Jose Mujica
Vladimir Hernandez, BBC
Është shumë e zakonshme për politikanët. Ata bëjnë një jetë mjaft të ndryshme nga elektorati. Por ky nuk është rasti i Uruguait. Ja ku kemi Presidentin, i cili jeton në një fermë gati të rrënuar dhe dhuron shumicën e pagës së vet.
Rrobat e lara janë të ndera jashtë shtëpisë. Uji gjendet në një pus në kopsht të mbuluar nga bari. Vetëm dy oficerë policie dhe Manuela, një qen me tre këmbë, bëjnë roje jashtë. Kjo është rezidenca e Presidentit të Uruguait, Jose Mujica, stili i jetesës së të cilit dukshëm është shumë i ndryshëm nga ajo e shumicës së udhëheqësve të botës.
Presidenti Mujica ka hequr dorë nga shtëpia luksoze që shteti i Uruguait ofron për udhëheqësit e vet dhe ka vendosur të qëndrojë në shtëpinë e fshatit të bashkëshortes së tij, ku shkohet përmes një rruge balte diku në dalje të kryeqytetit Montevideo. Presidenti dhe bashkëshortja e tij e punojnë vetë tokën, duke rritur lule.
Kjo është jeta e kursimtarit dhe fakti është që Mujica dhuron rreth 90 për qind të pagës së tij mujore, ose afërsisht 12 mijë dollarë për bamirësi. Ai është cilësuar tashmë si Presidenti më i varfër i botës.
“Mund të ngjajë si sjellja e një plakushi ekscentrik… por kjo është një zgjedhje e lirë. Unë kam jetuar në këtë mënyrë shumicën e jetës sime”, thotë ai, duke u ulur në një karrige të vjetër në kopshtin e tij, duke përdorur një jastëk që zakonisht përdoret nga qeni Manuela.
“Mund të jetoj shumë mirë me këtë që kam”
Për shkak të dhurimeve që bën për bamirësi për njerëzit e varfër, paga e tij zbret në mesataren e uruguaianëve, rreth 775 dollarë në muaj. Deklarata e tij vjetore e pasurisë, e detyrueshme për të gjithë zyrtarët në Uruguai, ishte 1800 dollarë, e përbërë nga vlera e makinës së tij “Volksvagen Beetle” e vitit 1987. Këtë vit, në deklarimin e pasurisë shtoi edhe asetet e gruas së tij, që qenë tokë, traktorë dhe shtëpi, me vlerë të përgjithshme prej 215 mijë dollarësh.
Pavarësisht se shtoi pasuritë e gruas, sërish ai mbetet më i varfër se sa zëvendëspresidenti Danilo Astori dhe shumë më i varfër se sa paraardhësi i tij, Tabare Vasquez.
I zgjedhur në vitin 2009, Mujica i ka kaluar vitet ’60 dhe ’70 si pjesë e një grupi guerilas vendas, një rebelim majtist i frymëzuar nga revolucioni kuban.
Ai është plagosur gjashtë herë dhe ka kaluar 14 vjet në burg. Shumica e burgimit të tij kaloi në kushte të ashpra dhe izolim deri sa u lirua më 1985-n, kur Uruguai u rikthye në demokraci. Ai thotë se vitet në burg e kanë ndihmuar të krijojnë këndvështrimin e tij për jetën.
“Unë jam cilësuar ‘Presidenti më i varfër’, por vetë nuk ndihem i varfër. Të varfër janë ata që vetëm punojnë në përpjekje për të mbajtur një jetë me shpenzime dhe që kërkojnë gjithnjë e më shumë”, thotë ai.
“Kjo është një çështje e lirisë. Nëse nuk ke shumë pasuri nuk ke nevojë të punosh si skllav të gjithë jetën tënde për ta krijuar pasurinë dhe rrjedhimisht ke më shumë kohë për veten”, thotë ai.
Udhëheqësi uruguaian dha një shpjegim të ngjashëm kur iu drejtua samitit Rio+20 në qershor të këtij viti: “Ne kemi folur gjithë pasdreken për zhvillim të qëndrueshëm. Për të nxjerrë masat nga varfëria. Po për çfarë po mendojmë? A e duam ne modelin e zhvillimit dhe konsumit të vendeve të pasura? Po ju pyes juve tani: çfarë do t’i ndodhë këtij planeti në rast se indianët kërkojnë të kenë po aq shumë makina për familje sa edhe gjermanët? Sa oksigjen do të ketë mbetur? A ka ky planet burime të mjaftueshme për shtatë apo tetë miliardë njerëz, të gjithë me nivel të tillë të konsumit dhe mbeturinave që sot kanë shoqëritë e pasura? Është pikërisht ky nivel hiper-konsumi që po e dëmton planetin tonë.”
Mujica akuzon shumicën e udhëheqësve botërorë se kanë një “obsesion të verbër për të arritur rritje përmes konsumit, a thua se e kundërta nënkupton fundin e botës.”
Por sado i madh të jetë hendeku mes vegjetarianit Mujica dhe udhëheqësve të tjerë, ai nuk është më imun ndaj faktit se në jetën politike ka ditë të mira dhe ditë të këqija.
“Shumë e simpatizojnë Presidentin Mujica, për shkak të stilit të tij të jetesës. Por kjo nuk i pengon njerëzit ta kritikojnë atë për mënyrën se si po shkojnë punët e qeverisë”, thotë Iignacio Zuasnabar, një organizues sondazhesh në Uruguai.
Opozita thotë se mirëqenia ekonomike e kohëve të fundit nuk ka sjellë përmirësime në shërbimet publike si arsim dhe shëndetësi, ndërsa popullariteti i Mujica për herë të parë nga zgjedhjet e vitit 2009 ka rënë nën 50 për qind. Këtë vit është vënë nën kritika edhe për shkak të dy politikave të debatueshme. Kongresi i vendit miratoi një ligj që legalizonte abortimet e shtatzënive deri në javën e 12. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Mujica nuk i vuri veton. Ai gjithashtu po mbështet një debat për legalizimin e përdorimit të kanabisit, një ligj që do t’i japë shtetit monopol mbi këtë tregti.
“Konsumimi i kanabisit nuk është gjëja më shqetësuese, trafikimi është problemi i vërtetë”, thotë ai. Gjithsesi ai nuk ka nevojë të shqetësohet shumë mbi nivelin e popullaritetit, pasi ligjet e vendit nuk e lejojnë të kërkojë rizgjedhje në vitin 2014. Për më tepër, ai është 77 vjeç dhe ka gjasa që do të tërhiqet nga politika shpejt. Dhe kur të dalë në pension, ai do të ketë një pension të konsiderueshëm dhe, ndryshe nga disa prej presidentëve paraardhës, ai mund të mos e shohë si shumë shqetësuese rënien e të ardhurave.
Tupamoros: Guerilasit e Uruguait
Është një grup gueril i së majtës i krijuar fillimisht nga punëtorët e varfër të kallamit të sheqerit dhe studentëve.
E ka emrin nga mbreti inkas Tupac Amaru.
Taktika kryesore ishte pengmarrja politike – ambasadori i Britanisë së Madhe Geoffrey Jackson u rrëmbye për tetë muaj më 1971.
U shtyp pas grushtit të shtetit të vitit 1973 të drejtuar nga Presidenti Juan Maria Bordaberry.
Mujica ishte një nga shumë rebelët e burgosur.
Ai pati një rol në transformimin e lëvizjes guerile në një parti politike të ligjshme.