkoni thellë brenda vetes shkaqet e ndarjes për të përcaktuar pakënaqësinë aktuale mes çiftit, nëse mosmarrëveshjet janë kalimtare apo keni arsye madhore që mund t’ju mërzisin edhe pasi të jeni ndarë.


Pastaj vjen problemi i fëmijëve. Jeta me prindër të ndarë nuk është e lehtë, e mbi të gjitha nuk ka fëmijë që të aprovojnë ndarjen e nënës dhe babait. Një ndarje miqësore është shumë më e mirë se një martesë dramatike dhe kjo as që diskutohet. Por edhe në këtë rast, para se të kaloni te gjykatësi duhet të mos krijoni një marrëdhënie konfliktuale me partnerin në sy të fëmijëve, në mënyrë që më vonë të fitoni kujdestarinë e tyre.


Në fund duhet të pyesni veten se a keni tentuar vërtet të pamundurën. Çfarë do të thotë për ju të hiqni dorë për pak kohë nga ndarja. Duhet ta pyesni veten ndershmërisht nëse keni bërë gjithçka për të përballuar problemet në çift dhe të dëgjoheni nga partneri, këshilluesit, psikologët. Duhet të bëni një dialog të hapur dhe të sinqertë. Edhe në qoftë se përpjekja për t’u ribashkuar nuk ju çon asgjëkund, në fund të fundit do t’ju shërbejë që të mos keni pengje pasi të ketë mbaruar gjithçka.