Botë Kina – rotacion apo më shumë?

Kina – rotacion apo më shumë?

154
SHPËRNDAJE

Hajdar Muneka*

Në datën 15 nëntor për herë të parë në historinë e saj Kina kreu rotacionin e plotë të udhëheqjes më të lartë të vendit. Kongresi i 18-të i Partisë Komuniste të Kinës, eventi më i rëndësishëm në historinë e partisë që ndodh një herë në pesë vjet, zgjodhi një udhëheqje krejtësisht të re, e cila do ta drejtojë Kinën në dhjetë vitet e ardhshme. Asnjë herë më parë nuk kishte ndodhur një gjë e tillë, edhe pse ky rregull “xhentëlmenësh”, i pakthyer akoma në ligj, ekziston prej 20 vitesh. Para dhjetë vjetësh, kur kjo praktikë u zbatua për herë të parë, Jiang Zemin, president i kohës, e përjetoi me dhimbje dorëzimin e detyrës së Presidentit të Republikës, i pari udhëheqës kinez që po e bënte këtë hap për së gjalli. Ndaj ai insistoi në mbajtën edhe për dy vite të tjera të postit të Kryetarit të Komisionit të Lartë Ushtarak, pra të kontrollit të ushtrisë. Ky është një post shumë i rëndësishëm në Kinë, normalisht atribut i sekretarit të Përgjithshëm të Partisë njëherazi edhe presidenti Republikës. Kjo nuk ndodhi me zotin Hu Jingtao, aktualisht President de jure i RP të Kinës, deri në mars të vitit 2013, kur ky post, sipas Kushtetutës, në mbledhjen e radhës së Asamblesë Kombëtare, i kalon sekretarit të Përgjithshëm të Partisë. Duke filluar nga data 15 nëntor, edhe pse akoma nuk është ulur në karrigeP e presidentit të vendit me popullsinë më të madhe në botë, Xin Jinping është kryetar i Komisionit të Lartë Ushtarak të Kinës. Në fakt, kjo ishte një lëvizje pak sa e pa parashikuar, por mjaft e zgjuar e Presidentit Hu Jingtao. Kuptohet qartë që ai nuk ka dashur që imazhin pozitiv brenda dhe jashtë vendit që krijoi në dhjetë vitet e fundit, duke e ngritur vendin e tij në majat më të larta historike të zhvillimit, ta mbulojë me një tis të keq tani në fund të karrierës së tij 50-vjeçare në politikë. Mendoj se kjo ka qenë një zgjedhje e tij krejtësisht personale për të vendosur nëse këtë lëvizje do ta bënte tani apo në fund të mandatit të tij si President.

Kuptohet se në kushtet e një sistemi të drejtuar nga një parti e vetme për 63 vite me radhë, për më tepër kur gjithmonë në krye të saj ka qenë një njeri i gjithëpushtetshëm, vendosja e sistemit të një rotacioni të tillë nuk ka qenë një ndërmarrje e lehtë. Në 27 vitet e para të historisë komuniste, Kina u drejtua me dorë të fortë nga një njeri i vetëm, kryetari Mao Ce Dun, i cili vdiq në vitin 1976. Dy vite pas vdekjes së tij, Deng Xiaoping u afirmua si njeriu më i fortë i Kinës. Në përpjekje për të sjellë një kulturë të re politike Deng asnjëherë nuk kërkoi tituj të lartë në udhëheqje si kryetar partie, President apo edhe Kryeministër, megjithëse kjo zgjedhje shpeshherë i ka krijuar atij edhe jo pak probleme. Më skeptikët e kanë akuzuar jo rrallë për abuzim me pushtetin e tij hije.

Pavarësisht nga këto, deri në vdekjen e tij në vitin 1997 Deng Xiaoping është pranuar nga të gjithë si udhëheqësi suprem i Kinës, edhe pse në atë kohë i vetmi post i tij zyrtar ka qenë ai i kryetarit të nderit të Shoqatës kineze të Brixhit. Aq i fuqishëm ishte ai sa vendosi që udhëheqësi i radhës i Kinës menjëherë pas ngjarjeve tragjike të Tian An Menit në vitin 1989 të ishte Jiang Zeming, madje ka përcaktuar edhe ndjekësin tjetër të tij, që është Presidenti aktual, Hu Jingtao. Me largimin e Hu Jingtaos, zëvendësuesi i tij, Xi Jinping, do të konsiderohet në historinë e Kinës si udhëheqësi i parë i PKK që nuk është zbuluar apo emëruar nga ata që konsideroheshin baballarë të kombit kinez. Faktikisht Xi, përtej pesë viteve të shkuara një emër pothuajse i panjohur jo vetëm për të huajt, por edhe për pjesën më të madhe të kinezëve, u promovua në radhët e udhëheqjes më të lartë të Pekinit në kongresin e parafundit të partisë së tij. Kjo pasi, edhe pse me një eksperiencë gati 40-vjeçare në politikë, më përpara ai ka shërbyer jashtë kryeqytetit. Më përpara suksesi i tij më i madh ka qenë në postin më të lartë të provincës Zhijiang dhe për shtatë muaj ka drejtuar qytetin e Shangait.

