Ylli Zalla kërcënoi Anuar Rizik se do e vriste, nëse nuk hiqte dorë nga fabrika e çimentos
Bledi Gilaj
Pas gjashtë muajsh nga vrasja me eksploziv në Tiranë e drejtuesit teknik të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, palestinezit Anuar Rizik, është identifikuar personi që e kishte kërcënuar me mesazhe telefonike. Ai rezulton se është Ylli Zalla, i arrestuar në qershor të vitit 2011, pasi në shtëpinë e tij u zbulua një depo me eksploziv. Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën edhe disa celularë, që rezulton se janë përdorur për të dërguar SMS kërcënuese, ndaj të gjithë drejtuesve të fabrikës së çimentos, duke përfshirë edhe Anuar Rizik, i cili vdiq më 8 maj 2012, pas një shpërthimi tritoli në derën e banesës së marrë me qira prej tij, pas ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
SMS-të
Mesazhet kërcënuese ndaj tij janë zbuluar në dosjen hetimore në ngarkim të Ylli Zallës, i cili është gjykuar për eksplozivin dhe municionet e shumta që u gjetën në banesë, ku vihet re se ai ka kërcënuar të gjithë drejtuesit e fabrikës së çimentos, duke u shprehur se “ata do e paguajnë me kokë”. Madje, në mesazhet e tij, Zalla ka hedhur akuza edhe për policinë se ka marrë ryshfete nga drejtuesit e fabrikës.
Në dosjen hetimore thuhet se Artur Gaba, menaxheri i firmës FKCF (Fushë-Kruja Ciment Factory), më datë 22.04.2011, ka bërë kallëzim penal për disa mesazhe kërcënuese, që ai ka marrë në telefonin e tij. Pikërisht në atë datë, Gaba ka marrë dy mesazhe kërcënuese, ku firmës i lihet afat deri më 30 prill nga telefoni anonim, që është identifikuar kohë më vonë. Madje, në mesazhin e dytë që është dërguar në drejtim të numrin të Artur Gabës, kërcënuesi deklaron se duhet të kenë kujdes, pasi do të paguajnë me kokë nëse nuk shkëputen nga fabrika.
Ndërkohë, ajo që bie në sy në dosjen hetimore janë disa mesazhe të reja, që nuk janë publikuar më parë, ku është kërcënuar me jetë edhe Anuar Rizik, i cili u vra një vit pas dërgimit të tyre. Këto mesazhe janë dërguar po në telefonin e menaxherit Artur Gaba, por nga një numër tjetër nga dy mesazhet e para të datës 22 prill 2011. Sipas të dhënave, janë katër mesazhe të tilla dhe janë dërguar më 5 maj 2011, ndërkohë që Anuar Rizik u vra më 8 maj të një viti më vonë.
Pikërisht në mesazhin e fundit të dërguar atë natë, në orën 22:14, nga numri 0686315971 është dërguar teksti, ku kërcënohen me jetë aksionerët dhe drejtori teknik i fabrikës, Anuar. Në atë mesazh, deklarohet se do të ketë hakmarrje për mashtrimin që i është bërë fshatit Zallë për pronat e tyre. Në tekst thuhet se ata nuk tallen dhe se do e paguajnë me kokë Çarli Bouri, Xhorxh Xheha, Anuar Rizik, Artur Gaba dhe Shadi. Sipas dërguesit, loja kishte filluar dhe do të kishte sulme ndaj tyre. Ndërkaq, në një mesazh tjetër, të dërguar para kërcënimit për drejtuesit, dërguesi kërcënon edhe policinë, po në telefonin e Artur Gabës. Ndër të tjera, në mesazh shkruhet se policia ka marrë ryshfet dhe ka gënjyer banorët që të shpërngulen, me qëllim që të lënë firmën të punojë e qetë.
