CEZ: Na vjen keq, por merrni masa për ujë të pijshëm. Preken mbi 40 qytete dhe fshatra
Duket se deklaratat e fundit të Bodes, se shoqëria dështoi dhe duhet larguar, solli vendimin ekstrem
ARD KOLA
Kur drejtori kryesor i CEZ-it në Pragë i bëri të ditur Kryeministrit Berisha (dy javë më parë), se largimi nga Shqipëria do t’i kushtojë “shtrenjtë” vendit, padyshim nuk priteshin masa aq ekstreme, sa vendimi i marrë dje, për stakimin e energjisë elektrike për të gjithë ujësjellësit debitorë. Më “shtrenjtë” u nënkuptua penaliteti nga vendimet e gjykatës së arbitrazhit, ose të tjera aspekte financiare, por CEZ ka vendosur të çojë deri në fund “luftën” me shtetin shqiptar, e nisur nga kjo e fundit, dhe ku pasojat si gjithnjë do t’i ndiejë populli.
“CEZ Shpërndarje dëshiron të njoftojë paraprakisht publikun se ditën e premte, 16 nëntor, do të ndërpresë furnizimin me energji të të gjitha kompanive të ujësjellësit që janë debitore ndaj kompanisë”, ishte njoftimi zyrtar i kompanisë, lëshuar dje për mediat.
Sipas kompanisë, shuma që i detyrohen CEZ Shpërndarjes kompanitë e ujësjellësit tashmë ka arritur lartësinë e 5.4 miliardë lekëve (38 milionë euro). Këto kompani janë njoftuar herë pas here për borxhet e tyre ndaj CEZ Shpërndarjes dhe afatet për pagesën e borxhit janë shtyrë disa herë, bën të ditur më tej shoqëria çeke. Gazeta “Shqip” mëson se janë mbi 40 ndërmarrje debitore, të cilat furnizojnë po aq në numër qytete dhe fshatra, ku preken edhe qendrat kryesore.
“Kërkojmë të sqarojmë se CEZ Shpërndarje ka kryer takime të shumta me përfaqësues të kompanive të ujësjellësit dhe ka ofruar mundësi të ndryshme zgjidhjeje si skema lehtësuese për shlyerjen e debisë me këste dhe mundësinë e pagesës së pjesshme të debisë”, thotë CEZ.
Shoqëria e shpërndarjes së energjisë elektrike, ka ofruar gjithashtu edhe anulimin e borxheve të kompanive të ujësjellësit përkundrejt borxhit që CEZ Shpërndarje i detyrohet KESH-it, “gjë që fatkeqësisht është refuzuar gjithashtu”, vijon sqarimi.
Kompania shpreh shqetësimin për pasojat te konsumatorët e ujit, duke nënkuptuar se, “kjo është çështje biznesi, nuk ka asgjë personale”.
“Ne kërkojmë ndjesë për shqetësimin që kjo mund të sjellë për publikun, por duhet të kihet parasysh që CEZ Shpërndarje, si kompani private, varet nga mbledhja e detyrimeve mujore për energjinë e konsumuar nga të gjithë klientët e saj, dhe se mospagesa e borxheve po i shkakton një dëm financiar serioz kompanisë dhe nuk mund të tolerohet më”, sqaron shoqëria.
Më tej vjen sugjerimi. “Dëshirojmë të këshillojmë publikun që të përgatitet për ditët që pasojnë 16 nëntorin, duke u siguruar që të mbushin të gjitha rezervat e mundshme që kanë në dispozicion dhe të interesohen pranë kompanive të tyre të ujësjellësit, nëse ata ofrojnë alternativa për furnizimin me ujë të konsumatorëve të tyre”.
Në rast se ujësjellësit do të paguajnë faturën e dritave, atëherë CEZ thotë se ekipet e saj do të qëndrojnë në gatishmëri të plotë për të kryer rilidhjen e menjëhershme. Një muaj më parë, qeveria akordoi një fond 10 milionë euro për CEZ, si detyrim ndaj ujësjellësve, por mesa duket nuk ka “pirë ujë”, por deklaratat e fundit të ministrit të Financave, Ridvan Bode, se shoqëria dështoi plotësisht dhe se duhet të largohet, ka shkaktuar edhe vendimin e fundit ekstrem.
Ahmetaj: Kompania i mbledh borxhet me “sekserë”
Sakaq, Partia Socialiste vijoi edhe dje akuzat ndaj shoqërisë çeke, sa u takon shpenzimeve me të tretët për shërbime të ndryshme. “Grabitja fillon në nivelin më të lartë të qeverisë, nëpërmjet kompanive që janë kliente të drejtpërdrejta të Kryeministrit dhe të ministrave, pastaj vijnë kompani të niveleve të dyta partiake, të përzgjedhura drejtpërsëdrejti prej interesave partiake dhe sigurisht është niveli akoma më skandaloz i CEZ-it brenda CEZ-it, i kompanive çeke”, ka thënë deputeti socialist, Arben Ahmetaj. Ai ka treguar një tabelë, e cila shpjegon shumë qartë se sa përfiton secila prej kompanive që mbledh borxhin. “E kanë filluar me 25%, kanë vazhduar me 28%, 30% dhe sot njëra nga kompanitë përfiton 50% të shumës që arrin të mbledhë. Kjo do të thotë që për një faturë të pambledhur, për një faturë që është 100 mijë lekë të vjetra, kompania që mbledh borxhin në minimumin e vet do të marrë 28 mijë lekë, në maksimumin e vet do të marrë 50 mijë lekë. Pra, nëse qytetari shqiptar paguan nëpërmjet tyre 100 mijë lekë, 50 mijë lekë shkojnë te CEZ dhe 50 mijë lekë shkojnë në xhepat e këtyre kompanive”, ka shpjeguar Ahmetaj. Deputeti socialist është ndalur në rastin e një kompanie çeke, “Mercl Consulting”, e cila në Pragë është e regjistruar për punime arti, ndërsa në Shqipëri kjo kompani është regjistruar në mars në QKR dhe po në mars ka marrë një kontratë drejtpërsëdrejti nga CEZ-i. “Këtu ERE duhet të japë llogari çfarë ka ndodhur me këtë kontratë, e cila është akoma misterioze. Në bazë të kësaj kontrate kjo kompani merr 50% të faturës së mbledhur. Thënë shkurt, është një mënyrë e drejtpërdrejtë devijimi fondesh”, është shprehur deputeti. Sipas tij, qeveria është përgjegjësja kryesore për skandalin, sepse para të buxhetit të shtetit, para të institucioneve buxhetore apo dhe jo buxhetore të pushtetit vendor janë mbledhur nga kompani mbledhjesh borxhesh me përqindje tejet të larta.
A.Kola