Izraeli vijoi të bombardojë për ditën e pestë radhazi militantët palestinezë në Gaza nga ajri dhe deti gjatë të dielës, si dhe vijoi përgatitjet për një sulm të mundshëm tokësor. Nga ana tjetër, Izraeli lëshoi publikisht disa kushte për armëpushim.
Sulmet palestineze ndaj Izraelit pushuan gjatë natës, por rifilluan në mëngjes me raketa që u hodhën drejt kryeqytetit ekonomik Tel Avivit. Të dy raketat e lëshuara u rrëzuan nga sistemi antiraketor “Kupola e Hekurt” e zhvilluar nga Izraeli.
Kryeministri Benjamin Netanjahu tha se Izraeli është sakaq i gatshëm të zgjerojë ofensivën e vet. “Ne po i marrim një çmim të rëndë Hamasit dhe organizatave terroriste dhe Forcat Mbrojtëse të Izraelit janë të përgatitura për një zgjerim të rëndësishëm të operacionit”, tha ai në një takim të qeverisë pa dhënë detaje të tjera.
Së paku 51 palestinezë, më shumë se gjysma e të cilëve janë civilë, kanë mbetur të vrarë qëkur filloi ofensiva e Izraelit. Mes viktimave palestineze janë edhe 14 fëmijë. Disa qindra të tjerë janë plagosur. Nga rreth 500 të ashtuquajturat raketa të hedhura nga Hamas, kanë mbetur të vrarë tre izraelitë.
Lufta aktuale filloi kur Izraeli vrau përmes një sulmi ajror, një komandant të Hamasit. Hamas fitoi zgjedhjet në vitin 2005, por u izolua menjëherë nga bashkësia ndërkombëtare, pasi konsiderohej si një armike e paqes, sepse refuzon të njohë ekzistencën e Izraelit. Në Bregun Perëndimor, partia “Fatah” mori pushtetin përmes një lufte civile, ndërsa Hamas ruajti kontrollin në Gaza.
Izraeli ka mbajtur një bllokadë tërësore mbi Gazën duke ndaluar importimin e çdo gjëje, duke përfshirë materialet e ndërtimit dhe duke lejuar vetëm ushqimet dhe ilaçet. Bllokada ka vijuar tashmë prej vitesh. Gjatë ditës së djeshme, Izraeli bombardoi edhe një ndërtesë të përdorur nga media vendëse e ndërkombëtare. Gjashtë gazetarë u plagosën. Një punonjës i televizionit al Quds me bazë në Bejrut humbi një këmbë nga shpërthimi.
Zëdhënësja e ushtrisë izraelite tha se sulmi goditi “antenat e transmetimit të përdorura nga Hamas për aktivitet terrorist”. Media ndërkombëtare kërkoi sqarime të mëtejshme.
Tri sulme të tjera gjatë ditës së djeshme plagosën 14 vetë të tjerë. Egjipti po përpiqet të arrijë një armëpushim mes palëve.
Ushtria izraelite pati aktivitet edhe përgjatë kufirit verior, duke hapur zjarr në Siri gjatë ditës së shtunë. Izraeli tha se hapi zjarr në përgjigje të goditjeve kundër ushtarëve të vet në lartësisë Golan. Raportohet se disa ushtarë sirianë janë vrarë, por nuk ka konfirmim. Izraeli ka urdhëruar thirrjen nën armë të 75 mijë nënshtetasve të vet dhe 30 mijë i ka dërguar sakaq afër Gazës.
Operacionet e Izraelit janë pranuar dhe mbështetur deri tani nga vendet perëndimore dhe shumë udhëheqës kanë deklaruar se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten. Por ka pasur rritje edhe numri i udhëheqësve që po e kritikojnë dhe kërkojnë fundin e luftimeve.
Netanjahu deklaroi se i ka treguar udhëheqësve të botës për përpjekjet e vendit të tij për të shmangur viktimat mes civilëve, në kundërshtim kjo me përpjekjet e Hamas për të shkaktuar viktima mes izraelitëve, pavarësisht nëse janë ushtarakë apo civilë.
Por Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, “shprehu shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit dhe rritjen e viktimave mes civilëve të të dyja krahëve”.
Britania po bën “presion mbi të dyja anët për t’u përmbajtur”, tha zëdhënësi i Cameron. Britania tha gjithashtu se sulmi tokësor i pritshëm mbi Gaza mund të bëjë që Izraeli ta humbë mbështetjen që gëzon aktualisht. Hera e fundit që Izraeli e pushtoi Gazën, mbi 1400 palestinezë, shumica civilë, mbetën të vrarë.