Situata
Zyra në Tiranë paralajmëron protesta, nisur nga rastet precedente
Demonstrata – “Ju duhet të shmangni zonat e protestës dhe të keni kujdes nëse ndodheni pranë një grumbullimi të madh, protestë apo demonstratë. Grumbullimet masive mund të bllokojnë të gjitha arteriet hyrëse kryesore në qytetet ku ndodhin”, thotë ambasada
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë paralajmëroi të gjithë shtetasit amerikanë për protesta të mundshme në të gjithë vendin, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike. Kjo do të sjellë për pasojë edhe ndërprerje të shërbimeve publike, madje edhe probleme me furnizimin me ujë në të gjithë zonat ku do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.
“Shtetasve amerikanë u kujtohet se të gjitha grumbullimet publike dhe protestat kanë mundësi të shndërrohen në konfrontuese dhe të përshkallëzojnë në dhunë”, shkruhet në faqen e internetit të ambasadës.
“Ju duhet të shmangni zonat e protestës dhe të keni kujdes nëse ndodheni pranë një grumbullimi të madh, protestë apo demonstratë. Grumbullimet masive mund të bllokojnë të gjitha arteriet hyrëse kryesore në qytetet ku ndodhin”, vijon më tej njoftimi.
Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëron gjithashtu se protestat apo demonstratat në një qytet kanë mundësi të çojnë në grumbullime të tjera publike apo demonstrata në lokalitete të tjera përreth qytetit apo vendit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje shtetasve amerikanë të kenë një vigjilencë të lartë dhe të marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të përmirësuar sigurinë personale. Muajt e fundit, shkruhet në faqen online të ambasadës, përshkallëzimi i protestave, përfshirë bllokimin e rrugëve, ka ndodhur në të gjithë vendin si pasojë e ndërprerjes së energjisë
Kohët e fundit janë vërejtur protesta sidomos në veri të vendit, por nuk kanë munguar edhe në jug, me rastin e Ballshit, ku pati edhe shoqërime nga forcat e rendit. Protestat kanë qenë të dhunshme, me konfrontime fizike, bllokim rrugësh dhe pushtim nënstacionesh. Në jo pak herë forcat e rendit kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën, por përplasjet kanë qenë të shpeshta.
Mësohet se rreth 40 për qind e popullatës nuk e paguan faturën e energjisë elektrike. Në kategorinë e borxhlinjve janë edhe ndërmarrjet e ujësjellësve që i kanë detyrime CEZ-it, rreth 38 milionë euro, të papaguara prej disa vitesh.
Sakaq, një reagim të ashpër pati dje edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, e cila u sugjeronte organeve të prokurorisë, që në rast të ndërprerjes masive të furnizimit me ujë nëpërmjet rrjetit publik, të fillojë, menjëherë çështjen penale në ngarkim të kujtdo, që me veprime ose mosveprime do ta shkaktojë një situatë të tillë.
CEZ thotë se ndërmarrjet janë paralajmëruar, nuk kanë reaguar, edhe pse u janë ofruar skema lehtësuese të pagesës së faturave. “Ne kërkojmë ndjesë për shqetësimin që kjo mund të sjellë për publikun, por duhet të kihet parasysh që CEZ Shpërndarje, si kompani private, varet nga mbledhja e detyrimeve mujore për energjinë e konsumuar nga të gjithë klientët e saj, dhe se mospagesa e borxheve po i shkakton një dëm financiar serioz kompanisë dhe nuk mund të tolerohet më”, sqaron shoqëria çeke, e cila së fundmi ka deklaruar se po shikon mundësinë e largimit nga Shqipëria.
