Botimi 


Ylli Polovina


Prej dy dekadash në emigrim, Gëzim Hajdari, e kreu edhe një herë tjetër gjestin e dashurisë së sinqertë për atdheun e tij. Ngaqë nuk është i dukshëm, për shembull flamur varur mbi ballkon apo në sheshin “Skënderbeu”, ai mund të kalojë pa u respektuar posaçërisht. Në këtë dëshirë për t’i dhënë ngjarjes spikatje, nuk bëhet kërkesë për ndonjë ceremonialitet zyrtar. Arti i vërtetë më shpesh është i privuar nga drita e fishekzjarrëve të tilla, siç edhe shkenca e dituria, sigurisht. Ajo që bashkëkombësi ynë me emrin e mirë të një të talentuari që tashmë i ka kapërcyer kufijtë e Italisë dhe po përparon përditë e më shumë në brendësi të kontinentit, në pamje të parë është një libër. Dhe duke qenë se këto ditë në Tiranë po mbahet Panairi, festa dhe kuvendi i tyre i përvitshëm, ka të ngjarë që vepra e fundit e Gëzim Hajdarit, “I canti dei nizam” (“Këngët e nizamëve”), të klasifikohet si njëri prej disa qindrave që mbushin me tituj dhe tema tërheqëse stendat. Mirëpo, pa i ngrënë hakun asnjë tjetër të njëllojti botim dhe duke u uruar të gjithëve sukses, ky nuk është i tillë. Në dy gjuhë dhe 209 faqe, prirë nga autori prej një analize profesionisti, libri ka bërë që tek lexuesi italian dhe nëpërmjet tij, tek ai perëndimor, të shkojnë në formën më të denjë 90 këngë shqiptare nizamësh. Janë nëntëdhjetë perla të artit gojor të popullit tonë. Përfaqësojnë po ashtu edhe një pjesë shumë të vyer të kujtesës sonë etnike. Të nëntëdhjeta rendën drejt Europës pa ndonjë marrëveshje reciproke ministrish apo fonde shtetërore të vëna në dispozicion. Sepse më e pakta kështu duhej të ngjante, përderisa lënda e “I canti dei nizam” është pjesë e thesarit tonë kombëtar. Megjithatë në këtë vepër të bukur dhe me rëndësi strategjike për njohjen e kulturës sonë në botë, përkushtoi pasion e nivel akademik Gëzim Hajdari dhe investoi me dashurinë e tij të njohur për Shqipërinë, botuesi italian Livio Muçi. Pak muaj më vonë, me këta dy misionarë do të dalë nga shtypi, sërish dygjuhësh, libri për këngët e kurbetit. Më vonë për ato të lirikës. Bashkë me “I canti dei nizam”, që të tria botimet e mençura dhe plot ndjenjë fine, do të rendin nëpër Europë, duke u thënë bashkëkontinentësve “Shihni çfarë populli shpirtbukur po pranoni në familjen tuaj!” Duhet të jesh zemërmadh të mposhtësh te vetja ambiciet e natyrshme për vepra artistike me ngjarje të bujshme të këtyre ditëve, të lësh mënjanë krijime personazhesh, ku mund të përshkruash të dashurit e tu apo edhe vetveten. Gëzim Hajdari vuri personazh popullin e tij.