Programet e studimit në degët Gjuhë Shqipe dhe Histori. Kule-Gashi nënshkruajnë marrëveshjen


Lorina Mixha


Viti jubilar i 100-vjetorit të pavarësisë, ka sjellë edhe bashkëpunim më të gjerë mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Pas kërkesës së përbashkët për njohjen e diplomave shqiptare për kandidatët e trojeve, një tjetër risi bëhet publike nga qarqet akademike. Këtë fundjavë, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për çeljen e një shkolle doktorature të përbashkët, një cikël studimi në të cilën do të jepen të njëjtat diploma dhe do të përmbajë të njëjtat kurrikula. Pritet që deri në fund të muajit të përcaktohen qartë, pas konsultimeve të legjislacioneve të të dyja vendeve, tarifat e shkollimit, kuotat, si dhe profesorët që do të japin mësim në këtë cikël të tretë studimesh.


Programet që do të çelen fillimisht do të jenë në degën e Gjuhës Shqipe dhe të Historisë.


Universiteti i Tiranës, përfaqësuar nga rektori, prof. dr. Dhori Kule dhe Universiteti i Prishtinës përfaqësuar nga rektori prof. asoc. dr. Ibrahim Gashi nënshkruan pak ditë më parë një marrëveshje bashkëpunimi.


Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Prishtinës nisur nga dëshira për të zhvilluar dhe forcuar edhe më tej bashkëpunimin midis tyre, bien dakord që të organizojnë programe studimi doktorate të përbashkëta në drejtimet e Historisë dhe të Gjuhës Shqipe.


Organizimi i dy programeve të përbashkëta të doktoratës, do të jetë i ndarë në kohë të barabartë midis dy universiteteve për sa i përket zhvillimit të studimeve të organizuara teorike të programit të doktoratës, ndërsa pjesa e kërkimit shkencor do të jetë në varësi të temës që kandidatët do të zgjedhin.


Universitetet ranë dakord që, kandidatëve të këtyre dy programeve t’u vihen në dispozicion kapacitetet e përcaktuara si për programet e tjera të doktoratës gjatë gjithë kohës së zgjatjes së tyre. Në lidhje me modalitetet e kryerjes së pagesës të programit të studimeve të doktoratës, do të përcaktohen midis dy universiteteve duke marrë parasysh edhe legjislacionin në fuqi të këtyre dy vendeve. Pas përfundimit të programeve të studimit të doktoratës, kandidatët do të pajisen me një diplomë të përbashkët të lëshuara nga të dyja institucionet. Kjo marrëveshje është në fuqi deri në përfundimin e plotë të këtyre programeve të studimit të doktoratës nga të dy universitetet.