ETJEN XHAFAJ
Dy ditë më parë, kompania çeke CEZ Shpërndarje ka bërë me dije për publikun se ajo do të ndërpresë energjinë elektrike për ndërmarrjet e ujësjellësve, duke i lënë de fakto shumicën e shqiptarëve pa ujë pas 16 nëntorit. Kompania ka bërë thirrje që qytetarët të mbushin çdo enë që disponojnë, pasi ujë nuk do të ketë. Kaq! Fjalët e tjera të deklaratës zor se përbëjnë interes publik. Përshkruajnë hallin që e ka zënë CEZ me ujësjellësit.
Ajo që mbetet në radhë të parë është përpjekja për të shkaktuar panik masiv, ashtu si në Elbasan, që qytetarët e dëshpëruar të kërkojnë me ngulm një zgjidhje. E sigurisht, duke qenë se CEZ është një kompani private, këto apele do t’i drejtohen shtetit, i cili do të detyrohet të gjejë një zgjidhje duke e paguar vetë borxhin apo duke marrë ndonjë nismë si falja e borxhit që CEZ ka ndaj KESH.
Si metodë negocimi kjo do të klasifikohej padyshim si “thikë në grykën e viktimës”. Si vepër shtrënguese e një kompanie, nuk ka shumë precedentë në botë. Por pikërisht në vendin tonë ka disa të tilla, pikërisht nga po kjo kompani, përballë pikërisht kësaj qeverie, e cila është detyruar të ulë çmimin e shitjes së energjisë nga KESH e pastaj të “harrojë” edhe planin e përmbushjes së investimeve të CEZ.
Aspekti ku vlen të ndalohet këtu është në fakt aspekti i kësaj nisme si një kërcënim publik dhe metodë shantazhi masiv të një vendi, me synimin për të detyruar qeverinë që të bëjë atë që do kompania.
Është parë në të shkuarën se kompania CEZ, e cila disponon një monopol në tregun ku operon, është e pozicionuar strategjikisht për të bërë presion ndaj shtetit duke kërcënuar me mungesa ndaj qytetarëve. Dhe është pastaj afërmendsh që si shumë të tjerë para saj edhe kjo kompani e ka kuptuar se kur shteti mungon ti mund të kërcënosh gjithfarëlloj veprash kundër tij. Deri tani kanë ecur. Është ulur çmimi me të cilin kompania e blen energjinë nga KESH, në kurriz të taksapaguesve, të cilët e subvencionojnë çmimin për CEZ me taksat e tyre, e në të njëjtën kohë paguajnë vetë dyfish faturat në fund të muajit. Ka ecur për investimet e papërmbushura në dy vite me radhë. Së fundmi, kompania ia ka ngarkuar sërish qeverisë dhe KESH importin e energjisë, megjithëse detyrë e saj, me pretekstin se i duhet të paguante një gjobë.
Thënë shkurt, CEZ ka kuptuar se në këtë vend shkon çdo gjë. E përfshirë tashmë në një betejë të hapur me shtetin, ku kërcënimi i mëparshëm ishte kolapsi energjetik, në të cilin do të degdisej vendi nëse CEZ tërhiqet, tani kërcënimi është shtyrë pak më tutje, me objektiv specifik e afat të menjëhershëm. Ndërsa shteti lufton kundër CEZ me gjobat, sikundër po lufton kundër biznesit në përgjithësi, CEZ hakmerret me kërcënimin e dëmit ndaj konsumatorëve. Pavarësisht se uji është një shërbim publik dhe një nevojë e domosdoshme. Nesër ndoshta do të mund të kërcënojë se do t’i presë dritat në të gjithë vendin nëse nuk i jepet falas energjia nga KESH. Po kjo nuk është thelbi i çështjes, megjithëse në çdo vend të zhvilluar kjo do të konsiderohej si një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare, për efektet që mund të ketë.
Thelbi i çështjes është pafuqia e një qeverie tërësisht të çoroditur në çdo hallkë të saj, për të përfaqësuar shtetin. CEZ e njeh qeverinë, ajo thjesht ka kuptuar si shumë të tjerë që në Shqipëri mund të ketë qeveri, por mungon shteti. Nëse një kompani në SHBA do të kërcënonte t’i linte amerikanët pa ujë, të nesërmen para dyerve nuk do të gjente konsumatorë të shqetësuar apo ndonjë zyrtar, por Gardën Kombëtare. Këtu te ne presioni funksionon, ashtu si edhe shantazhi. Kjo është arsyeja pse zyrtarët dalin për të qetësuar publikun, ndërsa Kryeministri sulmon sërish opozitën për ndonjë gjë.
Ndërkohë na është thënë: “Pasnesër nuk ka më ujë!” Ka diçka apolitike te kjo, tërësisht qesharake kur mendon se vjen nga një kompani private. Nëse kërcënimi zbatohet për vetëm tri ditë, sa të përgjunjet qeveria, efekti mbi ekonominë shqiptare do të ishte më shkatërrues se një luftë. Furra buke, spitale, shkolla, shtëpi, familjet në ekstremin e varfërisë, të gjithë pa ujë. Çfarë vjen më pas? Radhë të gjata për të blerë ujë, uji i ambalazhuar që mbaron, operacione shpëtimi nga Drini nëpër zonat e thella?!
Përtej këtij skenari, që nuk do të vërtetohet, është e qartë se kjo kompani ka kuptuar, si shumë të tjerë, se në Shqipëri gjithçka shkon. Ka kuptuar se një qeveri nuk përbën një shtet dhe se këtu interesat publike vijnë shpesh të fundit. Qeveria e Shqipërisë është e hallakatur dhe jo serioze. Ndaj CEZ ka vënë interesat e saj përpara, e sigurt se edhe këtë herë shteti shqiptar, kaq i ashpër me qytetarët e pambrojtur (që ai duhet t’i mbronte vetë) do të përgjunjet para saj. Dhe e keqja është se me sa duket ka të drejtë…