Të hash shumë çokollata mund të bëjë që në të ardhmen të fitosh një çmim “Nobel”, të paktën kështu sugjeron një studim i fundit. Në vendet ku konsumohet shumë çokollatë duket se jeton numri më i madh i personave që kanë fituar një çmim “Nobel”
Mund të fitosh çmimin “Nobel” në të ardhmen
Të hash shumë çokollata mund të bëjë që në të ardhmen të fitosh një çmim “Nobel”, të paktën kështu sugjeron një studim i fundit. Në vendet ku konsumohet shumë çokollatë duket se jeton numri më i madh i personave që kanë fituar një çmim “Nobel”. Me pak fjalë të hash çokollatë të bën mirë për trurin. Shkencëtarët e besojnë plotësisht këtë, madje japin edhe shpjegimet e tyre. Me të vërtetë që nuk bëhet fjalë për një thashethem të dëgjuar në bare, por për një studim prestigjioz të publikuar në “New England Journal of Medicine” që sugjeron se si konsumi i çokollatës është i lidhur me çmimet “Nobel”, që kanë më pak se dy muaj që janë shpërndarë. Pra të hash çokollatë i bën shumë mirë trurit duke e fuqizuar atë, thonë shkencëtarët. Ata kanë arritur në këtë përfundim duke bërë një analizë të detajuar të tipit: në vendet ku konsumohet më shumë çokollatë ka më shumë persona që në rrjedhën e kohës kanë fituar çmime “Nobel”. Autori kryesor, doktor Franz Messerli, i “San Luke’s-Roosevelt Hospital” dhe “Columbia University” në Nju Jork, raporton se ekzistojnë provat evidente se flavoniodet që gjenden te çokollata fondente, por edhe te çaji jeshil dhe vera e kuqe mund të jenë një ndihmë e madhe për të ngadalësuar dhe parandaluar degradimin mendor të lidhur me moshën. Për të kuptuar se konsumi i çokollatës është i lidhur me mirëfunksionimin e trurit, shkencëtari bëri një studim për konsumin për person në 23 vende të botës. Të dhënat e mbledhura nga raportet për shitjet, u krahasuan më pas me numrin e çmimeve “Nobel” që u janë dorëzuar qytetarëve të vendeve që u bënë pjesë e studimit. Sipas doktor Messerli-t, lidhja është me të vërtetë e madhe. Po cili është klasifikimi i vendeve ku konsumohet më shumë çokollatë dhe që ka numrin më të madh të fituesve të “Nobel”-it?
E dimë që shumë përgjigjen e kanë gati dhe në vend të parë qëndron pikërisht Zvicra, e ndjekur nga Suedia. Pas kësaj vende të tjera nordike si Danimarka, Austria dhe Norvegjia. Pak më poshtë gjejmë Mbretërinë e Bashkuar, të ndjekur hap pas hapi nga Gjermania, Irlanda, Holanda, SHBA-ja dhe Franca. Italia renditet nga fundi bashkë me Australinë, Spanjën, Kinën dhe Brazilin. Këta të dy janë edhe të fundit në klasifikim. “Studimi kërkon që të nxjerrë në pah fuqinë e madhe të çokollatës. Lidhjen e konsumit të saj për person me numrin e çmimeve “Nobel” të fituara nga vende të ndryshme”, tregon studiuesi.
Çokollata na bën më inteligjentë apo motivi është ndonjë tjetër? Kësaj pyetjeje i përgjigjet gjithmonë Messerli, i cili mbështet se është e mundur që “çokollata nuk i bën njerëzit inteligjentë, por janë personat inteligjentë që kanë më shumë mundësi për të fituar “Nobel” më të ndërgjegjshëm për efektet pozitive të çokollatës, dhe kështu kanë mundësi më të mëdha për ta konsumuar”. Kërkuesi në bazë të të dhënave të mbledhura ka llogaritur edhe atë që duhet të jetë doza e duhur e konsumit të çokollatës që i bën mirë trurit. Me pak fjalë, rreth 400 gramë në vit. Në fund, studiuesi përfundon që “konsumi i çokollatës përmirëson funksionet cerebrale deri në atë farë pike sa i bën njerëzit të aftë të fitojnë edhe çmime prestigjioze”. Nëse rezultatet e këtij studimi janë të vërteta, atëherë kemi një mijë arsye për të konsumuar çokollatën, sidomos atë fondente.