Kreu i FRD: Do garojmë vetëm. Koalicionet pas zgjedhjeve
“Shoh një dëshirë të madhe për të dhunuar zgjedhjet e ardhshme. Ata kanë arritur të penetrojnë deri te vota ime gjatë kohës që isha President dhe kanë arritur ta deformojnë”
Ish-kreu i shtetit, kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, deklaroi se zgjedhjet e ardhshme në vend janë të rrezikuara, si pasojë e emërimit të militantëve në pozicionet kyçe që do të merren me administrimin e zgjedhjeve. Në një intervistë për Sokol Ballën në emisionin “Top Story” në “Top Channel”, kreu i FRD-së deklaroi se në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është vendosur një militante e PD-së dhe se Kodi Zgjedhor i linte mazhorancës në KQZ të drejtën për të ndërmarrë vendime. Sipas ish-presidentit, Kryeministri Berisha me të emëruarit e tij në krye të institucioneve, do të tentojë të deformojë votën e qytetarëve shqiptarë në qershorin e vitit 2013 dhe se garantët kryesorë të këtij procesi mund të ishin vetëm ndërkombëtarët. “Shoh një dëshirë të madhe për të dhunuar zgjedhjet e ardhshme. Ata kanë arritur të penetrojnë deri te vota ime gjatë kohës që isha President dhe kanë arritur ta deformojnë atë. Në krye të KQZ-së është një militante partiake, ashtu si ai që ishte më para”, deklaroi Topi, duke u shprehur pesimist për sa i përket atmosferës që po përgatitet për zgjedhjet. Por kreu i FRD-së theksoi se kjo parti do të futej e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të provuar veten dhe se për koalicionet e mundshme që do të krijonte do të shikonte situatën postzgjedhore. “FRD është një parti që ju e shikoni, qoftë nga programi dhe përbërja, është ndërtuar në mënyrë të tillë që të realizojë atë që në doktrinën politike të viteve të fundit, duke iu referuar bipolarizmit, nuk arriti ta bëjë ky sistem. FRD do të realizojë bllokun e qendrës, i domosdoshëm në politikën shqiptare. FRD do të futet e vetme në zgjedhjet politike të vitit 2013, ne nuk do të jemi një apendiks politik”, deklaroi kreu i FRD-së pa dashur të japë shumë detaje se në secilin nga kampet e politikës kjo parti do të drejtohej pas zgjedhjeve. Në lidhje me zhvillimet që pritet të zhvillohen në vend, Bamir Topi deklaroi se sipas të gjitha gjasave në krye të Prokurorisë së Përgjithshme do të vendosej një tjetër militant i pushtetit. “Në Shqipëri nuk ka asnjë garanci që pushtetet e pavarura të mos jenë pushtete politike”, deklaroi Topi. Ai gjithashtu e kritikoi mjaft ashpër kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, duke theksuar se ajo pretendon se është pronarja e Kuvendit dhe sillet në mënyrë të njëanshme dhe pa kulturë. Ai deklaroi se në datën 28 nëntor do të festonte në Vlorë dhe se ndihej shumë mirë me frymën e re patriotike që ishte krijuar në vend në këtë vigjilje të 100-vjetorit të Pavarësisë.
F.Mejdini
Opozita – Kreu i FRD-së, Bamir Topi, deklaroi se socialistët nuk po bënin opozitën e duhur brenda Parlamentit dhe duket të ishin më kritikë ndaj mazhorancës në pushtet
Funksionet – Topi theksoi se së shpejti do të mbahet një Kuvend i FRD-së, i cili do të vendosë drejtuesit legjitimë të kësaj partie, duke i quajtur aktualët të përkohshëm
Parlamenti – Organi i Kuvendit, sipas Topit, është kthyer në një vend ku diskutohen mediokritete. Sipas tij, sot më të qetë janë ata deputetë të cilët nuk flasin fare në Parlament
Ministrat – Ish-kreu i shtetit i konsideroi ministrat shqiptarë si injorantë, të cilët janë vetëm servilë të Kryeministrit. Topi theksoi se ata raportonin te Berisha edhe lëvizjet e tij kur ishte President