Nga përplasja e autobusit me trenin vdesin 47 fëmijë të një shkolle
Së paku 47 fëmijë në moshë katër deri në gjashtë vjeç mbetën të vrarë, pasi autobusi i tyre i shkollës u godit nga një tren në pjesën qendrore të Egjiptit, bënë të ditur zyrtarët. Qeveria urdhëroi arrestimin e përgjegjësit, ndërsa shefi i hekurudhave të Egjiptit, si dhe ministri i Transportit të këtij vendi, dhanë menjëherë dorëheqjen.
Autobusi po transportonte 60 fëmijë nga një shkollë kur u godit nga treni pranë qytetit Manfalut, 350 kilometra në jug të Kajros. Raportet nga dëshmitarët thanë se trau që duhej të ishte ulur për të ndaluar qarkullimin e makinave gjatë kohës që po kalonte treni, ishte në fakt i ngritur.
“Të vdekurit deri tani janë 47. Ka edhe 13 fëmijë të plagosur”, njoftoi guvernatori i rajonit për televizionin shtetëror.
Presidenti i Egjiptit, Mohammed Mursi, urdhëroi ministrat e tij të ofrojnë mbështetje për familjet e viktimave.
“Ata na thanë se trau ishte i hapur kur autobusi tentoi të kalojë shinat dhe treni u përplas me të”, tha një mjek vendas për “Reuters”. Kreu i autoritetit shtetëror të hekurudhave dha menjëherë dorëheqjen, duke e konsideruar veten përgjegjës për mosfunksionimin e duhur të sistemit. Edhe ministri i Transporteve u dorëhoq pak më vonë.
Aksidenti u zbulua se ndodhi kur punonjësi i hekurudhës, përgjegjës për uljen e traut, kishte qenë në gjumë dhe nuk kishte kryer punën e vet.