Qeveria nderon Mbretin Zog, socialistët përkujtojnë çlirimin


Eshtrat e Ahmet ZogutVendosja e ceremonisë së rivarrosjes së eshtrave të Mbretit Zog, Ditën e Çlirimit të Tiranës do ta kthejë ditën e sotme në një kremtim të ndarë mes politikës shqiptare. Ndërsa pjesa zyrtare do të ndjekë programin në homazhet për Mbretin dhe inaugurimin e mauzoleut mbretëror, opozita do të kremtojë Ditën e Çlirimit të Tiranës. Partia Socialiste ka programuar dy aktivitete sot, njërin në sheshin që ndodhet fare pranë selisë së Partisë Demokratike dhe tjetrin në Hotel Tirana në sheshin “Skënderbej”. Konkretisht në orën 10:00, përkrahësit e Partisë Socialiste do të zhvillojnë homazhe zyrtare në monumentin e “Partizanit të Panjohur” në Tiranë, ndërsa në orën 12.00 do të zhvillohet një simpozium me historianë për të evoluar rëndësinë e çlirimit të kryeqytetit. Në fakt, ky aktivitet nuk do të drejtohet nga krerët e lartë të selisë rozë, pasi programi është hartuar dhe organizuar nga dega e Tiranës, përkatësisht kreu i PS-së për kryeqytetin, Sajmir Tahiri. Në një prononcim për “Shqip”, Tahiri theksoi se “është një program për të nderuar fitimtarët dhe heronjtë”. Ndryshe nga vitet e tjera nuk do të jetë kreu Edi Rama që do të udhëheqë ceremoninë. Lideri i opozitës ka zgjedhur të marrë pjesë në qytetin e Korçës, ku bashkë me ish-kryeministrin Pandeli Majko do të prezantojë programin e socialistëve për arsimin. Ky devijim i protokolleve në kryeqytet, duket se ka si qëllim të mos e politizojë në nivel maksimal ceremoninë e homazheve për Mbretin Zog. Vetë Rama është përgjigjur shkurt vetëm me “Jo” në lidhje me pjesëmarrjen e programit të nderimit të Ahmet Zogut. Por çlirimi i Tiranës do të kremtohet edhe nga bashkia e kryeqytetit, ku kryetari Lulzim Basha dhe nënkryetari Petrit Vasili do të jenë sot në orën 11:00 për të bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në kryeqytet. Lëvizja Socialiste për Integrim, si parti e majtë, nuk ka një program specifik në lidhje me çlirimin e Tiranës, por burime nga LSI-ja theksuan se programi kryesor në nderim të Luftës Nacional Çlirimtare do të jetë ai i 29 Nëntorit


Mbreti


Sot do të zhvillohen dhe dy ceremoni në nderim të Mbretit Zog, eshtrat e të cilit u sollën dje nga Parisi, ku monarku shqiptar vdiq në ekzil në vitin 1961. Ceremonitë e nderimit të Ahmet Zogut bëhen në kuadër të 100-vjetorit ku qeveria synon të ridimensionojë jo vetëm figurën e mbretit, por edhe respektimin e një të drejte normale humane të varrosjes në atdhe dhe nderimin e kreut të shtetit shqiptar në një periudhë kur ai u konsolidua dhe modernizua falë vizionit të politikanit energjik Ahmet Zogu. Sot është parashikuar të zhvillohet ceremonia e homazheve për mbretin dhe inaugurimi i mauzoleut të familjes mbretërore, ku do të varrosen jo vetëm Mbreti Zog, por edhe Mbretëresha Geraldinë dhe Nëna Mbretëreshë. Dje kanë mbërritur në atdhe eshtrat e Ahmet Zogut që u pritën në Rinas nga përfaqësues të familjes mbretërore dhe anëtarë të kabinetit qeveritar. Mbreti Zog, i cili ndërroi jetë në vitin 1961, në moshën 65-vjeçare në Francë, do të rivarroset në atdhe pas një vendimi të qeverisë në kuadër të përvjetorit të njëqindtë të Pavarësisë. Homazhet do të zhvillohen në Pallatin e Brigadave (ish-Pallati Mbretëror) ndërsa rivarrimi në mauzoleun e familjes mbretërore. Nderimi për mbretin përbën një veprim normal për një shtet që vlerëson historinë e tij, por caktimi në një ditë të shënuar për Tiranën siç është çlirimi nga nazistët, duket se ka krijuar përplasje dhe dyzim të panevojshëm çon në politizim.


 


Çlirimi – Në orën 10:00, përkrahësit e Partisë Socialiste do të zhvillojnë homazhe zyrtare në monumentin e “Partizanit të Panjohur” në Tiranë, ndërsa në orën 12:00 do të zhvillohet një simpozium me historianë për të evoluar rëndësinë e çlirimit të kryeqytetit


Mbreti – Sot është parashikuar të zhvillohet ceremonia e homazheve për mbretin dhe inaugurimi i mauzoleut të familjes mbretërore, ku do të varrosen jo vetëm Mbreti Zog, por edhe Mbretëresha Geraldinë dhe Nëna Mbretëreshë