“Titullarët e spitalit po i përdorin mjekët irlandezë si mburojë”
“Lidokaina përdoret në stomatologji për anestezi lokale dhe nuk është për të ulur temperaturën”
Silvana Muça
Familjarët e Denis Alimadhit, 11-vjeçarit që humbi jetën në një operacion estetik të syve, në Spitalin Francez të Tiranës, nuk kanë marrë asnjë ngushëllim nga mjekët shqiptarë dhe nuk u kanë dhënë asnjë shpjegim ditën e aksidentit mjekësor. “Mjekët shqiptarë nuk na kanë folur me gojë ditën që vdiq djali. Vetëm mjekët irlandezë kanë dalë me lot në sy, e na kanë shpjeguar se mungonte një ilaç për t’i shpëtuar jetën”, janë shprehur ata pas deklaratave të dy mjekëve irlandezë në Prokurorinë e Tiranës, të cilët janë shprehur se nëse do të kishin Dantrolen do ia ulnin temperaturën Denisit.
Familjarët e viktimës
Ndërkaq, familjarët vazhdojnë të këmbëngulin për të zbardhur të vërtetën e shkaqeve të vdekjes së djalit të tyre. Nisja e hetimeve nga prokuroria u ka dhënë garanci për zbulimin e së vërtetës, por, sipas tyre, mjekët shqiptarë ende tentojnë që të errësojnë ngjarjen. Ata thonë se deklaratat e drejtuesve të mjekësisë shqiptare janë shumë kontradiktore. “Mbrëmjen e së mërkurës, me 7 nëntor të këtij viti, personeli mjekësor shqiptar, që punon në pavijonin e okulistikës, nuk ka denjuar që të japë shpjegime se çfarë ka ndodhur gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Madje, ata kanë shmangur çdo kontakt me ne, për të mos u dhënë detaje rreth ngjarjes”, shprehen familjarët e viktimës. Sipas të afërmeve të 11-vjeçarit, vetëm mjekët irlandezë kanë dhënë shpjegime për ecurinë e operacionit. “Kirurgët irlandezë kanë qenë shumë transparentë me ne. Pas 4 orësh, ata kanë dalë nga salla e operacionit dhe na informuan se gjendja shëndetësore e Denisit është përkeqësuar. Madje, ai rrezikonte që të humbte edhe jetën. Njoftuan se ishin në pritje të një ilaçi, i cili nuk gjendej në Spitalin Francez të Tiranës. Për këtë, ata kishin kërkuar edhe në një spital privat, por pa rezultat. Kërkimet kanë vijuar në disa shtete fqinje dhe një mjek shqiptar ishte nisur drejt Shqipërisë, për ta sjellë Dantrolenin. Në kohën që ai ka mbërritur, rreth orës 23:00, ka qenë shumë vonë, sepse Denisi ishte larguar nga kjo botë. Mbaj mend se kirurgët e huaj kanë qenë shumë të terrorizuar, në kohën që kanë marrë vesh se mungonte medikamenti për të cilët flitet kaq shumë. Ata i ka kapur paniku dhe besoj se kanë bërë gjithçka që kanë pasur në dorë për të luftuar me vdekjen e Denisit, pavarësisht se ka pasur mungesë të ilaçit. Vdekja e Denisit i ka vrarë shpirtërisht dhe janë bashkuar me dhimbjen tonë”, ka cituar për gazetën “Shqip”, Maliq Hasmuça, daja i babait të viktimës.
