FRD: Të merret në dorë situata. AK: Do jemi në krye të protestave masive
Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit Arben Ahmetaj deklaroi dje se “CEZ dhe qeveria kanë vendosur t’i lënë shqiptarët edhe pa ujë përveçse pa drita 24 orë. Dje, ministri i Ekonomisë u premtoi shqiptarëve se qeveria e Sali Berishës nuk do ta lejonte kompaninë CEZ që të ndërpriste energjinë për ujësjellësit. Por si bashkëpronare e CEZ me plot 24% të aksioneve në këtë kompani sot qeveria e preu energjinë për ujësjellësit. Sot disa qytete të mëdha të Shqipërisë janë pa ujë. Sot, megjithëse e paguajnë dyfish faturën e energjisë njerëzit janë pa drita e pa ujë për faj të CEZ dhe të qeverisë bashkëpronare e bashkëfajtore me CEZ”.
Më tej Ahmetaj theksoi se “ka vetëm një rrugë për ta rivënë shtetin në shërbim të qytetarëve: Duhet hequr shteti nga duart e paafta të Saliut. Kryeministër ik përpara se ta zhysësh vendin edhe më thellë në humnerën e rrënimit të mëtejshëm. Jep dorëheqjen, sepse jo vetëm je i paaftë të ndërtosh shtet, por edhe sepse je tejet i molepsur me interesat e errëta që po shkatërrojnë shtetin. Si privatizuesi i papërgjegjshëm i rrjetit të shpërndarjes së energjisë, duhet të largohesh sepse po sjell përditë errësirë dhe mungesë uji në familjet shqiptare”. Ndaj këtij akti reagoi dhe Fryma e Re Demokrate. “Qeveria shqiptare, e zhytur totalisht në korrupsion dhe paaftësi, po i lë qytetarët shqiptarë pa energji dhe ujë të pijshëm, duke iu mohuar atyre këto të drejta dhe nevoja bazike për jetën”, tha Ristani i FRD-së. Ndërsa Aleanca Kuqezi ka theksuar se “Sali Berisha u bë palë me kompani të dështuara që në kohën kur reklamoheshin prej tij si kompani të suksesshme në të gjithë rajonin ato ishin larguar me probleme, madje dhe përjashtuar. AK deklaron publikisht dhe zotohet se do t’u japë fund privatizimeve Berishiane, të cilat në tërësi në thelbin e tyre kanë korrupsionin dhe vjedhjen. Aleanca Kuqezi do të jetë në krye të protestave masive dhe në mbështetje të qytetarëve, të cilët do të ngrihen për të ndëshkuar premtimet e dështuara të Sali Berishës dhe kujtdo përgjegjësi që ka shkaktuar këtë situatë”. B.HOTI