Parlamenti i ri, 6 mandatet që ndahen me presje dhjetore

Parlamenti i ri, 6 mandatet që ndahen me presje dhjetore

Ja formula e re ndarjes së 140 deputetëve. Beteja për Beratin dhe Kukësin

BLEDAR HOTI

Njerez duke votuarNdarja e 140 mandateve pritet të jetë beteja e re politike mes demokratëve dhe socialistëve. Ende pa u marrë vendimi zyrtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste po konteston idenë e heqjes së mandatit të Qarkut të Beratit, duke e reduktuar atë nga 8 në 7 deputetë. Gazeta “Shqip” ka mundësuar regjistrimin e fundit të popullsisë të depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat do të shërbejnë si baza kryesore për ndarjen e 140 mandateve. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, numri i popullsisë në Shqipëri është 4 312 210 banorë. Mbi bazën e nenit 75 të Kodit Zgjedhor, realizohet ndarja e mandateve, e cila ka një procedurë të qartë: e miraton KQZ-ja dhe më pas votohet në Kuvend, me procedurë të përshpejtuar.

Formula

Neni 75, pika 2 e Kodit përcakton se “Numri total i shtetasve, sipas Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, pjesëtohet me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, duke përcaktuar numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit”. Numri i popullsisë, sipas dokumentit të MB-së i përllogaritur deri më datën 7 nëntor është 4 312 120 shtetas. Duke e pjesëtuar me mandatin e 140 deputetëve përftohet një koeficient mesatar të 30801.5 shtetasve për një mandat. “Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet duke pjesëtuar numrin e shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore, me numrin mesatar, të përftuar sipas pikës 2 të këtij neni. Çdo zone zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni”, thuhet në pikat 3,4 të nenit 75. KQZ-ja bën të ditur se ka mbërritur materiali i Ministrisë së Brendshme dhe se po përpunohet. Ky institucion ka afat deri më 12 dhjetor të marrë një vendim për ndarjen e mandateve.

6 mandate me presje dhjetore

Nga llogaritjet e bëra, duke aplikuar formulën e parashikuar në Kodin Zgjedhor, rezulton se 134 mandate ndahen të plota. Tirana do të ketë 33 mandate, me një popullsi 1 020 013 banorë, koeficienti (numri i mandateve) rezulton 33.4. Në zgjedhjet e kaluara kryeqyteti kishte 32 mandate, në 2013-n do të ketë një më shumë. Tirana shihet si torta e madhe e përfitimit për partitë, veçanërisht për ato të vogla, për shkak të pragut më të ulët të përfitimit të një mandati. Kjo vetëm favorizohet më shumë nëse ato dalin në një koalicion politik. Qarku i Korçës do të ketë një mandat më pak, pasi nga përllogaritja rezulton se do të 11 deputetë (koeficienti 11.4). Pika e 5 e Kodit Zgjedhor përcakton se “në rast se në përfundim të veprimit të kryer, sipas pikës 4 të këtij neni, një apo më shumë mandate mbeten pa u shpërndarë, ato u shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore më të madhe të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni. Shpërndarja e mandateve të mbetura kryhet në rend zbritës, duke filluar nga zona me presjen dhjetore më të madhe”. Presjen më të madhe e ka Qarku i Lezhës, me një koeficient 6.98, duke bërë që të përfitojë 7 deputetë, aq vende sa ka aktualisht. Më pas e përfiton Qarku i Fierit me një koeficient 15.94, duke përfituar të njëjtin numër mandatesh, 16 gjithsej. I treti, sipas presjes dhjetore, renditet Qarku i Dibrës me një koeficient 5.820, duke marrë 6 deputetë. Qarku i Shkodrës renditet me një koeficient 10.72. Nga kjo llogaritje, ky qark përfiton 11 deputetë, i njëjtë me atë që përfitoi në legjislaturën aktuale. Qarku i Durrësit do të përfitojë nga presjet dhjetore një mandat më shumë, duke bërë që në zgjedhjet e ardhshme të përfaqësohet me 14 deputetë. Koeficienti për Durrësin llogaritet 13.584. Për mandatin e gjashtë janë në lojë dy qarqet, i Kukësit dhe i Beratit. Të dyja këto janë bastione të veçanta të PD-së dhe PS-së. Kukësi me një numër popullsie 108 750 banorë, rezulton se e ka koeficientin e mandateve 3.5306, ndërsa Berati me një popullsi 231 414 banorë, rezulton ta ketë koeficientin e mandateve 7.513. PS-ja ka ngritur aludimet se janë rritur artificialisht numri i popullsisë në Qarkun e Fierit dhe aludon për një skemë manipulative nga qeveria. Në zgjedhjet e 2009-s, PD-ja mori 3 mandate, PS-ja mori 4 mandate dhe një 1 mandat mori LSI-ja. Në Qarkun e Kukësit me katër deputetë, PD-ja mori 3 mandate, ndërsa PS-ja përfitoi një mandat. Sistemi aktual zgjedhor sjell një garë të ngushtë mes mazhorancës dhe opozitës. Precedenti i 2009-s mund të përsëritet sërish. ku një parti mund të ketë të drejtën e formimit të qeverisë vetëm për një mandat më shumë. Dhe “fati” i qeverisjes mund të varet nga vendimi që do të marrë Kuvendi për një mandat në Qarkun e Kukësit apo Beratit. Nëse do t’i zbritet Beratit një mandat, për t’ia dhënë Kukësit, që ka një popullsi dy herë më të vogël.

