Rama – Lideri i PS-së deklaroi se faturat e dështimit të tri ligjeve do të jetë për qeverinë dhe jo ndaj opozitës, e cila bëri ftesën e saj
Berisha – Lideri i PD-së kërkoi që kreu i PS-së të mos i bllokojë, por t’i votojë tri projektligjet e kërkuara nga Komisioni Europian
Sot, seanca e votimit në Kuvend. Meta: Është një problem lokal
“Nëse Shqipëria nuk e merr statusin e kandidatit në dhjetor, ka vetëm një përgjegjës, dhe kjo është qeveria shqiptare, e cila s’ka kurajë të ulet me opozitën”
BLEDAR HOTI
Dy liderët kryesorë, Sali Berisha dhe Edi Rama, vijuan përplasjet e tyre në distancë në mënyrë deklarative në lidhje me votimet e tri ligjeve dhe për Qarkun e Fierit. Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë, i kërkoi liderit të opozitës që të votojë tri ligjet e kërkuara nga BE-ja, si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kryeministri hodhi poshtë edhe idenë e tryezës ndërpartiake për të diskutuar Qarkun e Fierit. “Zoti Rama, për çdo gjë mund të më ftosh për t’u mbledhur. Jam ulur sa herë është e nevojshme dhe do të ulem. Por një gjë ta kam faktuar ty dhe çdokujt tjetër, se nuk ulem dhe nuk do të ulem kurrë për vendimet e gjykatave. Për ato nuk ulem kurrë të negocioj”, deklaroi Berisha. Lideri i mazhorancës theksoi se ulet në tryezë me PS-në vetëm për përmirësimin e tri ligjeve. Ajo që është e papranueshme, sipas Kryeministrit Berisha, është se në të njëjtën ditë me ftesën për tryezë nga Rama, PS-ja kërkoi shtyrjen për disa ditë të shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Fierit. “PS-ja kërkoi shtyrjen e gjyqit për dy javë, që të shkojë përtej datës 20 nëntor. Pse e paragjykove ti ditën e gjykimit? Thuaju shqiptarëve! Janë thjesht përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë së tmerrshme që merr mbi vete. Të enjten është afati i fundit kur Parlamenti i Shqipërisë mund të votoje tri ligjet e mbetura pezull, përpara se në datën 20 nëntor, Komisioni Europian t’u raportojë vendeve anëtare, nëse Shqipëria i ka përmbushur apo jo detyrimet për marrjen e statusit të vendit kandidat”, tha Berisha.
Reagimi i Ramës
Lideri i PS-së, Edi Rama, në një dalje publike për mediat akuzoi Kryeministrin për refuzimin e ftesës së uljes së partive në një tryezë, për shkak të dështimit të tij. “Reagimi i Partisë Demokratike dhe përkatësisht kryetarit të qeverisë, ishte i menjëhershëm, brutal dhe qorrazi si zakonisht. Asnjë vullnet për të kapërcyer hendekun që kanë hapur forcërisht në Fier, mes shtetit të së drejtës dhe pushtetit të dhunës mbi Kushtetutën e ligjin. Në përpjekjen e vet të dëshpëruar për të justifikuar dështimin me integrimin europian, pushteti i sotëm i votave të vjedhura, kërkon të fajësojë medoemos opozitën, si medemek bllokuese të integrimit”, tha Rama. Më tej, ai theksoi se “ofertat politike nga televizori janë shashka për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik në drejtimin e gabuar. Ja pse Saliu ka frikë të ulet ballë për ballë me opozitën në tryezë, edhe në prani të medias po të dojë, dhe të ballafaqojmë të vërtetat dhe faktet, për çka lidhet me Qarkun e Fierit. Saliu ka frikë të ballafaqohet, sepse nuk ka si e mohon që rregulloren e re të Parlamentit e mban të bllokuar ai, jo opozita. Ne e kemi thënë më shumë se një herë, ne jemi gati ta votojmë, edhe që nesër rregulloren e re. Nuk është e lidhur me Gjykatën e Lartë dhe nuk është e lidhur me vendimet e gjykatave që nuk zbatohet në Fier. Nëse Shqipëria nuk e merr statusin vendit kandidat në dhjetor, ka vetëm një përgjegjës dhe kjo është qeveria shqiptare, e cila s’ka kurajë të ulet me opozitën për të bërë së paku minimumin e mbetur në këto ditë të fundit, sepse është qeveria që e ka marrë dhe e mban peng Fierin me sytë nga zgjedhjet, jo nga Europa e Bashkuar”, tha Rama.
Apeli i Metës
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, e ka cilësuar problem lokal çështjen e Fierit në krahasim me integrimin e vendit. Gjatë një takimi në qytetin e Shijakut, Meta i bëri thirrje klasës politike që të punojë për integrimin e Shqipërisë. Sipas tij, për një problem lokal, siç është Qarku i Fierit, nuk mund dhe nuk duhet të ndalet integrimi kombëtar. Ai u shpreh se të gjithë duhet të punojmë për të ardhmen dhe se politika duhet t’u japë statusin kandidat shqiptarëve. Duke nënkuptuar refuzimin e ftesës së Ramës, Meta u shpreh se “Shqipëria po ndëshkohet padrejtësisht, për faj të politikës së dy partive kryesore në mënyrë të veçantë, sepse ky nuk është ndonjë sekret që kjo është tepër konfliktuale dhe që ju e shikoni në Parlament“.