PD-PS


Ndërkohë që mes PD-së dhe PS-së kanë vazhduar kontaktet për të zgjidhur ngërçin e krijuar nga 3 ligjet e integrimit, liderët përkatës Berisha dhe Rama, e kanë larguar sërish mundësinë e një konsensusi të afërt për çështjen që është kthyer në strumbullarin verbal të replikave politike. Siç mësohet, palët kanë kontaktuar mes njëri-tjetrit dhe pritet që të hënën të mund të zhvillohet një takim, por që më pas duket se është anuluar. Kryetari i PS-së, Edi Rama, e ka ftuar sërish, Kryeministrin Sali Berisha në një tryezë për të zgjidhur çështjen e Fierit dhe të ligjeve me 3 të pestat, por Berisha i ka kthyer përgjigje të qartë se takim duhet të ketë vetëm për 3 ligjet.


Rama


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ribën publikisht apel kryetarit të Partisë Demokratike dhe gjithë kryetarëve të partive parlamentare, për zgjidhjen demokratike të problemit të Qarkut Fier dhe votimin e menjëhershëm të tre akteve të përcaktuara nga Komisioni Europian si të nevojshme”. Kështu thuhet në një njoftim të Partisë Socialiste, ku theksohet se Rama ka deklaruar sërish se është e nevojshme të mblidhet sa më shpejt një tryezë e partive parlamentare. “Kush e dëshiron vërtet statusin e kandidatit për Shqipërinë ka detyrimin të bëjë çdo përpjekje sot duke provuar se Shqipëria jo vetëm i miraton, por dhe i zbaton ligjet. Kryetari i opozitës është i gatshëm të përmbushë detyrimin e opozitës dhe Kryeministri nuk duhet t’i shmanget kurrsesi përmbushjes së detyrimit të qeverisë. Zgjidhja s’mund të vijë nga qëndrimet refraktare dhe as mund të gjendet jashtë ballafaqimit të hapur në tryezë mes forcave politike”, thuhet në njoftim. Kreu i PS-së ka deklaruar se edhe pse shtete të rëndësishme anëtare të BE-së i konsiderojnë të pamjaftueshme këto tre akte për të miratuar statusin pikërisht sepse është zbatimi i ligjeve dhe jo thjesht ligjvënia ajo çka kërkohet me të drejtë prej Shqipërisë, palët duhet të bëjnë të pamundurën deri në orën e fundit. Kryetari i Partisë Socialiste është gati të ballafaqojë pikëpamjet e veta në një tryezë me qeverinë ku duhet të dalë edhe zgjidhja e dëshiruar për Shqipërinë në këtë moment të rëndësishëm”, përfundon njoftimi.


Berisha


Kryeministri Sali Berisha, nga Elbasani ka bërë të ditur se nuk do të ketë tryezë për Fierin. Berisha, i ka bërë edhe njëherë thirrje Kryetarit të Partisë Socialiste që të votojnë ligjet në mënyrë që të mos bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas kreut të qeverisë, Edi Rama, ka mbi 3 muaj që mban peng Parlamentin duke mos miratuar 3 ligjet. Duke iu rikthyer kronologjikisht qëndrimeve të tij gjatë viteve të fundit Berisha kujtoi se “në kohën kur shqiptarët morën ftesën për në NATO të nesërmen ai organizoi mitingun më të turpshëm me portrete komuniste. Edhe në heqjen e vizave, me kutinë nën sqetull ai kërkonte si personazhet e Gogolit hapjen e kutive. Pasi braktisi Parlamentin për 2 vite radhazi nëntorin e kaluar u rikthye dhe miratoi pikë për pikë ato që kishte mohuar”.


B.Nergjoni


Y.Pata


 


Arvizu: Mësoni që të qeverisni e komunikoni


SHBA – Deklarata


Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, gjatë një prononcimi nga Panairi i Librit, ka deklaruar dje se nuk ka asnjë apel për miratimin e tre ligjeve të bllokuara në Parlament, që kërkojnë edhe votën e opozitës. Ai ka thënë se politikanët shqiptarë duhet të lexojnë librat si të qeverisin dhe komunikojnë, duke shigjetuar kështu mazhorancën. “Nuk kam apel për votimin e ligjeve me 3/5. Nëse doni të mësoni se si qeveriset, si luftohet korrupsioni merrni librat që kemi prezantuar në Panairin e Librit. Nëse doni të mësoni se si përmirësohet komunikimi merrni këta libra”, ka theksuar Arvizu. Ndërkohë, kreu i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, theksoi se “Është zhgënjyese ajo që ndodhi në Parlament, por ka ende kohë që këto ligje të miratohen. Ajo që tashmë kemi në tryezë është për të tashmen dhe të ardhmen”.


Elbasan


 


BE


Sequi: Duhet dialog dhe jo dy monologë


Ambasadori i BE mendoi të theksonte fjalën dialog në komentin e tij një ditë pasi Parlamenti nuk miratoi tri ligjet dhe palët nuk arritën një marrëveshje. Ettore Sequi theksoi se rruga e vetme e Shqipërisë është ajo drejt Brukselit, ajo drejt BE. Ai Mendoj se kemi të bëjmë vetëm me një gjë është rruga e dialogut. Një rrugë në vetvete do të thotë dialog. Dialogu nuk do të thotë të bëhen dy biseda të ndryshme apo dy monologë, por dy biseda të ndryshme. Sot fola për rrugën “Egnatia” ku nënkuptohet se rruga e vetme është dialogu në rrugën e reformave dhe rrugën e shtetit të së drejtës.


Siç e dimë, takimi i KE do të bëhet në Bruksel në dhjetor dhe ju e dini sesa i përket statusit kandidat dhe Shqipëria duhet të miratojë këto tre ligje dhe kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.


B.N