Protestuesit ngrenë një fshat me çadra jashtë burgut dhe gjykatës në Silivri, ku çështja Ergenekon po zhvillohet kundër qindra zyrtarëve të një prej ushtrive më të fuqishme të botës
Hidir Hokka, mbikëqyrësi i kampit, e shikon Turqinë moderne dhe ngritjen e Erdoganit si një komplot nga Shtetet e Bashkuara dhe Europa për të marrë hak ndaj rebelimit të Ataturkut pas Luftës së Parë Botërore, rebelim që mposhti planet e aleatëve për të kontrolluar shumicën e Turqisë së ditëve tona
Turqia po përleshet me një identitet të përcaktuar si nga historia e sundimit me dorë të hekurt të laikëve, ashtu edhe me premtimin për një demokraci të sjellë nga islamikët
Grupimi për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se Turqia po zbaton “një nga fushatat më të mëdha të historisë së sotme të botës kundër medias”. Më shumë gazetarë janë aktualisht në burg në Turqi se sa në çdo vend tjetër, thuhet në raport
Një vend në udhëkryq
TIM ARANGO, NYT
SILIVRI, Turqi — Protestuesit mblidhen çdo ditë në fshatin me çadra të vogla që mbulojnë panoramën këtu jashtë një burgu dhe gjykate të madhe. Ata i kalojnë ditët duke u përkujdesur për një kopsht me fruta dhe zarzavate, por misioni i tyre kryesor është të denoncojnë qeverinë me frymëzim islamik të Kryeministrit Recep Tayyip Erdogan.
Hidir Hokka, mbikëqyrësi i kampit, shikon rritjen e islamikëve si një komplot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europës për të marrë hak ndaj rebelimit të Ataturkut. Njëri prej protestuesve, Riza Yaman, udhëtoi nga Gjermania për të kaluar disa kohë në këtë kamp. “Traditat republikane po komprometohen për t’u zëvendësuar nga traditat fetare”, thotë ai.
Yaman është një nga dhjetëra burra dhe gra që kanë ardhur këtu tashmë prej një viti, janë laikë të zemëruar që po protestojnë jashtë një salle gjyqi, ku po gjykohen qindra oficerë të ushtrisë të akuzuar se kanë komplotuar për rrëzimin e qeverisë me themele islamike. Çështja, e cila ka frikësuar gazetarët, akademikët e të tjerë, është bërë një simbol i përpjekjeve të Turqisë për të bërë llogaritë me historinë e vet të mbushur me grushte shteti nga ushtarakët dhe me vrasje jogjyqësore të urdhëruara nga qeveria. Me taktikat e veta të ashpra juridike dhe me zgjerimin gjithnjë e më të madh të njerëzve të dyshuar, gjyqi i fundit ka krijuar gjithashtu shqetësime mbi përqendrimin e madh të pushtetit në duart e Erdoganit dhe ka vënë në pikëpyetje angazhimin e tij për demokracinë.
Kjo supozohet se është epoka e artë e Turqisë. Vendi është një shembull i rrallë i rritjes ekonomike dhe stabilitetit politik në një rajon të zhytur në kaos. Ai është përshëndetur në të gjithë botën arabe si një model i përzierjes së duhur të besimit me demokracinë. I zgjedhur dhjetë vjet më parë, Erdogan pritet të bëhet Kryeministri më jetëgjatë në historinë e Republikës së Turqisë dhe po planifikon të garojë për president në vitin 2014, garë që përfshin edhe riformatimin e postit të presidentit nga statuja aktuale gjerësisht ceremoniale në një presidencë me fuqi të mëdha ekzekutive të ngjashme me sistemin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Por, ndërkohë, Turqia po përballet me vetveten. Ajo po përleshet me një identitet të përcaktuar si nga historia e sundimit me dorë të hekurt të laikëve, ashtu edhe me premtimin për një demokraci të sjellë nga islamikët. Popullata e saj është thellësisht e ndarë mes laikëve e islamikëve dhe udhëheqësi i saj karizmatik po përballet me sfida në shumë fronte.
Ai është kritikuar për politikën që ka ndjekur ndaj Sirisë, është angazhuar në një shtypje gjithnjë e më të madhe të lirisë së shprehjes dhe është zënë në kurthin e ashpërsimit të konfliktit me militantët kurdë, që së fundmi e kanë shtyrë edhe të propozojë rikthimin e dënimit me vdekje. Dënimi me vdekje u hoq në Turqi në vitin 2002 si pjesë e përpjekjeve për të hyrë në Bashkimin Europian.
“Turqia po ecën në një periudhë hetimi psikologjik”, thotë Haluk Sahin, një ish-komentator dhe profesor i gazetarisë në Universitetin Bilgi të Stambollit.
Çështja gjyqësore e njohur si Ergenekon e ka marrë emrin nga një luginë mitike dhe synon të ndëshkojë, sipas akuzës, një organizatë terroriste klandestine. Kjo është një nga çështjet më të mëdha të Turqisë sot.
Erdogan erdhi në pushtet duke premtuar zhvillimin e demokracisë dhe përballjen me të shkuarën e Turqisë. Ai premtoi zgjerim të të drejtave të kurdëve e grave dhe lehtësimin e kufizimeve për median. Ai e mposhti frikën e rojave të vjetra të republikës për një axhendë të fshehtë islamike, duke përqafuar perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, një objektiv thelbësor në atë kohë për demokratizimin e vendit, por që tani duket më larg se kurrë.
“Jo vetëm që një parti e re erdhi në pushtet, por edhe një mentalitet i ri”, tha Erdogan në një fjalim së fundmi, duke analizuar një dekadë të qeverisjes së partisë së tij.
