Kryeministri Sali Berisha premtoi sot rritje rrogash e pensionesh si dhe ndërtim të “më shumë rrugëve se sa më parë” gjatë vitit 2013, kur foli në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Rrogat do të rriten duke patur parasysh që rrogat e larta do të rriten me 1 për qind dhe rrogat e ulëta me më shumë, për të ulur hendekun, tha Berisha, duke shtuar se “pensionet do të rriten dy herë më shumë se sa inflacioni”.
Pensionet gjatë viteve të fundit janë rritur me rreth 4 për qind, në përputhje kjo me rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit. Rritja e pensioneve në përgjithësi nuk është mbuluar me rritjen e të ardhurave të buxhetit, por është financuar përmes rritjes së borxhit publik. Vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë zgjedhje të përgjithshme parlamentare dhe të gjitha qeveritë gjatë njëzet viteve të fundit kanë rritur borxhet në vite zgjedhore për të joshur votuesit me më shumë shpenzime. Natyrisht që pas viteve zgjedhore, rritja e shpenzimeve është kompensuar me rritje të çmimeve.
Buxheti i Shtetit gjendet aktualisht në kushtet më të vështira në 15 vjet. Borxhi publik ka kapërcyer limitin ligjor prej 60 për qind të PBB-sën ndërsa kryeministri Berisha deklaroi sot se deficiti buxhetor për vitin e ardhshëm do të jetë i barabartë me 3.4 për qind. Sipas Berishës, ky është “deficiti më i ulët në Europë”.
Kjo do të thotë se se shteti shqiptar do të marrë afërsisht edhe 340 milionë euro borxhe gjatë vitit 2013.
Berisha: Ftoj Ramën për bisedime për ligjet
Kryeministri Sali Berisha ftoi kryetarin e opozitës Edi Rama që të ulet në bisedime për të shqyrtuar, propozuar dhe vendosur çdo amendament në lidhje me tre ligjet që kërkon Komisioni Evropian, për të dhënë më pas rekomandimin final të statusit të vendit kandidat.
“Status do të thotë çlirim i fondeve të mëdha për Shqipërinë, projekteve të mëdha për vendin tonë dhe hapje dyersh. Ftoj Ramën që të ulet në bisedime dhe për këtë jam gati në çdo moment deri mesnatën e sotme. Nuk ndërtohet historia me bllokime, me inate dhe duke mbrojtur interesat personale”, u shpreh Berisha në mbledhjen e së hënës të kabinetit qeveritar.
Duke theksuar se miratimi i këtyre ligjeve është shumë i rëndësishëm, Berisha theksoi se për Fierin tashmë është dhënë një propozim për mocion besimi për të gjithë këshilltarët, në të kundërt le të pritet gjykimi me themel i kësaj çështjeje.
