“Të ulim tensionet nga qarqet ekstremiste”
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, pati dje një telefonatë nga ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Dimitris Avramopulos. MPJ-ja, në njoftimin për shtyp bën të ditur se “gjatë bisedës të dy bashkëbiseduesit konfirmuan vullnetin e qeverive të tyre për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe në interes të të dy vendeve. Ata diskutuan mbi axhendën konkrete të bashkëpunimit për realizimin sa më të shpejtë të takimit të përbashkët ndërministror për trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të janë në interes reciprok”. Me këtë rast, ministri Avramopulos konfirmoi me kënaqësi pranimin e ftesës së ministrit Panariti për të marrë pjesë në festimet për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në përfundim, të dy ministrat theksuan domosdoshmërinë e uljes së tensioneve të nxitura nga qarqet ekstremiste, të cilat bien ndesh me frymën e mirëkuptimit që ekziston mes dy popujve dhe qeverive. Ndërsa Ministria e Jashtme e Greqisë në njoftimin e publikuar në sitin zyrtar bën të ditur se “në bisedën e tyre, të dy ministrat riafirmuan vullnetin e përbashkët për zhvillimin e mëtejshëm dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, për të mirën e të dy popujve. Në këtë kontekst, z. Avramopulos informoi homologun e tij se ai do të vizitojë Shqipërinë, ku ai do të ketë mundësi për t’u takuar me z Panariti dhe udhëheqjen e vendit”. Telefonata e kryediplomatit shqiptar vjen në një kohë kur në pikën doganore të Kakavijës u kthyen mbrapsht 150 shtetas shqiptarë. Pala greke nuk i lejoi të kalojnë duke u vendosur shenjën e kryqit në pasaportë. B.HOTI