Megjithatë, pamjet e shfaqura së fundmi, ku forcat e sigurisë përplasen me mijëra protestues laikë që po festonin Ditën e Republikës së Turqisë në shkelje të një ndalimi të urdhëruar nga qeveria, i dobësuan shumë kredencialet demokratike të saj. Reputacioni i Turqisë është dëmtuar rëndë nga raportet e Bashkimit Europian dhe Komitetit të Mbrojtjes së Gazetarëve, një grup avokator me bazë në Nju Jork, gjë që ka minuar përpjekjet e Erdoganit për të portretizuar Turqinë si një demokraci në rritje që duhet të imitohet nga rajoni.
Bashkimi Europian thotë se çështja Ergenekon dhe raste të tjera kriminale kanë krijuar “shqetësime reale mbi objektivat e tyre të vërtetë dhe kufizime në procedurat gjyqësore”. Grupimi për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se Turqia po zbaton “një nga fushatat më të mëdha të historisë së sotme të botës kundër medias”. Më shumë gazetarë janë aktualisht në burg në Turqi sesa në çdo vend tjetër, thuhet në raport.
Përgjigjja e qeverisë ndaj kritikave ka qenë injorimi i tyre.
“Duke bërë qorrin ndaj raporteve të Bashkimit Europian dhe Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, dikush mund të gënjejë veten dhe të pretendojë se po jeton në një vend demokratik”, shkroi Ozgur Mumcu, një opinionist për gazetën “Radikal”. “Por jo të gjithë kanë halucinacione të tilla”, shton ai.
Procedimi gjyqësor është zemra e mënyrës se si Turqia po menaxhon përballjen me të shkuarën e vet autoritare dhe në krijimin e udhërrëfyesit për një të ardhme demokratike. Në fillim turqit e panë gjyqin, i cili filloi më 2008-n si një përballje e nevojshme me një të shkuar të dhimbshme, por ndërsa ai është zgjatur, ka një ndjesi në rritje se gjyqi po kthehet thjesht një kapitull tjetër në historinë e sundimit nga elitat autoritare, me të vetmin ndryshim, që kjo e sotmja ka një themel islamik.
Turqia po e ndryshon analizimin e së shkuarës në mënyrë të vazhdueshme. Interpretimet konkurruese shfaqen çdo ditë nëpër gazeta. Nga një edicion i një gazete lokale këtë javë erdhën tituj të tillë: A është e vërtetë që presidenti reformist, Turgut Ozal, i cili vdiq papritur më 1993-shin, në fakt u helmua nga armiqtë e vet? A është e vërtetë që Adnan Menderes, Kryeministri i viteve 1950 që u var nga ushtarakët pas një grushti shteti, urdhëroi një pogrom në vitin 1955 kundër jo myslimanëve? Kush ishte njeriu pas grushteve të shtetit të viteve 1960, 1971, 1980 dhe 1997?
Gjykata, ku të akuzuarit për Ergenekon po përballen me gjyqin, është në Silivri, një qytezë në detin e Marmarasë, rreth një orë me makinë në perëndim të Stambollit. Kujdestarët për kampin me çadra janë disidentë, nacionalistë, laikë, familjarë e miq të të akuzuarve dhe disa janë edhe nga të akuzuarit vetë.
Çadrat janë krijuar si një bazë e përhershme proteste dhe ngjajnë me një kamp emigrantësh. Në një farë kuptimi, burrat dhe gratë që i vizitojnë, në disa raste për një ditë të tërë apo për më shumë, janë emigrantë nga e shkuara e Turqisë. Ata janë në minorancë politike në Turqinë e ditëve të sotme dhe besnikë të traditave nacionaliste laike të Mustafa Kemal Ataturk, i cili themeloi Turqinë moderne më 1923-shin. Ata kanë frikë se Erdogan ia ka arritur t’i zhvendosë ata nga qendra e pushtetit.
Megjithatë, ndërsa tregojnë ankesat e tyre, ata shprehin një këndvështrim që duket se i ka rrënjët tek e shkuara jodemokratike e Turqisë. Disa mohojnë që një masakër kundër armenëve të ketë ndodhur në vitin 1915, në ditët e fundit të Perandorisë Osmane, një tragjedi që vijon të mos përballohet nga turqit e sotëm. Shumica besojnë se Agjencia Qendrore e Inteligjencës, CIA, drejton fshehtas Turqinë. Ata e shohin multikulturalizmin dhe zgjerimin e të drejtave të kurdëve si një hap drejt ndarjes së vendit.
Disa ditë më parë, pas një dreke me oriz, fasule dhe shalqi, vizitorët e kampit pinë çaj dhe tymosën para se të ktheheshin në gjykatë për dëshmitë e pasdrekes.
Hidir Hokka, mbikëqyrësi i kampit, e shikon Turqinë moderne dhe ngritjen e Erdoganit si një komplot nga Shtetet e Bashkuara dhe Europa për të marrë hak ndaj rebelimit të Ataturkut pas Luftës së Parë Botërore, rebelim që mposhti planet e aleatëve për të kontrolluar shumicën e Turqisë së ditëve tona.
Në një fjalim para partisë së tij, Erdogani dha një variant tjetër të historisë: sipas tij, kemi të bëjmë me fundin e shumë dekadave të sundimit nga një elitë e pazgjedhur laike, e dominuar nga ushtarakët – pushteti i të cilëve u shkatërrua nga çështje si Ergenekon.
“Mund të jetë e mundur të sundosh një vend përmes kontrollit të një grushti elitash”, tha ai. “Por në një republikë demokratike, fuqinë duhet ta marrësh nga populli.”