Firma fituese është shqiptare. Ofron rreth 900 mijë lekë të reja në muaj
Shpresa Mezini
Përfundon ankandi për dhënien me qira të një sipërfaqeje prej rreth 6 mijë m², pronë e QSUT-së, truall që do të shërbejë për ngritjen e një parkingu privat.
Në garë morën pjesë tri kompani private, dy prej të cilave janë skualifikuar automatikisht, ndërsa e treta pritet të shpallet fituese. Mësohet se kompania që do të investojë, mirëmbajë dhe menaxhojë parkingun e ri privat në këtë institucion, është shqiptare. Burime në Ministrisë e Ekonomisë sqarojnë për gazetën “Shqip”, se dy prej firmave private janë përjashtuar, për shkak se në dosjet e tyre kishte mungesë dokumentacioni. Ndonëse ligjërisht fitues do të shpallej kompania që do të ofronte pagesën më të lartë, duke qenë se konkurrimi u zhvillua në formë ankandi, rezulton se fituesi nuk do të jetë i vështirë për tu shpallur, pasi vetëm një kompani i ka pasur “letrat në rregull”. Duke iu referuar njoftimit të publikuar në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, çmimi dysheme për fillimin e konkurrimit është 610 mijë lekë të reja në muaj, ndërsa shuma që ka ofruar të paguajë firma fituese arrin në rreth 900 mijë lekë të reja, pa përfshirë investimet që do të bëhen për krijimin e parkingut.
Burime në Ministrinë e Ekonomisë nuk pranojnë të bëjnë publik emrin e kompanisë fituese, për shkak se, sipas tyre, kanë vënë në dispozicion të paktën dy javë kohë për procesin e ankimimit. Ato deklarojnë se me të përfunduar ky proces do të shpallet zyrtarisht emri i firmës që do të ndërtojë parkingun privat në sipërfaqen “hyrje-dalje” dhe “parkime”, truall në administrim të QSUT-së.
Duke iu referuar njoftimit, qëllimi i përdorimit të kësaj pasurie do të jetë organizimi dhe disiplinimi i lëvizjes dhe parkimit të automjeteve në territorin e qendrës spitalore. Ankandi u zhvillua më datë 14 nëntor në orën 12:00 në Ministrinë e Ekonomisë. Në proces morën pjesë tri kompani private, dy prej të cilave u përjashtuan, ndërsa vetëm njëra, e cila konkurroi me dokumente të rregullta, e vetmja, u shpall fituese. Ajo ka ofruar 900 mijë lekë të reja në muaj, nisur nga çmimi dysheme që ishte 610 mijë lekë të reja. Nisur nga vendimi për privatizimin e këtij sektori, tarifa që do të paguajnë qytetarët për të hyrë në QSUT do të jetë e konsiderueshme, në përputhje me kushtet e tregut. Kështu nëse deri më tani kemi paguar vetëm 100 lekë të reja apo nuk kemi paguar, pacientëve apo vizitorëve të spitalit do t’i duhet të paguajnë më shumë se kaq. Kjo pagesë është e vlefshme jo për 24 orë, por për orë të caktuara.
Deri në përfundimin e procedurave tenderuese, pagesa e hyrjes nuk është ende konkrete. Por çmimet do të jenë të krahasueshme dhe konkurruese njësoj si parkingjet private në kryeqytet.
Në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë thuhet se në oborrin e qendrës spitalore “Nënë Tereza” do të ketë 3 hyrje-dalje dhe 6 sipërfaqe parkimi, ndërsa afati i dhënies së këtij objekti me qira është 20 vjet. Në të thuhet se vlerësimi i konkurrentëve do të bëhet sipas disa pikave, ku investimi zë 30 pikë, punësimi 10 pikë, ndërsa tarifa mujore e qirasë 60 pikë.