Berisha – “Çdo vonim i tyre u jep të drejtë të tjerëve të mendojnë se këta njerëz ose janë hipokritë e nuk e duan, ose janë të papjekur, të paqytetëruar e nuk kanë interesa kombëtare”


Topalli – “Mjaftojnë vetëm 3 sekonda që opozita të votojë 3 ligjet e integrimit, me qëllim që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat”, tha kryeparlamentarja


Braçe – “Tani e kuptoni për çfarë e duan këta opozitën? Po që ligjet në Kuvendin e Jozefinës kalojnë për 3 sekonda e kuptuat? Për 3 sekonda! Pastaj, kalova lumin të dh… kalin!!!


Ftesa – Kreu i PS-së, Edi Rama, me një letër të hapur i kërkoi Berishës të ulet në një tryezë


Ndërkombëtarët – Trojka SHBA-BE-OSBE ndan bindjen se kompromisi PD-PS nuk është i paarritshëm


20 nëntor – PD ka shpallur datën 20 nëntor si afat të fundit për votimin e tre ligjeve


Fieri – PS kërkon zgjidhjen e Qarkut të Fierit, zbatimin e vendimeve të gjykatave


84 vota – Për të kaluar tre ligjet e kërkuara nga BE-ja, kërkohet një shumicë e cilësuar


Përplasja 


Kryeministri dhe lideri i PS-së sot përballen në konferencën e Kosovës


BLEDAR HOTI


Kreu i qeverisë, Sali Berisha, i bëri dhe një herë thirrje liderit të opozitës për të dhënë konsensusin për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga BE-ja. Berisha u shpreh i gatshëm të ulët në një tryezë me Ramën, por për të diskutuar vetëm tre ligjet që kërkohen si kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat. “E ftoj zotin Rama të ulemi në çdo kohë, në qoftë se është problemi për të debatuar tre ligjet, për t’i amenduar, nëse kanë mendime për t’i përmirësuar. Çdo orë që kalon është orë shumë e çmuar. Në natyrën time, unë jam optimist, por kur shoh se, pasi kanë shkuar në gjykatë për gjykimin e thelbit të çështjes, e shtynë gjykimin dhe kërkuan që ai të bëhet pas datës 22 dhe kur gjykatësit nuk i dëgjuan, pothuaj u tërhoqën nga gjykimi. Kjo fakton se me këtë vendim, qëndron një akt shumë shumë i papërgjegjshëm. Një akt me të cilin synohet t’u bllokohet shqiptarëve, në 100-vjetorin e Pavarësisë së tyre, marrja e statusit të vendit kandidat në BE. Le të jem unë i gabuar! Por sërish e ftoj zotin Rama, të ulemi sot pasdite, në darkë, nesër, në çdo kohë, për tre ligjet, të bëjmë çdo përmirësim që ata propozojnë dhe ne nuk kemi asnjë kundërshtim, në mënyrë që ëndrra europiane e shqiptarëve të marrë një realizim tjetër, të ri”, tha dje Berisha. Ndryshe nga deklarimet e mëparshme, Kryeministri është shfaqur në deklaratat e tij në forma jo shumë atakuese. “Unë, në mënyrën më të sinqertë, dua t’i them se është gabim fatal të rrahë gjoksin se mund të bllokojë. Nuk është kjo, ajo që qytetarët e këtij vendi presin nga ti! Askush, i madh e i vogël, nuk arrin kurrë të kuptojë sesi një forcë politike, ndër më kryesoret e vendit, refuzon të votojë këto ligje, që kërkohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga KE. Çdo vonim i tyre u jep të drejtë të tjerëve të mendojnë se këta njerëz ose janë hipokritë e nuk e duan, ose janë të papjekur, të paqytetëruar e nuk kanë interesa kombëtare e shoqërore”, theksoi Berisha. Apel në adresë të PS-së lëshoi dje dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli. “Mjaftojnë vetëm tre sekonda që opozita të votojë tre ligjet e integrimit, me qëllim që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat”, tha Topalli. Qëndrimi i Kryeparlamentares u shoqërua me një reagim të nënkryetarit të PS-së, Erjon Braçe, i cili sipas tij, ky është dhe “halli i PD-së” të përdorë PS-në. “Tani e kuptoni për çfarë e duan këta opozitën? Po që ligjet në Kuvendin e Jozefinës kalojnë për 3 sekonda, e kuptuat? Për 3 sekonda! Pastaj, kalova lumin të dh… kalin!!!”, reagon Braçe nëpërmjet faqes sociale, “Facebook”.


