AGRON DUKA
Kohët e fundit duket sikur politika, ashtu sikurse ndodh rëndom në jetën e përditshme, do të përfitojë edhe nga prodhimi i mbarë i ullirit për këtë vit, i cili erdhi përveç të tjerash edhe nga kushtet e favorshme të motit. Kur them përveç të tjerash, e kam fjalën për punën e palodhur që bëjnë fermerët për kultivimin e kësaj kulture me traditë në vendin tonë, e cila e ka zanafillën qindra vjet më parë.
Deklaratat e Kryeministrit për mbledhjen e 50 milionë rrënjëve synojnë të krijojnë përshtypjen që falë tij, ullirit po i jepet vendi që i takon në Shqipëri e po të mos e kishim atë, Kryeministrin, nuk do të dihej si do të vinte halli i kësaj bime. Por le t’i hedhim një vështrim të shkurtër historikut të kultivimit të ullirit në vendin tonë.
Shqipëria është vend mesdhetar i përzgjedhur dhe i privilegjuar nga natyra për kultivimin e bimës së ullirit. Në vendin tonë janë mbjellë dhe mbarështuar ullishtat qysh nga koha e Skënderbeut, mbretërisë, në diktaturën komuniste dhe po vazhdojnë të mbillen edhe këto 20 vite të ekonomisë së tregut. Në agrofondin e ullishtarisë shqiptare, deri në vitet 1945 ishin të regjistruara 1.2 milionë rrënjë ullinj, kryesisht me moshë të madhe, të mbjella në toka jo shumë produktive. Në fund të viteve 1990, ullishtaria okuponte mbi 45 200 hektarë tokë me një inventar fizik rreth 6 milionë rrënjë. Prodhimi kokërr në vite të njëpasnjëshme arrinte 25 – 40 mijë tonë, ose i njehsuar me 5 – 8 mijë tonë vaj.
Vitet e para postdiktaturë erdhën shkatërruese, duke i prekur rëndë sipërfaqet me ullishte. Kjo pemë e “shenjtë” nuk ngeli pa u “ndëshkuar” me prerje, mungesë shërbimesh dhe braktisje masive, pasoja të cilat nuk janë mbyllur ende. Në evidencat e viteve 1995 – 1998 flitet për rreth 4.7-4.8 milionë rrënjë ullinj, ndërsa prodhimi preku nivelet më të ulëta historike të kohës me 20–22 mijë tonë. Mefshtësia e qeverisë, mosveprimi i ligjit ndaj ndërtimeve abuzive bënë që nga agrofondi i ullishtarisë të eliminohen mbi 1.2 milionë rrënjë vetëm për 5-6 vjet. Kjo shifër e pasuron listën e gjatë të shkatërrimit të pasurisë kombëtare të qeverisë demokratike, e cila në arkivat e veta ka shumë rezultate të kësaj natyre. Pavarësisht kësaj, është pikërisht kategoria e ullishtës së vjetër me 130 – 140 bimë/hektar e cila zotëron potencialet më të mëdha dhe nga specialistët konsiderohet baza e prodhimit kombëtar. Por, mosha e vjetruar, mungesa e rikonstruksioneve dhe shërbimeve bën që të jetë vetëm në 1/3 e kapacitetit me efekte dëmprurëse për ekonominë fermere dhe atë kombëtare. Fatkeqësisht, vetëm në këtë aset të gatshëm dhe shumë të rëndësishëm kombëtar, kjo qeveri nuk ka menduar të investojë ndonjë herë. Pikërisht këtu ushqehen mbi 118 mijë familjeve fermere, sigurohen mbi 2.5 litra vaj për frymë popullsie dhe ekonomia kombëtare përfiton mbi 25-30 milionë euro të ardhura në vit.
