Për herë të dytë në më pak se tri vjet, kontinenti zhytet në vështirësi
Kriza e borxheve sovrane e ktheu Eurozonën në recesionin e dytë që nga viti 2009, kur ekonomia nuk arriti të rritet në tremujorin e tretë të këtij viti, pavarësisht një ecurie disi pozitive në Gjermani dhe Francë. Të gjitha vendet kryesore arritën të rriten me 0.2 për qind në tremujorin korrik-shtator. Por kjo nuk mjaftoi për të kompensuar rëniet në pjesën tjetër të Eurozonës, duke përfshirë Holandën, Spanjën, Italinë, Austrinë e vende të tjera. Prodhimi i Brendshëm Bruto u reduktua me 0.1 për qind, ndërkohë që ishte reduktuar në tremujorin paraardhës me 0.2 për qind.
Dy tremujorë radhazi me rënie ekonomike e bëjnë situatën të konsiderohet zyrtarisht si recesion, megjithëse Italia dhe Spanja kanë pasur recesion tashmë që prej një viti, ndërkohë që Greqia është e tëra në depresion. Rigjallërimi ekonomik duket ende larg. Kriza filloi në Greqi në vitin 2009 dhe po mban botën peng.
“Ky ishte numri i fundit pozitiv për Gjermaninë për disa kohë”, komentoi Joerg Kraemer, kryeekonomist i “Commerzbank”. Sipas tij dhe shumë analistëve të tjerë, ka pak shpresa që Gjermania të ketë një ekonomi pozitive në tremujorin e katërt të vitit. Ekspertët thonë gjithashtu se Franca do të ndjekë Gjermaninë, për shkak se të dy ekonomitë janë shumë fort të lidhura me njëra-tjetrën. Parashikimi është që Eurozona të dobësohet me 0.4 për qind më 2012 dhe të rritet me vetëm 0.1 për qind më 2013-n. Miliona punëtorë kanë dalë në protestë gjatë këtyre ditëve në Europë kundër masave të kursimit të vendosura nga qeveritë. Ata thonë se masat e kursimit po e zhysin kontinentin edhe më shumë në vështirësi.
“Ne po hyjmë në një recesion me dy faza dhe ky është tërësisht i prodhuar nga vetë europianët”, tha Paul De Grauwe, një ekonomist në Londër. “Ky është rrjedhojë e kursimeve të tepërta në vendet e Jugut dhe mungesës së dëshirës në Veri për të bërë ndonjë gjë tjetër”, shtoi ai. Komisioni Europian gjithsesi thotë se viti 2013 do të jetë shumë më i shëndetshëm se sa viti 2009, kur Greqia manipuloi bilancet e veta duke e çuar deficitin në 14.5 për qind të PBB-së.