 

 

Balla merr pjesë në këshillin e PSE

Socialistët Europianë: Task-Forcë për zgjedhjet në Shqipëri

Deputeti i PS Taulant BallaKëshilli i Partisë së Socialistëve Europianë (PSE) i mbledhur dje në Bruksel, vendosi ngritjen e një Task-Force për zgjedhjet Parlamentare në Shqipëri. Sekretari i përgjithshëm i PSE-së, Achim Post, vlerësoi se socialistët europianë mbështesin partnerin e tyre në Shqipëri, Partinë Socialiste dhe se PSE-ja do të ndjekë nga afër procesin përgatitor të zgjedhjeve, fushatën dhe ditën e zgjedhjeve. Këshilli i mbledhur në Bruksel vendosi që në këtë Task-Forcë për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri të përfshihen eurodeputetë të grupit socialist dhe demokrat në Parlamentin Europian, deputetë të vendeve anëtare të BE-së, përfaqësues të partive anëtare të PSE-së dhe organizata të tjera. Kjo Task-Forcë do të mblidhet në mënyrë të rregullt çdo muaj deri në fillimin e fushatës zgjedhore për të analizuar problematikat e vëzhguara në Shqipëri dhe për të përcjellë shqetësimet në Këshill, Parlament, Komisionin Europian dhe në vendet anëtare. Në emër të Partisë Socialiste, në mbledhjen e sotme të Këshillit të PSE-së merrte pjesë sekretari i grupit parlamentar, Taulant Balla.

 

Përfaqësuesi i PD

Kosovrasti: Presim vendimin e KQZ-së, debatet e parakohshme

Njazi KosovrastiPërfaqësuesi i PD-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti, deklaron për gazetën “Shqip” se është ende herët të flitet për ndarjen e 140 mandateve. Ai e cilësoi si të parakohshëm një debat të tillë, pasi “ende nuk ka një material apo dhe vendim përfundimtar nga ana e KQZ-së”. “Nuk kam pse të jap një koment, pasi më parë duhet të kemi një material përpara dhe do të vendosim mbi ndarjen e re të 140 mandateve”, theksoi Kosovrasti. PD-ja duhet të llogarisë në këtë çështje edhe qëndrimin e LSI-së, pasi kjo parti ka një mbështetje të madhe në Qarkun e Beratit. Heqja e një mandati mund ta penalizojë këtë parti, e cila tashmë ka një përfaqësues të sajin, si anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

 

 

Tabela

Numri total i popullsisë 4 312 210

Duke e pjesëtuar me 140 vendet e Parlamentit, rezulton se mandati i 1 deputeti është për 30801.5 shtetas

 

Qarku i Beratit

Aktualisht ka 8 deputetë

Nr. pop. 231 414 koeficienti 7.513

 

 

Qarku Dibër

Aktualisht ka 6 deputetë

Nr. pop. 179 276 koeficienti 5.820

 

 

Qarku Durrës

Aktualisht ka 13 deputetë

Nr. pop. 418 430 koeficienti 13.5847

 

Qarku Elbasan

Aktualisht ka 14 deputetë

Nr. pop. 434 167 koeficienti 14.09

 

Qarku Fier

Aktualisht ka 16 deputetë

Nr .pop. 491 190 koeficienti 15.946

 

Qarku Gjirokastër

Aktualisht ka 5 deputetë

Nr. pop. 154 285 koeficienti 5

 

 

Qarku Korçë

Aktualisht 12 deputetë

Nr. pop. 352 445 koeficienti 11.442

 

Qarku Kukës

Aktualisht ka 4 deputetë

Nr. pop. 108 750 koeficienti 3.5306

 

 

Qarku Lezhë

Aktualisht ka 7 deputetë

Nr. pop. 215 176 koeficienti 6.98

 

Qarku Shkodër

Aktualisht ka 11 deputetë

Nr. pop. 330 269 koeficienti 10.72

 

Qarku Tiranë

Aktualisht 32 deputetë

Nr. pop. 1 020 013 koeficienti 33.11

 

Qarku Vlorë

Aktualisht ka 12 deputetë Nr. pop. 376 795 koeficienti 12.23

 

Tabela

Procedura e ndarjes së mandateve

Neni 75

 

Kriteret dhe procedura për caktimin e numrit të mandateve

1. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet në raport me numrin e shtetasve të secilës zonë zgjedhore. Çdo mandat përfaqëson një numër afërsisht të njëjtë shtetasish.

2. Numri total i shtetasve, sipas Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, pjesëtohet me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, duke përcaktuar numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit.

3. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet duke pjesëtuar numrin e shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore, me numrin mesatar, të përftuar sipas pikës 2 të këtij neni.

4. Çdo zonë zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni.

5. Në rast se në përfundim të veprimit të kryer, sipas pikës 4 të këtij neni, një apo më shumë mandate mbeten pa u shpërndarë, ato u shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore më të madhe të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni. Shpërndarja e mandateve të mbetura kryhet në rend zbritës, duke filluar nga zona me presjen dhjetore më të madhe.

6. Në rast se edhe pas zbatimit të pikës 5 të këtij neni presja dhjetore e dy apo më shumë zonave është e njëjtë, mandati i fundit i caktohet asaj zone që, pas përllogaritjes sipas pikës 3 të këtij neni, ka numrin më të madh të mbetur të shtetasve që nuk kanë prodhuar mandat të plotë.

7. Në rast se dy apo më shumë zona zgjedhore, edhe pas zbatimit të pikës 6 të këtij neni, kanë numër të njëjtë shtetasish, të cilët nuk kanë prodhuar mandat të plotë, mandatet ndahen me short nga KQZ-ja. Hedhja e shortit bëhet kurdoherë publike dhe në prani të subjekteve që kanë përfaqësues të përhershëm në KQZ.

Autor te 17 Nëntor 2012. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Jack

    Shifra 4,312,120 banore eshte absurde. Edhe per te numruar nuk dini! Turp! Eace e keqe!