Sipas tij, pozicioni në renditje i imponon Kukësit të kërkojë maksimumin në çdo fushë
Altin Manallari
Kombëtarja e De Biazit e ka mbyllur ciklin njëvjeçar dhe tashmë me një rezultat pozitiv, por ajo që la më shumë përshtypje ishte loja e premtuese e kuqezinjve. E tashmë shqiptarët e pasionuar pas futbollit do të duhet të rikthejnë sytë nga kampionati shqiptar i futbollit, i cili do të na furnizojë ende me emocione. Dhe këtë do ta bëjë që sot me tri nga ndeshjet e javës së 11-të të Kategorisë Superiore, ku vëmendjen kryesore do ta rrëmbejë përballja që do të zhvillohet në qytetin e Vlorës mes Flamurtarit dhe Kukësit. Kuqezinjtë vlonjatë e konsiderojnë këtë sfidë si një mundësi të artë për të marrë tri pikë, të cilat do t’ju shërbenin për të demonstruar se janë në rrugë të mbarë dhe se e kanë lënë tashmë pas krizën. Duhet kujtuar se skuadra e trajnerit Rubio ka një ndeshje të prapambetur, atë me Skënderbeun në Korçë, e cila u shty për në datën 21 nëntor, për shkak të humbjes tragjike të jetës së gjyqtarit Rigers Pjetrushi të dielën e kaluar. Në 9 javët e para Flamurtari ka koleksionuar 3 fitore, 3 barazime dhe 3 humbje, të cilat e vendosin vetëm në vendin e 9-të me 12 pikë. Shumë pak për një skuadër, e cila konsiderohet më pasura për sa i përket investimeve në këtë sezon, por që ende nuk janë pasqyruar në tabelën e rezultateve. Madje të shumtë janë ata që janë zhgënjyer për performancën e deritanishme të kuqezinjve. Sot do të vihen përballë një skuadre debutuese, por që nëse do themi vetëm kaq, nuk do ishte e plotë. Kukësi momentalisht është ekipi i vetëm, që së bashku me Skënderbeun nuk ka provuar ende shijen e humbjes në këta 10 javët e para. Ndërkohë që për momentin verilindorët pozicionohen të dytët me 18 pikë dhe janë konfirmuar si surpriza e këtij sezoni. Trajneri i tyre, Armand Cungu, do të ketë në dispozicion të gjithë skuadrën për sfidën e sotme në Vlorë, ku ai theksonte do të kërkojë maksimumin. “Sigurisht që ndaj Flamurtarit në Vlorë do të kërkojmë maksimumin, u shpreh dje Cungu. Ky është një objektiv, të cilin na e detyron vetë pozicioni aktual ku ne renditemi aktualisht. Tani është momenti që të demonstrojmë që nuk jemi në elitë vetëm për shpëtuar nga rënia një kategori më poshtë”.
Superiore (Java XI)
SOT
14.00 Tomori-Luftëtari
17.00 Teuta-Bylis
17.00 Flamurtari-Kukësi
NESËR
14.00 Shkumbini-Laçi
14.00 Tirana-Apolonia
14.00 Kastrioti-Skënderbeu
17.00 Besa-Vllaznia