Egjipti tenton të vendosë armëpushim, por raketat vijojnë të përplasen
Egjipti u përpoq të hapte një dritare për bisedime paqeje në Gaza gjatë ditës së djeshme, por shpresat edhe për një armëpushim të shkurtër u shuan shpejt pas goditjeve të ndërsjella me raketa. Kryeministri i Egjiptit, Hisham Kandil, vizitoi Rripin e Gazës zyrtarisht për të shprehur solidaritetin e tij me popullin palestinez pas dy ditësh sulmesh të vazhdueshme nga ana e aviacionit të Izraelit. Izraeli dëshiron të shkatërrojë kapacitetin e Rripit të Gazës për të hedhur raketa drejt territorit të saj.
Zyrtarët palestinezë pranë bisedimeve i thanë “Reuters” në konfidencialitet se vizita e Kandil qe “fillimi i një procesi për të eksploruar mundësitë e një armëpushimi, por është ende shumë herët për të folur me detaje”.
Izraeli pranoi të ndërpresë zjarrin gjatë vizitës së Kryeministrit egjiptian dhe kërkoi që edhe Hamasi të ndërpriste lëshimin e raketave. Por sipas Izraelit, raketat vijuan të fluturojnë dhe armëpushimi mbeti i njëanshëm. Izraeli ka filluar thirrjen nën armë të 16 mijë rezervistëve si hapi i parë i një lufte totale. Tanket dhe armët me vetështytje u panë pranë kufirit gjatë ditës së djeshme dhe sirenat e luftës u ndezën në Tel Aviv, pasi u Hamas arriti të lëshojë disa raketa me rreze të mesme veprimi që besohet se janë prodhuar në Iran. Kjo është hera e parë që Hamas është në gjendje të godasë praktikisht dy qytetet më të mëdha të banuara nga Izraelitët, Tel Avivin dhe Jerusalemin. Të dyja qytetet gjenden rreth 50 kilometra larg Rripit të Gazës. Ushtria Izraelite tha se rreth 50 raketa janë nisur nga Rripi i Gazës brenda pak orësh.
Kryeministri egjiptian tha: “Egjipti nuk do të kursehet në masa për të ndaluar agresionin dhe për të arritur paqe”. Në një spital në Gaza ai mbajti në krahë trupin e gjakosur të një fëmije. Ai u largua pasi kishte takuar udhëheqësin e Hamas Ismail Hanieh. Tashmë numri i viktimave palestineze është rritur në 22 vetë. Edhe tre izraelitë u vranë nga një raketë të enjten.
Përplasja në Gaza ka krijuar frikë se një konflikt më i gjerë mund të ndodhë në Lindjen e Mesme, ku Egjipti ka një udhëheqësi të re të mbështetur nga Vëllazëria Myslimane, ndërsa Siria është në luftë civile totale. Jordania, fqinji tjetër i Izraelit dhe praktikisht një aleat në mozaikun e paqes, gjendet nën presion nga Pranvera Arabe dhe nga rreziku që popullata e këtij vendi, ku gjenden edhe shumë emigrantë nga Palestina, të mos e tolerojnë qëndrimin pro-paqe të mbretit vendës.
Bota ka filluar të ndahet tashmë në mbështetje të palëve. Dje, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i bëri thirrje Egjiptit të përdorë ndikimin e vet mbi Hamasin për t’i dhënë fund dhunës. Zëdhënësi i saj bëri të ditur se Gjermania konsideron Hamasin si përgjegjës për dhunën.
“Hamas në Gaza është përgjegjës për shpërthimin e dhunës”, tha zëdhënësi i Merkel. “Nuk ka justifikim për lëshimin e raketave kundër Izraelit”, shtoi ai. Lufta e fundit duket se ka lënë në hije edhe më shumë qeverinë palestineze të Bregut Perëndimor dhe e ka nxjerrë në pah edhe më shumë Hamasin. Hamas është një lëvizje që fillimisht u themelua nga shërbimi sekret i Izraelit, por doli shpejt jashtë kontrollit. Vrasja e udhëheqësit shpirtëror të Hamas në vitin 2004 e ngriti këtë grupim si forca udhëheqëse e palestinezëve të vijës së ashpër që refuzojnë bisedimet për paqe me Izraelin.
Goditet Tel Avivi
Për herë të parë që nga viti 1991, kryeqyteti ekonomik i Izraelit, Tel Avivi u vu në alarm. Dy raketa u lëshuan nga Gaza dhe shpërthyen në jug të metropolit. Policia tha se shpërthimi i tyre nuk shkaktoi dëme. Por në këtë zonë jetojnë mbi 40 për qind e izraelitëve, të cilët tashmë për herë të parë vihen brenda rrezes së veprimit të Hamas.
“Edhe Kryeministri Netanjahu u detyrua të nxitojë për te dhoma e blinduar”, tha një ministër izraelit dje.
Lufta e fundit u zhvillua gjatë ditëve të Vitit të Ri 2008-2009 dhe la më shumë se 1400 palestinezë të vrarë, shumica civilë, si dhe 13 izraelitë.
Një sulm tjetër tokësor ndaj enklavës së mbipopulluar ku jetojnë mbi 2 milionë vetë, mund të shkaktojë sërish shumë viktima mes civilëve. Por lufta kësaj here mund të ndodhë në një klimë rajonale të ndryshuar. Ministri i Jashtëm i Tunizisë pritet të mbërrijë në Gaza të shtunën për të “siguruar mbështetje politike”. Në anën Izraelite të kufirit u vunë re përgatitje për sulm tokësor. Aviacioni bombardoi një zonë të pabanuar, veprim që u interpretua si një fazë përgatitore për zbutjen e tokës në mënyrë që të kalojnë më lehtë tanket.