Rama shpalos 12 premtimet e socialistëve për arsimin


Gëzim Ashimi


Korçë – Arsimi sot po përdoret për të vendosur kontroll politik mbi nxënësit, ndërsa liberalizimi i universiteteve private është një manovër për të fshehur papunësinë e të rinjve” . Deklarata ka ardhur nga kreu i PS-së, Edi Rama, në konferencën që kjo parti ka  organizuar për arsimin edhe në qytetin e Korçës. “Shkolla po përdoret për të vendosur një kontroll politik mbi nxënësit”, u shpreh kryesocialisti Rama, ndërsa e mbështeti në këtë konkluzion të tij mbi faktin se tashmë në sistemin arsimor shqiptar nuk ekziston më trekëndëshi nxënës, mësues, prind. “Në rast se në botën e zhvilluar ka një trekëndësh me nxënësin, mësuesin dhe prindin që quhet komunitet, ne kemi të bëjmë me një trekëndësh  nxënës, mësues , pushtet”, tha Rama. Ai shtoi në fjalën e tij në teatrin e qytetit para arsimtarëve korçarë se shërbimi arsimor është tashmë një kontroll politik mbi nxënësit. Në fjalën e tij, lideri i opozitës ka shpalosur 12 premtimet kryesore të programit qeveritar të socialistëve në fushën e arsimit.


Pikat


1. U japim fëmijëve të këtij vendi pa dallim, të rinjve dhe të rejave, çdo mundësi që u duhet për të pasur një arsimim cilësor.


2. Analfabetizmi është sot 15%. Përpara 5 vjetësh ishte 10%. Pas 5 vjetësh mund të shkojë 20%, mund të shkojë edhe më shumë në rast se nuk ndalet sot rruga e rrënimit të mëtejshëm.


3. PS angazhohet që asnjë fëmijë të mos mbetet pa shkollë për shkak të varfërisë. Që asnjë prind të mos mbetet në pamundësi për të çuar fëmijën në shkollë për shkak të largësisë së shkollës. Që të gjithë fëmijët, kudo qofshin, të mos përshkojnë më shumë se 20 minuta në këmbë për të shkuar në shkollë. Që do të thotë se do të angazhohemi për një sistem transporti falas për fëmijët dhe për mësuesit që sot praktikisht nuk ekziston më.


4. Angazhohemi për një sistemim të drejtë dhe efikas të shpërndarjes së shkollave.


5. Angazhohemi për të garantuar mësimdhënien, nëpërmjet një reforme të thellë dhe një risistemimi të gjithë strukturës së arsimit.


6. Synojmë ta rimëkëmbim ekonominë duke rilindur fshatin.


7. Ngremë shkolla profesionale, të cilat t’u japin të rejave dhe të rinjve që rriten në fshat mundësinë që duke u arsimuar të krijojnë mirëqenie nga toka e të parëve.


8. Do ta rilindim autoritetin e mësuesit.


9. Do ta fusim prindin në proces, duke garantuar bordet e mësuesve dhe të prindërve, së bashku me përfaqësuesit e pushtetit vendor, të kenë të drejtën të ndjekin të gjithë procesin e mësimdhënies.


10. Akreditim të gjitha universiteteve dhe rankim, kështu bëjmë të mundur që çdo investim të kthehet në një diplomë me vlerë.


11. Buxhet për arsimin, ne nuk do bëjmë asnjë kompromis. Do ta bëjmë 5%.


12. Do të nxjerrim frikën nga shkolla për shkak të politikës dhe të fusim në shkollë kurajën për shkak të dijes.