Dyshimet mbi ilaçet
Ky i fundit është personi që e ka dërguar çështjen në prokurori, pasi ka dyshuar se diçka ka shkuar keq në operacion dhe se duhej të gjendej shkaku i vërtetë, i cili deri më sot nuk është zbardhur. “Unë dyshoj se titullarët e Spitalit Francez, apo të Ministrisë së Shëndetësisë, po i përdorin mjekët irlandezë si mburojë për të larguar përgjegjësitë e tyre, për mungesën e ilaçit, që mund t’i shpëtonte jetën Denisit. Sipas tyre, Dantroleni jepte një garanci shpëtimi prej 2-3 për qind, por edhe sikur të ishte 0.1 për qind, ata duhet t’ua siguronin medikamentin kirurgëve irlandezë. Në media titullarët shprehen se në mungesë të Dantrolenit, që nuk ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri, është përdorur Lidokaina, që, sipas tyre, është analog me ilaçin e lartpërmendur, por që nuk ka pasur rezultat. Unë kam biseduar me mjekë specialistë dhe më kanë thënë se Lidokaina përdoret në stomatologji për anestezi lokale dhe nuk është për të ulur temperaturën. Madje, ai ka efekte të lehta. Lidokaina përdoret për të qetësuar dhimbjet dhe për të mpirë muskujt. Gjatë kontakteve dhe konsultimeve që kam pasur me mjekë të specializuar, më kanë thënë se ky medikament mund të ketë provokuar vdekjen e vogëlushit tonë. Kjo deklaratë, nga ana e drejtuesve të shëndetësisë, është sërish një lapsus dhe nëse është e vërtetë, është e pafalshme. Unë nuk e di se çfarë medikamentesh janë përdorur atë natë, sepse kirurgët shqiptarë nuk komunikojnë me ne. Ata kërkojnë të na hedhin hi syve”, ka vijuar akuzat Hasmuça. Gjithsesi familjarët e vogëlushit shprehen se do të vijojnë që ta ndjekin çështjen në prokurori, për të gjetur të vërtetën. Denis Alimadhi ka vdekur me 7 nëntor të këtij viti, gjatë një ndërhyrje kirurgjikale në qepallat e syve, për shkak të një hipertermie malinje.
Përplasja
Enciklopedia: Dantroleni, i vetmi princip që trajton hiperterminë malinje
Spitali: Përdorëm Lidokainë, në mungesë të Dantrolenit
Mjekët shqiptarë kanë përdorur Lidokainë në vend të Dantrolenit për të trajtuar hiperterminë malinje, ndërkohë që e gjithë bota përdor këtë të dytin si i vetmi princip për trajtime të tilla. Madje, absurdi është edhe më i madh, pasi mjekët kanë deklaruar se një medikament i tillë nuk blihet për qendrën spitalore. “Grosistët që sjellin barna nuk janë të interesuar për të blerë sasi të pakta të ilaçit të quajtur Dantrolen dhe spitali, nga ana tjetër, ilaçe të tilla nuk i blen nëpërmjet procedurave të tjera, si blerje të drejtpërdrejtë apo si porosi të veçanta”, shprehen burimet nga drejtoria e spitalit. Mjekët kanë sqaruar se në vend të Dantrolenit i kanë dhënë Lidokainë, një ilaç tjetër me të njëjtin princip aktiv, por që është gjithsesi alternativë zëvendësuese. Por, mjekësia botërore dhe enciklopedia, ashtu si edhe dy mjekët irlandezë në prokurori, deklarojnë se Dantroleni është i vetmi ilaç në të gjithë botën që kuron hiperteminë malinje, si në rastin e vogëlushit që humbi jetën në sallë. Lidokaina përdoret për konsum të gjerë në vendin tonë, edhe nga stomatologët për shërbimet dentare. Sipas një grupi mjekësh, kjo substancë mund të bëhet e dëmshme për pacientë të ndryshëm. Stafi i mjekëve që qëndronin asistues me mjekët irlandezë gjatë ndërhyrjes nuk u bë publik, megjithatë nëndrejtori i qendrës spitalore sqaroi se: “Nga ana jonë janë plotësuar të gjitha dokumentacionet e nevojshme që kanë lidhje me të sëmurin, ku përfshihet kartela klinike, e cila është firmosur nga familjarët e fëmijës, që marrin përsipër të gjitha rreziqet që ndodhin gjatë dhe pas operacionit. Pasi fëmijës i janë kryer ekzaminimet e duhura mjekësore, është futur në sallën e operacionit dhe ka filluar normalisht ndërhyrja kirurgjikale. Pothuajse nga mesi i ndërhyrjes, fëmija ka pasur një ndërlikim, i cili mendohet se ka ndodhur si pasojë e lëndëve anestezike të përdorura, duke sjellë një hipertermi malinje”, ka sqaruar Boçi. L. Mixha