Zbulimi i kërcënuesit
Fillimisht, këto mesazhe përmbanin vetëm dy numra telefoni, që kompanitë celulare nuk mund t’i identifikonin se kujt i përkisnin, pavarësisht se policia kishte dyshime se ishin dërguar nga anëtarët e fisit Zalla, që ka pasur konflikte të vazhdueshme me fabrikën e çimentos. Por, zbulimi i kërcënuesit erdhi shumë kohë më vonë, kur ai u arrestua për arsenalin me armë dhe lëndë plasëse që iu gjetën në shtëpi. Sipas të dhënave, në momentin e arrestimit të Ylli Zallës, atij i janë sekuestruar gjashtë celularë. Policia ka bërë këqyrjen e telefonave të bllokuar dhe janë kërkuar të dhënat nga kompanitë celulare. Nga këqyrja e tabulateve telefonike rezulton se numri telefonik kërcënues 0686315971 është përdorur nga celulari me numër IMEI 355955040339060. Ky aparat është përdorur edhe nga numrat e tjerë, të cilët janë të regjistruar në emër të Ylli Zallës, dhe se imei 356794029480780 është përdorur vetëm nga numri telefonik 068631597. Pra, kjo vërteton se numri që ka dërguar mesazhe kërcënuese edhe për palestinezin Anuar Rizik është përdorur nga Ylli Zalla, i cili e ka mbajtur në dy celularë, që i janë bllokuar në momentin e arrestimit.
Mesazhet
Më datë 22.04.2011, në orën 20:51, nga numri 0694597257 është dërguar mesazhi me tekst:
“zotri qarli ke afat deri me dat 30 prill, eshte afati fundit për ju kjo është hakmarrje per drejsi ti mos e zbato mas dates 30 shikojm ti”
Më datë 22.04.2011, në orën 20:57, nga numri 0694597257 është dërguar mesazhi me tekst:
“ju keni kitjdes se do e paguni me kok shkeputeni nga fabrika mardheniet hakmarrje per drejtsi loja filloj deri me 30 do shikojm”
Më datë 05.05.2011, në orën 21.46, nga numri 0686315971 është dërguar mesazhi me tekst:
“hakmarje per drejtesi, ju jeni shenjestra Carli, do te shikojm se kush do te behet kurban hakmarrje per drejtesi”
Më datë 05.05.2011, në orën 22.03, nga numri 0686315971 është dërguar mesazhi me tekst:
“Ti marresh miljarda koken do lesh por familjen tona nuk e pranon fshati Zalla hakmarrje per drejtesi”
Më datë 05.05.2011, në orën 22.05, nga numri 0686315971 është dërguar mesazhi me tekst:
“Ju policia mos merrni rryshfete, keni afat carli do e paguej me kok. Ju policija matuni mir se na genjyet per shpergulje. hakmarje per drejei, do e shohim hakmarrje Xhorxh”
Më datë 05.05.2011, në orën 22.14, nga numri 0686315971 është dërguar mesazhi me tekst:
“hakmarrje per mashtrimin qe na keni bere fshatit Zalla dhe pronat tona. Nuk tallemi do e pagueni me koke Carl., Xhorxh, Anuar, Shadi, Tur Gabo, me jete do e shohim hakmarrje per drejtsi loja ka filluar, hakmarrje per drejtesi e Carli”
Atentati
Rizik u vra kur dilte nga shtëpia
Anuar Rizik, 43 vjeç, mbeti i vrarë mëngjesin e së martës së 8 majit të këtij viti, kur pranë derës së jashtme të oborrit të shtëpisë së tij shpërtheu një sasi eksplozivi e ngjashme me një bombë artizanale. Shpërthimi ndodhi rreth orës 07:00, kur Rizik sapo kishte dalë për të hapur portën e shtëpisë së tij, kur shpërtheu bomba e prodhuar artizanalisht, e cila ishte vendosur në anën e jashtme të portës së hekurit. Rizik kishte dalë nga shtëpia, bashkë me të shoqen dhe djalin dyvjeçar, por ata ishin kthyer. E shoqja mësohet se ishte kthyer për të marrë një çantë që kombinohej me rrobat që kishte veshur, ndërsa i biri ishte kthyer për të marrë një kamion lodër me të cilin luante. Pikërisht ndërsa e shoqja dhe i biri ishin kthyer në shtëpi, Rizik tentoi të hapte portën e hekurt, të vendosur në anën veriore të oborrit të shtëpisë. Në këtë kohë bomba shpërtheu, duke e plagosur rëndë palestinezin. Ai ndërroi jetë afërsisht gjysmë ore më vonë nga shpërthimi. Deri më sot nuk ka asnjë të arrestuar për vrasjen e tij.