Pak gjëra dihen mbi origjinën e këtij vallëzimi, edhe pse kohët e fundit ka hyrë shumë në modë falë bukurisë dhe sensualitetit të tij. Zbuloni gjithçka për kërcimin që bën për vete çdo njeri


Kemi dëgjuar të flitet pak për këtë “botë”, pavarësisht se vitet e fundit ka hyrë shumë në modë, në sajë të sharmit dhe sensualitetit që e karakterizon. Nuk dihet se kush e ka thënë i pari, por shpesh dëgjojmë se tangoja është një mendim i trishtuar, i shprehur në formë vallëzimi. Megjithatë duhet theksuar se tangoja është më shumë sesa një mendim: është një dukuri kulturore që kalon nga vallëzimi te muzika dhe që i ka rrënjët te shtresa më e varfër e shoqërisë.


Origjina e tangos


Misteri nis me etimologjinë e fjalës “tango”, së cilës nuk i dihet me saktësi domethënia. Kjo është edhe arsyeja që janë të shumta hipotezat që janë hedhur për origjinën e saj. Sipas disave, fjala tango rrjedh nga gjuha latine “tangere” që do të thotë prekje, në kuptimin e kontaktit të ngushtë fizik mes partnerëve. Teza të tjera flasin për lokale private – ato të tangos – ku emigrantët dhe njerëzit me ngjyrë zbarkonin në Argjentinë dhe shkonin për të festuar e vallëzuar. Sipas një hipoteze tjetër thuhet se fjala tango vjen nga ajo afrikane “tambo“, nga tamburja e sjellë prej skllevërve me ngjyrë në Amerikën e Jugut. Përgjithësisht është pranuar se tangoja ka lindur në ujërat e Rio de la Plata-s në fund të viteve 1800, kështu që ka një “vendlindje” të dyfishtë: Argjentinën dhe Uruguain.


Fillimisht tangoja ishte vetëm muzikë që shoqëronte vallen e emigrantëve dhe ish-skllevërve me ngjyrë në Buenos Aires në kërkim të fatit. Në atë kohë nuk ishte e çuditshme të shikoje dy burra që kërcenin bashkë. Natyrisht që bëhej fjalë për një kërcim krejt tjetër nga ai që njohim ne sot. Gratë emigrante ishin të pakta në numër dhe çiftet e përziera që kërcenin në publik konsideroheshin imoralë për shkak të aktit seksual që të rikujtonte vallëzimi.


Më vonë, tangoja u bë pjesë e bordellove dhe nisi të kërcehej në mënyrë provokuese, prandaj “identifikohej” me ambientet e prostitucionit. Por meqenëse lidhej me shtresën më të varfër të shoqërisë, nuk para pëlqehej dhe rekomandohej, deri sa dalëngadalë u bë kërcimi më i famshëm në botë. Edhe për përhapjen e tij në Europë janë hedhur hipoteza të ndryshme, por më e besueshmja flet për disa zotërinj të pasur, të cilët pasi kërcyen dhe festuan nëpër rrethinat e Buenos Airesit nën shoqërinë e balerinave jo fort të lavdërueshme, udhëtuan drejt Europës duke marrë me vete edhe tangon e tyre që e kishin mësuar nëpër bordello. Kërcimi pati sukses të madh në Paris, qyteti i hapur dhe kryeqendra e padiskutueshme e modës së re, për t’u përhapur pastaj me shpejtësi në pjesën tjetër të Europës.


Të kërcesh tangon


Për të mësuar tangon nuk duhet vetëm të ndjekësh ritmin apo të udhëhiqesh nga një partner ekspert, sepse bëhet fjalë për një vallëzim pa koreografi fikse. Shumica e vallëzimeve të tjera, vals, polka, etj., bazohen te një hap bazë që shoqërohet nga disa variante të ndryshme, ndërsa tangoja nuk ka figura të përsëritura, pikërisht sepse ky nuk është thjesht një kërcim… Tangoja shpreh gjuhën e shpirtit tonë, tangoja e vërtetë komunikon ndjenjat tona të brendshme.


Në shkollat e Buenos Aires mësuesit e tangos i caktojnë çdo nxënësi një gjendje të ndryshme shpirtërore dhe në fund të mësimit, partnereve u kërkohet ndjesia që provuan nga ana e partnerit me të cilin kërcyen. Nuk është e nevojshme të kesh një teknikë të përsosur për të kërcyer tango, ajo që ka vërtet vlerë është shprehja e balerinit. Pra e gjithë filozofia fshihet te shikimi.