Qeverive socialiste të viteve 1997–2005 u ra detyra e rëndësishme për përfundimin e reformës mbi tokën, shpërndarjen e sipërfaqeve me ullinj, organizimin dhe drejtimin e fermave ullishtore, ndërhyrjeve për përmirësimin e cilësisë së përpunimit të produktit, etj. Disa prej këtyre ndërhyrjeve u realizuan përmes implementimit të projekteve të rëndësishëm ku përmendim 2KR dhe mbështetjen e tij për tjetërsimin e industrisë së vjetër të përpunimit të vajit dhe zëvendësimin e saj me mbi 160 fabrika të reja të markës “Pieralis”, “Alfa Laval”, etj. Financime shumë frutdhënëse për pemëtarinë, vreshtarinë, ullirin, agrumet, agroindustrinë, etj., konsiderohen edhe ato të përftuara nga BB përmes grandeve të projektit ASP. Hapësira e aplikimit përfshiu të gjithë territorin e vendit, ndërsa përzgjedhja për financim e projekteve bëhej nga një komision ekspertësh jopolitikë. Përmes grandeve të BB u nxitën bashkimet e para fermere, u krijuan grupe prodhuesish dhe u ngritën tregjet dhe magazinat e pritjes së prodhimit në qytetet Lushnjë, Vlorë, Korçë, etj., të cilat funksionojnë optimalisht edhe sot.
Por një nga projektet e rëndësishëm dhe më të realizuar për ullishtarinë shqiptare, konsiderohet ai i mbrojtjes së integruar të ullirit nën emërtimin IPM/CRSP. Studimi në thelb u konceptua dhe realizua si bashkëpunim shkencor 4-vjeçar mes disa instituteve kërkimore të vendit me partner pesë universitete amerikane dhe lider Universitetin Virginia Tech. Hartimi i projektit u mundësua nga ekspertë shqiptarë dhe amerikanë me financime të USAID. Si objektiv qendror u përcaktua transformimi rrënjësor i situatës ullishtore dhe prodhimi i vajit ekstra i markës shqiptare. Ky detyrim u plotësua përmes katër ndërhyrjeve kryesore, rikonstruksionit të ullirit të vjetër, përcaktimit të afatit optimal të vjeljes, menaxhimit të barërave të këqija dhe menaxhimit të integruar të sëmundjeve dhe dëmtuesve në ulli. Si produkt përfundimtar i projektit ishte “prodhimi i vajit extra dhe vergine” nga kultivarë autoktonë dhe certifikimi i tij nga organizma jashtë vendit, si produkt i standardeve të BE. Rezultatet e IPM u publikuan nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2005, ndërsa merren si model zbatimi për rikonstruksionin e ullishtarisë së vjetër dhe prodhimin e integruar të vajit në shumë vende mesdhetare, pra siç shihet nuk është e vërtetë që kultivimi i ullirit në ato vite ishte braktisur, por përkundrazi bëhej në bazë të projekteve dhe studimeve për të cilat mund të vazhdojmë më tej, por duke qenë se qëllimi i këtij shkrimi nuk është ky, po vijojmë me pseudoprojektet e qeverisë aktuale.
Në një prononcim të ditëve të fundit, Kryeministri i vendit deklaron se ne kemi “mbështetur” ullirin me financim qysh nga viti 2007, duke nënkuptuar edhe efektet në mbiprodhimin e këtij viti. Në fakt realiteti është krejt tjetër. Kjo sepse, projekti i subvencionit të bujqësisë i qeverisë parashikon vetëm financim për fidanët, ndërsa nuk ka mbështetur asnjëherë rikonstruksionet apo shërbimet në ullishtarinë e vjetër që sikurse argumentuam edhe më sipër, vazhdon të jetë baza e prodhimit të ullirit në vendin tonë. Dhe akoma më tej, pikërisht ajo që e demaskon këtë deklarim është vetë bima e ullirit, e cila biologjikisht hyn në prodhim të plotë në vitin e 7 – 10 pas mbjelljes në fushë, pavarësisht përdorimit të teknikave të reja të cilat tek ne aplikohen me vështirësi, për shkak edhe të mentalitetit konservativ të fermerëve. Kjo do të thotë se, në prodhimin e këtij viti kontributi i qeverisë është nul dhe e thënë kjo nga qeveritarët nëpër ullishtat e mbjella 50 vjet më parë duket qesharake. Të paktën të marrin mundimin dhe të shikojnë evidencat zyrtare të MBU në vitet 1998–2005, të cilat provojnë se janë mbjellë mbi 1 milion rrënjë ullinj të rinj, me një mesatare vjetore rreth 130 mijë rrënjë. Janë pikërisht këto ullishte që kanë hyrë në prodhim dhe që së bashku me ullirin e vjetër po i sjellin ekonomisë fermere rezultatet për të cilat thuhet se ‘këtë vit, ullirin e prodhoi qeveria’ dhe jo fermerët. Ajo që duhet të bëjë shteti në kushtet e mbiprodhimit është të stimulojnë fermerët për vjeljen sa më herët dhe t’i lehtësojë ata nga fatura e përpunimit, e cila e rrit koston e vajit me 250 – 300 lekë për litër.
