Naim Suli, i vrare ne fierGjykata e Fierit ka  vlerësuar si të ligjshëm masën e arrestit dhe të lërë në burg Gëzim Sulon, i cili akuzohet për vrasjen e biznesmenit Naim Suli. 49-vjeçari Gëzim Sulo ka pranuar krimin, për të cilin janë akuzuar dhe ndaluar edhe dy djemtë e tij. Vlerësimi i masës së sigurisë ndaj dy djemve do të jepet e veçuar, ndërkohë që hetimet janë vështirësuar për faktin se ende nuk është gjetur arma e krimit, e cila do të ndihmonte në zbulimin e autorit të vërtetë të krimit.


Para gjykatës, ashtu si para policisë, Suli ka deklaruar se mbrëmjen e të shtunës, ai ka qëlluar i vetëm mbi Naim Sulin, duke përjashtuar nga çdo përgjegjësi dy djemtë e tij Ervisin dhe Endrin 20-vjeçar. “Djemtë nuk kanë qëlluar mbi të, bile as e dinin që do e vrisja. Ata kanë qenë në makinë dhe u shtangën kur më panë që qëllova mbi të. Kam hipur në makinë dhe u kam thënë që të më largonin. Ata ishin të tronditur. Më lanë në urën e vjetër të Shkumbinit, ku dikur kaloje nga Rrogozhina, dhe u kthyen. U thashë djemve që të qëndronin bashkë, të mos ndaheshin nga njëri-tjetri”, ka deklaruar Suli.


Biznesmeni i hidrokarbureve, Naim Suli, u ekzekutua mbrëmjen e së shtunë, në derën e shtëpisë së tij në lagjen “Liri” të Fierit. Pas hetimeve paraprake, policia shpalli në kërkim si autorë të dyshuar të ngjarjes fqinjët e viktimës, Gëzim Sulo dhe dy djemtë e tij. Pas kërkimesh të shumta policia ka mundur të ndalojë dy djemtë e familjes Sulo, e vetëm pak orë me vonë edhe babain e tyre, 49-vjeçarin Gëzim Sulo. Ky i fundit deklaroi në polici se e kishte kryer i vetëm krimin dhe dy djemtë ishin të pafajshëm. Ai deklaroi se viktima e kishte fyer dhe në një moment gjaknxehtësie e ka qëlluar për vdekje me armë zjarri. Konflikti mes dy fqinjëve ka nisur rreth tetë muaj më parë, kur Naim Suli është konfliktuar me Gëzim Sulon, për zhurmën dhe vendin e parkimit afër banesës. Gjatë sherrit kanë mbetur të lënduar të dyja palët. Pas dy muajsh, të dy denoncuesit, si familja Sulo, ashtu edhe viktima Naim Suli kanë tërhequr kallëzimin e tyre, duke deklaruar se i kishin zgjidhur mosmarrëveshjet.


15 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)