Mbyllet hetimi për pikturat e zhdukura nga Fondi i Galerisë së Arteve Figurative “Guri Madhi” në Korçë, Prokuroria akuzon dy persona për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Sipas prokurorisë së rrethit Vladimir Topi dhe Sotiraq Xega jane dy personat përgjegjës për zhdukjen e këtyre pikturave për të cilat pavarësisht hetimeve nuk ka asnjë detaj se ku mund të jenë.
Pas disa muaj hetimesh burime të rezervuara bëjnë me dije se pritet që së shpejti dosja t’i çohet gjykatës dhe deri në ditët e para të dhjetorit të nisë shqyrtimi i çështjes. Duket se organi i akuzës ka hetuar pa mundur të gjejë destinacionin e asnjë prej këtyre veprave të artit të cilat sipas të dhënave janë të vlerave të mëdha monetare.
Pas skandalit të vjedhjes së pikturave në Galerinë e Arteve “Guri Madhi” në Korçë gjykata e këtij qyteti ka dhënë masat e sigurisë për 2 prej të akuzuarve kryesorë. Trupi gjykues ka vendosur të lërë në arrest shtëpie drejtorin e qendrës kulturore, “Vangjush Mio”, Vladimir Topin si edhe ish përgjegjësin e galerisë shtetasin Sotiraq Xega, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

