Tepelenë
Sherri për mospagesën e një fature të celularit, për pak i ka marrë jetën një të riu, pasi është goditur me makinë për t’u vrarë nga ish-shefi i tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Tepelenë, ndërkohë që policia lokale ka arrestuar 37-vjeçarin Neritan Beja, i dyshuar për këtë krim. Policia tha zyrtarisht se arrestimi i tij është bërë pasi 37-vjeçari ka tentuar që të përplasë qëllimisht me mjetin e tij 22-vjeçarin Redinjel Abazi. Sipas të dhënave, ngjarja, e cila rrezikoi të kthehej në tragjedi, ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, në qendër të qytetit të Tepelenës, ku palët janë përplasur fizikisht mes tyre, për një faturë celulari me kontratë. Mësohet se i riu nuk kishte paguar faturën prej 9 mijë lekësh të reja, në kohën që kishte qenë në marrëdhënie pune. Abazi ka qenë i shoqëruar me disa bashkëmoshatarë të tij, të cilët kanë ndërhyrë për t’i ndarë. Por pas gjysmë orë, 22-vjeçari mbetet i vetëm dhe Neritan Beja, duke e parë që ai po lëvizte në rrugë, tenton ta vrasë, duke e përplasur me automjetin e tij me targa AA 356 ET. Për shkak të përplasjes, Redinjal Abazi ka marrë plagë të rënda dhe është jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Gjirokastrës.