A.K.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit ngre akuzat. Probleme me furnizimin
Sejdini: Mungesa e ujit tregon se nuk ka as shtet
Ujësjellësi i Elbasanit nuk ka shlyer fatura me vlerë 1.2 miliardë lekë, bashkë me kamatat
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit është shprehur se nëse do të ndodhë që të premten (sot) qyteti nuk do të furnizohet me ujë, atëherë ky është një krim ndaj qytetarëve dhe CEZ do të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë. “Nuk e di situatën dhe marrëdhënien me ujësjellësin, por qytetarët paguajnë faturat dhe nuk u intereson nëse kompanitë i paguajnë apo jo faturat e veta. Nëse do mbetemi pa ujë atëherë ne si qytet do t’i drejtohemi gjykatave dhe CEZ duhet të paguajë për këtë”, ka deklaruar Sejdini. Kryebashkiaku u ka bërë thirrje palëve të gjejnë një marrëveshje të përbashkët për të mos lënë pa ujë 120 mijë banorë. Nga ana tjetër kryetari i bashkisë, thotë se, nëse qytetarët mbeten pa ujë të pijshëm, kjo tregon se në këtë vend nuk ka shtet.
“CEZ nuk mund të bëjë as përmbaruesin, prokurorin, as policin, as gjykatën. Nuk mund të dënojë qytetarin elbasanas CEZ-i. Nëse ndodh diçka e tillë kjo do të ishte fatale dhe do të tregonte se shteti nuk funksionon”, thotë Sejdini.
Elbasani është rajoni i përfshirë në listën e CEZ për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të ujësjellësit. Ndërmarrja në këtë qytet pranon se ka pa shlyer 7 faturat e muajve të fundit, sikurse është njoftuar nga CEZ se, nuk ka shlyer detyrimet e prapambetura që rrjedhin nga kamatëvonesat prej vitit 2007. Kjo kërkesë është përcaktuar absurde nga ana e “Elber”, shoqëria që menaxhon ujësjellësin, e cila i është drejtuar gjykatës duke bërë një padi penale në kundërshtimin e këtij pretendimi. Drejtori i ndërmarrjes, Ardian Zhidro, deklaroi se me CEZ ka edhe shumë probleme të tjera siç janë mosrakordimet dhe defekte në linjat e furnizimit të stacioneve dhe depove. Ai tha se kamatëvonesa arrin deri në 1.2 miliardë lekë dhe është e pamundur dhe e padrejtë që ndërmarrja t’i shlyejë ato.
Përplasja
Ahmetaj vijon akuzat, kompania paralajmëron padi
Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj, akuzoi Entin Rregullator të Energjisë se ka ulur çmimin e faturimit të energjisë elektrike, me të cilin KESH ia shet energjinë CEZ-it, pa ulur tarifat finale për qytetarët. Deputeti i opozitës prej disa ditësh ngre akuza edhe ndaj shoqërisë CEZ për mënyrën se si i kryen shpenzimet, pse ka humbje të larta etj. “Ka një pyetje shumë të rëndësishme që ERE duhet t’i përgjigjet drejtpërsëdrejti: Cila është arsyeja që ERE ka ulur çmimin e KESH-it duke shkaktuar një dëm marramendës? Kjo aferë meriton një hetim nga institucionet përgjegjëse”, tha Ahmetaj. Kompania CEZ Shpërndarje ka reaguar ndaj akuzave të publikuara ditët e fundit nga deputeti, duke e paralajmëruar padi për shkak të shpifjes. Në një letër publike drejtuar zotit Ahmetaj, CEZ thotë se akuzat ndaj saj janë të pavërteta, çoroditëse dhe që kontribuojnë në krijimin e një imazhi negativ për CEZ. Në reagimin e saj, kompania thotë se përkundër deklaratave të deputetit socialist ka investuar në përmirësimin e rrjetit dhe uljen e humbjeve në të në 3-vjeçarin e fundit. “Shoqëria ka bërë dhe vazhdon të bëjë të gjitha përpjekjet e arsyeshme për të siguruar furnizimin e vazhdueshëm me energji elektrike për të gjithë klientët që paguajnë dhe për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë e sistemit të shpërndarjes dhe atë të shërbimit për klientin në përputhje me kuadrin rregullator”, thotë CEZ.