Për sa i përket deklaratës së kryetarit të qeverisë, bërë në vitin 2010 për mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj për katër vjet, rezultoi një gënjeshtër e madhe, por sikur të mos mjaftonte kjo, ai ripohoi përpara disa ditësh se në mandatin tjetër do të mbjellim jo më 20, por 50 milionë rrënjë, gjë që është plotësisht e pamundur. Kjo sepse, në raportin statistikor të vitit 2011 raportohen të mbjella vetëm 6.25 milionë rrënjë ullinj. Duke e zbërthyer këtë shifër realiteti është brenda saj. Deri në vitin 2005 u mbollën mbi 1 milion ullinj të rinj, në vitet 2006–2009 janë mbjellë 525 000 mijë rrënjë të reja dhe së bashku me 4.7 milionë rrënjë nga ullishta ekzistuese sjellin shifrën zyrtare të INSTAT-it.
Në vitin 2010–2012, nga projekti i MBU janë financuar 700–800 mijë fidanë në vit, që do të thotë se pas 3 vjetësh në territorin e vendit tonë janë të mbjella rreth 10 milionë rrënjë dhe jo 12 milionë dhe aq më pak 20 milionë, sepse 4 vjet na e lanë shëndetin. Si specialist bujqësie nuk po përbuz këtë iniciativë, por më çudit fakti i hartimit të një studimi të papërgjegjshëm dhe më pas deklaratat në hava të qeveritarëve. Aq e vërtetë është kjo, sa që abuzimet me fidanët e ullirit të ardhur nga jashtë vendit në dy vitet e para janë të natyrës spektakolare. Fidanët jo vetëm erdhën pa certifikatë origjine, por edhe deri nga vende afrikane, pa identitet varietal të kontrolluar, ndërsa u shitën tek fermerët jo pak, por 5 euro fidani. Edhe areali i shtrirjes së tyre dhe raportet në mes kultivarëve të vendit dhe të huaj rezultojnë të jenë bërë pa pikë përgjegjësie, duke këshilluar zgjerimin e mbjelljeve me kultivar spanjoll deri në zonën e Librazhdit. Vetëm këto dy parametra, vlerësuar në aspektin teknik e vendosin në kufij rreziku që në nisje “projektin”.
Sa për 50 milionët e Kryeministrit, dyshoj se kur flet, ai harron që Shqipëria është e vogël dhe për fatin tonë të keq, jo vetëm jemi vendi me sipërfaqe të tokës bujqësore më të ulët për frymë në rajon, por edhe areali i shtrirjes së ullirit është zona bregdetare deri në lartësi 600–700 metra mbi nivelin e detit dhe nuk mund të shkojë më tej as në Veri as në Lindje të vendit.
Së fundi, ringritja e ullishtarisë shqiptare është një detyrim madhor i përfshirë në projektin kombëtar për rilindjen e bujqësisë shqiptare dhe zhvillimin e integruar të të gjitha zonave rurale të vendit tonë. Ky projekt është hartuar me ndihmën e specialistëve më të mirë të vendit dhe asistimin e specialistëve të huaj. Drejtues të PS janë duke e ballafaquar atë me realitetin konkret të bujqësisë shqiptare. Në program janë trajtuar imtësisht të gjitha etapat që do të realizohen për të zgjidhur përfundimisht në mënyrë ligjore hallkat e zinxhirit prodhim – grumbullim – shitje.