Eshtrat e Ahmet Zogut tanimë prehen në Shqipëri. Pas zhvillimit të homazheve në Pallatin e Brigadave, u mbajt ceremonia për rivarrosjen në Mauzoleumin e familjes Mbretërorë. Në fjalën e tij Presidenti i Republikës Bujar Nishani e vlerësoi një detyrim moral prehjen e eshtrave të Mbretit Zog I. “Historinë mund ta harrosh, deformosh, por edhe kjo është afatshkurtër dhe për të keqen e atij që e beson. Mund të duket se me historinë mund të bësh ç’të duash, por nuk është ashtu, se nuk të lë historia ty ta shpërfillësh, pa të ndëshkuar për gabimet dhe pa të shpërblyer për të mirat”- ka thënë Nishani gjatë fjalës së tij. Më tej Presidenti kërkoi rishikimin e historisë, në mënyrë që të vlerësohen figurat historike pa ngjyrime politike.”Sot në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë, është gjest fisnik, detyrim moral dhe patriotik që eshtrat të prehen në vendin të cilit ai i kushtoi vitet më të mira të jetës, në vendin ku pati edhe kundërshtarë por ku kujtesa e popullit do ta mbante gjallë emrin e tij. Historia e vendit tonë nuk është boshe. Kthimi i eshtrave është dukej e një shteti që të ardhshmen e ndërton duke marrë më të mirën e mundshme nga e shkuara dhe e sotmja”- tha ai.
Ndërsa Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga duke vlerësuar kontributin e Ahmet Zogut në konsolidimin e shtetit shqiptar, tha se kthimi i eshtrave të tij në atdhe simbolizon drejtësinë hyjnore dhe paqen politike. “Zogu dhe gjithë populli i pritën me gjithë zemër kosovarët e përzënë nga vendi i tyre, respektoi tolerancën fetare. Eshtrat e patriotëve nuk i tret dheu i huaj dhe guri i rëndë peshon në vendin e vet” tha Jahjaga.
Ne ceremoni ishin të pranishëm edhe kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, kryeparlamentarja Topalli, anëtarë të kabinetit qeveritar. Ceremonia e vendosjes së eshtrave në banesën e fundit u shoqërua me të shtëna topi.
Ahmet Zogu lindi në 8 tetor të vitit 1895. Ai mbajti dy herë postin e kryeministrit fillimisht nga 26 dhjetori i vitit 1922 deri në 25 shkurt të 1924 dhe për periudhën e shkurtër nga 6 janari deri në 31 janar të 1925. Pas 31 janarit, me vendosjen e republikës, veç postit të kryeministrit, Zogu mbante edhe atë të presidentit. Në vitin 1928 Zogu shpalli veten mbret dhe qëndroi në pushtet deri në 7 prillin e 1939-ës, kur u largua nga Shqipëria pas pushtimit italian.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore jetoi në Angli me shpresën e rikthimit në pushtet pas çlirimit. Monarkia u shfuqizua në vitin 1946 me ardhjen në pushtet të komunistëve. Megjithatë, Zogu vazhdonte të pretendonte fronin mbretëror dhe me vdekjen e tij në vitin 1961, mbret i shqiptarëve u shpall Leka Zogu I.
17 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)