Kriza 


Kompania CEZ nuk tërhiqet, sot gjysma e vendit, pa ujë


ARD KOLA


duke mbushur ujeDuke filluar nga dita e sotme një pjesë e vendit nuk do të ketë furnizim me ujë të pijshëm për shkak se CEZ do t’i ndërpresë energjinë elektrike ndërmarrjeve të ujësjellësve. Pavarësisht deklaratave të ministrit të Energjetikës, se veprimi i CEZ është i paligjshëm dhe se nuk do të lejohet, sërish kompania do ta çojë deri në fund planin e saj.


Lista përmban 58 ndërmarrje të ujësjellësit, në rang vendi, nga veriu në jug, duke mos kursyer as qytetet e mëdha. Sipas kompanisë, shuma që i detyrohen CEZ Shpërndarjes kompanitë e ujësjellësit tashmë ka arritur lartësinë e 5.4 miliardë lekë (38 milionë euro). Këto kompani janë njoftuar herë pas here për borxhet e tyre ndaj CEZ Shpërndarje dhe afatet për pagesën e borxhit janë shtyrë disa herë, bën të ditur me tej shoqëria çeke. “Shoqërive nuk po u vjen për herë të parë ky njoftim. Janë paralajmëruar shumë herë, madje u janë paraqitur skema lehtësuese, por nuk kemi marrë asnjë reagim”, thotë burimi zyrtar i CEZ për “Shqip”.


Më tej, shoqëria thotë se nuk do të ketë tolerime. “Ujësjellësit janë ndërmarrje, që operojnë me plane biznesi. Ofrojnë furnizim me ujë, kundrejt pagesës, pra sigurojnë të ardhura, sikurse është edhe qëllimi i CEZ, shpërndan energji dhe për këtë duhet paguar. Ndaj, nuk duhet pse të bëhen dallime”, vijon sqarimin CEZ.


Kompania ka kryer edhe herë të tjera ndërprerje të energjisë elektrike, si rasti i fundit në Fier dhe Vlorë, duke i lënë dy qytetet kryesore me mbi 24 orë pa ujë të pijshëm.


“Kërkojmë të sqarojmë se CEZ Shpërndarje ka kryer takime të shumta me përfaqësues të kompanive të ujësjellësit dhe ka ofruar mundësi të ndryshme zgjidhjeje si skema lehtësuese për shlyerjen e debisë me këste dhe mundësinë e pagesës së pjesshme të debisë:, thotë CEZ.


Situata sa vjen dhe rëndohet. Ndërmarrjet e ujësjellësve menaxhohen nga bashkitë dhe performanca nuk është në nivelin e duhur. Të ardhurat janë të pakta dhe të pamjaftueshme për të përballuar faturat, sikurse është rasti i Elbasanit me borxh mbi 1 miliard lekë.


Për këtë situatë, Ministria e Financave thotë se nuk mund të ndërhyjë, pasi e kreu një operacion të tillë dy muaj më parë, duke u marrë bashkive dhe komunave 10 milionë euro nga buxhetet e tyre dhe ia kaloi CEZ-it, por me sa duket kjo nuk mjaftonte.


Sipas ministrisë, ujësjellësit kanë marrë nga buxheti i shtetit në katër vjet plot 600 milionë dollarë, por tashmë këto ndërmarrje menaxhohen nga pushteti lokal dhe qeveria qendrore nuk mund të veprojë. Shoqëria e shpërndarjes së energjisë elektrike, ka ofruar gjithashtu dhe anulimin e borxheve të kompanive të ujësjellësit përkundrejt borxhit që CEZ Shpërndarje i detyrohet KESH-it, “gjë që fatkeqësisht është refuzuar gjithashtu”, vijon sqarimi.


 


“Janë paralajmëruar shumë herë, u janë paraqitur skema lehtësuese, por nuk reagojnë”