Pra për herë të parë në historinë e Kinës vendime kaq të rëndësishme nuk ndërmerren nga udhëheqës supremë. Gjeneratës së re të udhëheqjes kineze do t’i duhet që të marrë përsipër përgjegjësinë e ndërmarrjes së vendimeve jo vetëm në përballimin e problemeve jo pak të komplikuara që do të sjellë e ardhmja e vendit të tyre, por edhe të identifikojnë në një mënyrë krejt tjetër udhëheqësit e së ardhmes. Nuk ka asnjë dyshim se, bazuar edhe në kulturën e prejardhjen dinastore të Kinës, kjo gjeneratë do të kërkojë këshillat dhe eksperiencën e “baballarëve” që janë akoma gjallë, në rastin konkret e Hu Jingtaos në largim apo edhe të Jiang Zeminit tashmë 86-vjeçar.

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/uploads/2019/02/imgad.gif

Kjo, ashtu sikurse edhe reformat që e kanë transformuar Kinën në 30 vitet e fundit, është një arritje që pikësëpari i atribuohet mendjes dhe kontributit të Dengut. Iniciativa dhe këmbëngulja e tij duket se e shpëtoi Kinën përfundimisht nga praktikat feudale të qëndrimit të përjetshëm në pushtet. Aktualisht, për asnjë arsye një person nuk mund të qëndrojë në detyrë, qoftë ajo edhe në majat më të larta të piramidës shtetërore, pasi të ketë mbushur moshën 70 vjeç. Nga një vështrim i moshës së shtatë anëtarëve të përhershëm të Byrosë Politike të PKK që dolën nga Kongresi i fundit, vetëm Xi Jinping, 59-vjeçar, mund të përmbushë rotacionin dhjetëvjeçar. Të gjithë të tjerët janë rreth moshës 65-vjeçare çka tregon se udhëheqja kineze do të ketë një ripërtëritje të plotë në terma afatmesme. Është për t’u theksuar fakti se, për herë të parë ndër këta të shtatë asnjeri syresh nuk është ushtarak.

Natyrisht që zbatimi i rotacionit normal të pushtetit është një fitore e kapërcyer tashmë, por udhëheqjen e re kineze e presin edhe një sërë sfidash shumë të mëdha. Lufta kundër korrupsionit është një kalë beteje, por edhe arsimimi, administrata publike, zgjidhja e çështjes së punësimit, reformat në drejtësi etj, janë disa fusha të rëndësishme për të cilat Kongresi vuri detyra e afate konkrete. Kuptohet se shumë nga këto reforma nuk janë të lehta për t’u realizuar në një vend që drejtohet nga një parti–shtet e ku “në thelb të çdo reforme është ruajtja e statusit drejtues të partisë, sundimi i ligjit e zgjerimi i demokracisë së njerëzve”, siç shkruan agjencia zyrtare kineze e lajmeve XINHUA.

Forcimi i rolit udhëheqës të PKK ishte një nga detyrat kryesore të Kongresit të 18 të kësaj partie. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe kur do të jetë ajo parti që do të sigurojë jo vetëm vazhdimësinë e reformave, por do të përballojë edhe shumë sfida të reja. Partia Komuniste e Kinës tashmë 91-vjeçare në tetor të këtij viti festoi 63-vjetorin e ardhjes së saj në pushtet. Historia moderne dëshmon se deri në ditët e sotme drejtimi i një vendi nga një parti e vetme ka zgjatur 74 vjet, rekord që mbahet nga ish-partia komuniste e Bashkimit të dikurshëm Sovjetik. Një parti e vetme e ka drejtuar Meksikën për 71 vjet dhe po aq vite ka qëndruar në pushtet edhe partia e Guomindanit në Tajvan, përfshirë edhe vitet kur ishte bashkë me Kinën. Natyrisht që kjo nuk mund të thotë shumë për PKK, për sa kohë që ajo është e suksesshme në shndërrimin e Kinës në një vend të fortë e të begatë. Nën udhëheqjen e saj, Kina është shndërruar në fuqinë e dytë më të madhe ekonomike të botës, duke ia kaluar edhe Japonisë. Ambiciet e saj deri në vitin 2020 janë për t’u shndërruar në një vend të zhvilluar me bujqësi e industri moderne e ku të ardhurat për frymë të popullsisë të jenë krahasuese me vendet e zhvilluara të botës. Por kinezët kanë një shprehje që asnjëherë nuk duan ta harrojnë: dinastitë në historinë e njerëzimit kanë lulëzuar me shpejtësi dhe janë zhdukur papritur. Dinastia më e suksesshme në Kinë është ajo Qin, e cila ka sunduar në dhjetë gjenerata.

Gjithsesi, Kina deri tani ka mahnitur botën me arritjet e saj, duke thyer çdo tabu. Për shumë kohë bota do ta vazhdojë t’i mbajë sytë tek ajo. Kjo është edhe arsyeja pse rotacioni i udhëheqjes politike që solli Kongresi i fundit në Kinë është pritur me kaq interes edhe jashtë kufijve të saj. Shenjat tregojnë se ai nuk është një rotacion i thjeshtë teknik.

Autori është ish-ambasador i Shqipërisë në Kinë