Kosova “ul në tryezë” Ramën dhe Berishën


Prej ditësh, dy liderët kryesorë të politikës, Sali Berisha dhe Edi Rama po lëshojnë deklarata për mundësinë e takimit mes tyre dhe gjetjen e një kompromisi. Ftesa e lëshuar fillimisht nga kryesocialisti përmban diskutim në një tryezë parlamentare për Qarkun e Fierit dhe tre ligjet e kërkuara nga KE-ja. Nga ana tjetër, PD-ja ka bërë të qartë se nuk ulet në tryezë për “Fierin”, por vetëm për tre ligjet. Gjithashtu demokratët kanë caktuar si afat fundor datën 20 nëntor për të votuar ligjet. Dy liderët kryesorë mësohet se do të “përballen” njëri me tjetrin, pasi janë të ftuar nga ambasada e Kosovës për të marrë pjesë në konferencën shkencore “Roli i Kosovës në krijimin e shtetit shqiptar”. Ajo mbahet sot në Tiranë, sipas axhendës që ambasada kosovare, e cila e cilëson si të mirëqenë praninë e dy liderëve të PD dhe PS. Sali Berisha do të përshëndesë konferencën në orën 09:15, pas pesë minutash pritet të flasë kreu i PS-së, Edi Rama. Kjo pritet të jetë përballja mes dy liderëve kryesorë të politikës shqiptare.


 


Bregu: Dështimi, varet nga vullneti i PS-së


Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaron se nëse Shqipëria dështon për herë të tretë në marrjen e statusit të vendit kandidat, fajtori për këtë dështim nuk është qeveria, por PS-ja. “Shqipëria duhet të shkonte në samitin e dhjetorit me një rekord të pastër detyrimesh të plotësuara. Pra, politika shqiptare, në këtë rast, opozita, nuk mund të ishte pengesa e parë për marrjen e një vendimi pozitiv në dhjetor. Pra, u rikthehemi edhe një herë argumenteve mbi të cilat ky vendim u bllokua dy vjet: mosfunksionimi i kriterit politik. Kam frikën se ky do të jetë edhe këndvështrimi që do të përdorin sërish vendet anëtare sot. Rikthimi dhe vendosja e axhendave partiake, siç po dëshmon çdo ditë PS, mbi axhendën kombëtare të shqiptarëve dhe mbi axhendën e integrimit, është mesazhi më i keq që Shqipëria mund t’i përcillte sot vendeve anëtare”, shprehet Bregu për “Top Channel”.


 


Milo: Fajtor për situatën, Kryeministri


Kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, fajësoi Kryeministrin Sali Berisha për zvarritjen që po i bëhet votimit të tre ligjeve të kërkuara për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas tij, qeveria nuk do ta zgjidhë çështjen e Fierit, pasi po e përdor atë për qëllime elektorale. “Është në dorën e Sali Berishës e të mazhorancës, sepse ka ende 3-4 ditë. Në qoftë se ata do t’i japin zgjidhje krizës në Fier, Qarkut të Fierit, automatikisht të tre ligjet mund të miratohen brenda ditës dhe statusi i vendit kandidat mund të sigurohet, por Sali Berisha e mban peng Qarkun e Fierit qëllimisht për efekte elektorale. Po bën llogaritë për zgjedhjet e vitit 2013 dhe dëshiron të marrë Qarkun e Fierit, sepse e di që Fieri është një bastion i fuqishëm i opozitës shqiptare. Këtu fle lepuri dhe këtu janë llogaritë e Sali Berishës”, tha Milo.