Jam një idiot, por dua të ndryshoj për gruan që do dashuroj

Më shumë se për muzikën e tij, Pete Doherty është i famshëm për dashuritë dhe jetën e shfrenuar. Në debutimin e tij të parë në kinema thotë se “është gati për t’u rritur”. Duhet të besojmë? Ndoshta po. Deri në çmendurinë e radhës…

Pete Doherty

Pete DohertyEdhe pse përpiqet për t’u prezantuar mirë, dallohet sheshit që çrregulli është pjesë e pandarë e ekzistencës së Pete Doherty-t. Këmisha e bardhë është gjysmë jashtë dhe gjysmë brenda pantallonave, këpucët njëra mbërthyer e tjetra zbërthyer dhe pantallonat ashtu si të palara. Për më tepër duket si një njeri që e ka zënë gjumi me rroba dhe është zgjuar dhjetë minuta më parë. Për ata që nuk e njohin, po ju japim vetëm disa sugjerime. Doherty është i famshëm dhe i njohur nga të gjithë si: 1) muzikant (themelues i “The Libertines” dhe lideri i “Babyshambles”); 2) ish i fejuari i Kate Moss; 3) një person me varësi të theksuar nga drogat (ka shpesh probleme me policinë për sjelljen dhe është një pacient i rregullt i klinikave të rehabilitimit). Për më tepër, tashmë i shtohet edhe një cilësi tjetër: ajo e aktorit. Në fakt, debutoi si aktori protagonist në “Confession of a child of the Century” me Charlotte Gainsbourg. Filmi është marrë nga një roman i vitit 1834 i Alfred de Musset. “Që nga momenti kur lexova skenarin, e kuptova se duhej të isha pjesë e kastit të aktorëve. Fuqia e dialogëve më preku zemrën”, tregon ai.

Njiheshit më parë me Charlotte Gainsbourg?

Jo, por e dija se kush ishte: në Francë konsiderohet si një princeshë. Prindërit e saj, Jane Birkin e Serge Gainsbourg, janë heronjtë e mi.

Në sheshin e xhirimeve patët një flirt. Ju ia treguat këtë shtypit dhe ajo nuk ju flet më me gojë. Jeni penduar?

Unë pendohem sa herë që flas. Atë ditë kisha pirë shumë rum, e kisha ekzagjeruar me kokainë dhe gazetarja më la të flisja. U tregova një idiot. Charlotte nuk do të më flasë më dhe unë e kuptoj. Megjithatë, kam një kujtim të bukur me të. Por problemi është se ajo ishte shtatzënë me një tjetër mashkull (bashkëshortin e saj, Yvan Attal).

Personazhi që ju interpretoni në film, Octave, është një njeri paranojak dhe xheloz, por që do të ndryshojë për dashurinë ndaj një gruaje. I ngjani?

Melankolinë e tij e njoh mirë, por edhe dëshirën për të ndryshuar. Lidhjet e mia ndërpriten kur në njëfarë pike ajo më thotë: zgjidh ose drogën, ose mua. Por tani po përpiqem vërtet. Për veten dhe atë që do të dua.

E keni takuar ndonjëherë dashurinë?

Jam dashuruar dy herë dhe tani jam gati për të tretën.

E ndjeni veten burrë apo djalosh?

E trajtoj veten sikur të isha burrë, por sillem si fëmijë. Për momentin jam adult, të paktën kështu besoj.

Mendoni se të ndryshoni për dashurinë është e mundur?

E mendoj, por e kam të vështirë ta vërtetoj. Edhe herët e kaluara jam përpjekur shumë por nuk ia kam dalë dot mbanë. Por kësaj here jam i vendosur. Nuk dua të humbas dikë që do ta kem për zemër, vetëm për faktin se kam varësi ndaj drogës. Kjo nuk duhet të ndodhë më.

Si e kaloni kohën e lirë?

Zakonisht luaj dhe kompozoj muzikë, pi verë të mirë dhe rri jashtë me miqtë deri në orët e para të mëngjesit. Londra të ofron mundësi të jashtëzakonshme për t’u argëtuar. Për mua ai është qyteti më i bukur në botë. Çdo fundjavë nëpër pubet e këtij qyteti mund të shijosh eksperienca të jashtëzakonshme.

Nuk mendoni se edhe nga alkooli duhet të hiqni dorë?

Besoj se po, por më parë duhet të zgjidh problemet e mia me drogën që kanë filluar prej shumë kohësh. Pasi të zgjidh këtë, do të mendoj për alkoolin dhe sjelljet e mia shpesh shumë ekstremiste. Për më tepër, duhet të kujdesem që të mos pi kaq shumë kafe. Për një orë mund të pi deri në dhjetë kafe dhe kjo sigurisht që nuk të bën mirë për shëndetin, ashtu si alkooli dhe droga.

 

 

 

Autor te 19 Nëntor 2012. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry