Nëntë gabimet e shoqërisë çeke, e cila luan shansin e fundit të mërkurën për “rinovimin”
ARD KOLA
Me katër vota pro dhe një kundër, Bordi i Komisionerëve të ERE-s nisi dje procedurat për t’i hequr licencën CEZ, pasi konstaton se shoqëria ka shkelur ligjet dhe detyrimet kontraktuale, të paktën në 9 pika. Vendimi final për heqjen do të merret brenda 60 ditëve, nga data e nisjes së procedurave, kurse shoqërisë i janë lënë 30 ditë afat për të apeluar. Sakaq, gazeta “Shqip” mëson se shoqëria po përgatit shansin e fundit, duke i kërkuar ERE-s të shqyrtojë kërkesën për “rinovimin e licencës”, vendim që pritet të merret të mërkurën e ardhshme.
Tashmë, me këtë procedurë, qeveria hedh hapin e sigurt për të marrë kontrollin e shoqërisë, CEZ Shpërndarje, ku zotëron 24 për qind të aksioneve, kurse pjesa tjetër menaxhohet nga çekët, të blerë në 2009 për 102 milionë euro.
Po cilat do të jenë hapat e mëvonshëm deri në shtetëzimin e kompanisë dhe më pas kalimin te një operator tjetër privat. “Pas heqjes së licencës, do të vendoset një administrator i përkohshëm, nën komandën e shtetit, deri në sqarimin e çështjes së aksioneve. Kjo e fundit është detyrë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, se si do ta trajtojë rastin e aksioneve”, thotë për gazetën “Shqip” Enti Rregullator i Energjisë.
Duket se detyrën më të vështirë do ta ketë qeveria, d.m.th, ministria, e cila do të realizojë kalimin e aksioneve nga shoqëria çeke, te shteti, duke i blerë me çmim simbolik, apo duke përdorur mekanizmin e “kompensimit”, duke qenë se ka shpenzuar mbi 100 milionë euro për të importuar energji elektrike, detyrë që i takonte CEZ, aksioneri kryesor i CEZ Shpërndarje.
Sipas vendimit të marrë dje, janë 9 çështje të trajtuara nga ERE, që kanë shërbyer për nisjen e procedurave. “Gabimet” kanë të bëjnë me mungesën e investimeve, nivelin e lartë të humbjeve, detyrimet e papaguara ndaj KESH-it dhe OST-së, mungesën e importeve, vijimin e faturimit aforfe, kufizimet kolektive, e deri te mungesa e korrektësisë për raportimin e të dhënave në datën e caktuar.
Kompania i ka KESH-it rreth 11 miliardë lekë detyrime, si dhe OST, duke shkaktuar një rrjet zinxhir borxhesh. Gjithashtu, kompania i ka shkruar disa herë ERE, si dhe qeverisë, për situatën financiare. Letra e fundit, më 1 tetor, duket se shpalli zyrtarisht “luftën”, pasi CEZ pranonte se nuk kishte para për të importuar, duke ia kërkuar KESH-it ta kryente këtë funksion. Qeveria përdori paratë e buxhetit, me vleftë 7 miliardë lekë për të importuar energji elektrike, ndërsa humbjet në rrjet arrijnë deri në 2.2 miliardë kilovat, ku 600 milionë kilovat janë mbuluar me paratë e KESH-it, pra të taksapaguesve shqiptarë.
9 shkaqet
- Importi – kompania nuk ka kryer importin e detyrueshëm të energjisë elektrike, edhe kur ERE i dha falas përdorimin e linjave të transmetimit
- Sahatet – kompania ka shkelur nenin 52 të ligjit, pasi nga monitorimet rezulton se ka faturuar në mënyrë aforfe, për shkak të mungesës së sahateve
- Investimet – të dhënat paraprake siç deklarohet nga vetë kompania për vitin 2012, nuk janë realizuar as 7% e planit
- Bilanci – nuk ka sjellë brenda 31 janarit raportin periodik vjetor lidhur me operimet e tij gjatë vitit të mëparshëm kalendarik, që përmban përmbledhjen dhe analizën e veprimtarisë së shpërndarjes
- KESH – kompania CEZ i detyrohet korporatës 11 miliardë lekë, duke shkelur pikën 6.5 të Deklaratës Rregullatore
- Humbjet – Nga të dhënat periodike të dërguara nga vetë kompania humbjet totale në rrjet janë rritur në vite, duke arritur në 50% në 2012-n
- Ankesa – CEZ nuk ka respektuar afatin 15-ditor për t’u kthyer përgjigje ankesave
- Afati – Nuk respekton udhëzimet e detyrueshme të ERE për sa i përket zgjidhjes së ankesave ashtu siç është përcaktuar në pikën 6.11 të Licencës së Furnizimit Publik me Pakicë
- Kufizimet – Nga monitorimet rezulton se ka pasur kufizime kolektive