Nisma
Zëvendësit e anëtarëve të kabinetit, të preferuar për t’u përfshirë në listat për deputetë
Fatjona Mejdini
Partia Demokratike, prej muajsh ka nisur “de facto” fushatën zgjedhore. Një nga format e para që po përdoren nga demokratët janë dhe takimet me grupe të vogla qytetarësh dhe biznesmenësh në lagje të Tiranës dhe qyteteve të tjera në vend. Por ky proces bashkëbisedimi i nisur me qytetarët në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2013-s ka nxjerrë në pah edhe figura të reja përfaqësuesish të PD-së, të cilët janë vendosur në radhën e parë të fushatës. Është interesant fakti se një pjesë e zëvendësministrave të qeverisë “Berisha” janë parë shumë të angazhuar muajt e fundit me takimet e qytetarëve në terren, duke qenë kandidatët kryesorë për të qenë në pjesën e favorizuar të listave për deputet. PD ka bërë një skemë të gatshme për këtë pjesë të parë të fushatës zgjedhore. Përfaqësuesit e PD-së kanë nisur takimet me grupe të vogla qytetarësh, sipas formatit, një deputet ose një zëvendësministër, një përfaqësues i Bashkisë së Tiranë, apo anëtar i Këshillit Bashkiak dhe po kështu specialistë të fushës, të cilët kryesisht mbajnë postet e drejtorëve të drejtorive nëpër ministri. Ndihmë të madhe në këtë fillim fushate po jep dhe Bashkia e Tiranës, ku nënkryetarja e këtij institucioni, Jorida Tabaku, është zakonisht pjesë e grupeve të PD-së që kryejnë fushatë. Por pavarësisht kësaj, prej shumë vitesh PD nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të rifreskuar strukturat e saj qendrore, duke bërë që nënkryetarët dhe sekretarët e kësaj partie të jenë zgjedhur për herë të fundit në vitin 2005.
Zëvendësministrat
Nisja e fushatës së demokratëve ka evidentuar dhe mundësinë e disa zëvendësministrave në kabinetin qeveritar, për të qenë pjesë e favorizuar në listat e PD-së për deputetë. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozgo dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, kanë qenë tepër aktivë për llogari të PD-së muajt e fundit. Ata kanë zhvilluar takime të shumta me qytetarët, për të shpjeguar politikat ekonomike dhe sociale të qeverisë, duke akuzuar madje dhe lidershipin e Partisë Socialiste për mashtrime dhe mohimin e realiteteve pozitive në vend. Përzgjedhja e këtyre zëvendësministrave për të qëndruar në vijën e parë të fushatës zgjedhore nuk është e rastësishme dhe duket se një pjesë e zëvendësministrave të qeverisë aktuale janë favoritët kryesorë për të kryesuar listat e deputetëve të Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit 2013.
Fushata
PD e ka nisur fushatën zgjedhore në kryeqytet prej muajsh. Forma e parë që po përdoret për t’i bindur qytetarët t’i japin një mandat të tretë partisë në pushtet është edhe ajo e takimeve me qytetarët në grupe të vogla. Sipas fushës së interesit, lidershipi i PD-së zgjedh dhe grupin i cili do t’u paraqitet qytetarëve për t’u shpjeguar dhe nismat që ka ndërmarrë qeveria për lehtësimin e problemeve të tyre. Në krye të këtyre “delegacioneve”, zakonisht vendosen deputetë të zonës ose disa nga zëvendësministrat e spikatur. Në këto grupe janë të pranishëm dhe përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, ose anëtarë të Këshillit Bashkiak, të cilët së fundmi janë treguar tepër aktivë jo vetëm në mbrojtjen e nismave të qeverisë, por dhe akuzave që kanë bërë ndaj përfaqësuesve të Partisë Socialiste. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, zakonisht është pjesë e këtyre grupeve të cilët kanë hapur siparin e fushatës elektorale të demokratëve për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Por zakonisht në këto grupe nuk mungojnë dhe specialistë nga fusha të ndryshme, të cilët mbajnë pozicione drejtorësh në ekzekutiv, por njëkohësisht janë dhe pjesë aktive e demokratëve në fushatë. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare shihen si tepër të rëndësishme nga demokratët, nisur nga fakti se ata kërkojnë një mandat të tretë për të qeverisur vendin dhe në një kohë kur skena politike në Shqipëri është bërë shumë e larmishme.
Koalicionet – PD ende nuk e ka vendosur se cilat do të jenë partitë që ajo do të përfshijë në koalicionin parazgjedhor.
Retorika – Disa nga elementët kryesorë që PD po përdor në fushatën elektorale janë anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave.
Bashkia – Mbështetje të madhe demokratët duket se po marrin për këtë prag fushate dhe nga Bashkia e Tiranës, sa u përket burimeve njerëzore.
Numri
Qeveria, 36 zëvendësministra në strukturë
Qeveria “Berisha” duket se është tepër dorëlëshuar në numrin e zëvendësministrave që ka në qeveri. Pavarësisht se është konsideruar si qeveri në dietë, numri zëvendësministrave arrin në 36. Shumë nga ministritë në vend kanë nga tre zëvendësministra. Por nëse i hedh një sy listës shikon se një pjesë e madhe e tyre i përkasin aleatëve të Partisë Demokratike në qeverisje. Numrin më të madh të zëvendësministrave pas PD-së, e ka Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila bashkëpunon ngushtë në qeverisje me demokratët. Me zëvendësministra është e përfaqësuar në qeveri dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet si dhe një pjesë e partive të vogla të cilat kanë lidhur aleancë me PD-në.
Mangësia
Demokratët në pragfushatë, pa struktura të zgjedhura
Partia Demokratike ende nuk ka vendosur asnjë datë në të cilën do të mbledhë Këshillin Kombëtar për të zgjedhur nënkryetarët e rinj dhe sekretarët e partisë, mandati i të cilëve ka përfunduar rreth tre vite më parë. Pavarësisht se partitë politike kanë nisur prej kohësh dhe rifreskimin e strukturave të tyre, për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, lidershipi i PD-së duket se është përqendruar në qeverisje duke mos u angazhuar në ristrukturimin e brendshëm të partisë. Partia më e madhe në mazhorancë ende nuk ka zgjedhur ekipin organizativ, i cili do të jetë në krye të punëve për procesin zgjedhor të 2013-s, i konsideruar i rëndësishëm dhe për faktin se PD kërkon një mandat të tretë qeverisës. Aktualisht në selinë e PD-së është e pamundur të gjesh një zyrtar i cili merret me kohë të plotë me organizimin e brendshëm të partisë, pasi edhe sekretarët dhe nënkryetarët e partisë janë të angazhuar me detyra të rëndësishme në ekzekutiv. Kjo duket dhe në fushatën e re të nisur nga PD për rritjen e numrit të të rinjve në këtë parti, ku vetë Kryeministri Berisha dhe të zgjedhur lokalë të PD-së janë personat që paraqiten në krye të kësaj fushate.