Pritet të ketë një shtesë organigrame për mjekë, infermierë dhe punonjës sanitarë


Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”, pritet të realizojë një ndryshim në organigramën e saj. Për shkak të kërkesave të shërbimeve, por edhe organizimit të pavijoneve të veçanta, ka lindur nevoja për shtesë punonjësish duke nisur nga mjek e infermier e duke përfunduar deri te sanitarët, të njohur si punonjësit e pastrimit. Shtimi i organigramës është diskutuar parimisht, ndërkohë që pritet të miratohet nga Ministria e Shëndetësisë apo nga bordet drejtuese që kanë në kompetencë një vendimmarrje të tillë.


Pas vendimit të riorganizimin e pavijoneve dhe shërbimeve në këtë qendër spitalore, proces i cili është në shqyrtim e sipër, pritet që të ketë një shtesë punonjësish në rreth 200 personash.


Por këtë herë, punësimet, part-time, apo me kohë të plotë do të shqyrtohen mirë, vendimi do të miratohet duke konsultuar mundësitë dhe buxhetin që ka kjo qendër, ndërkohë që pritet që lëvizje të ketë edhe në administratën spitalore.


Rreth dy muaj më parë në spitalin më të madh të vendit të nivelit terciar u larguan nga puna mbi 150 punonjës, mjek, ndihmësmjek e punonjës të pastrimit si pasojë e mungesës së fondit për pagesat e tyre. Këto vende pune, të çelura provizorisht u bënë problem për t’u përballuar nga buxheti i QSUT-së për gati një vit me radhë.


Sakaq, në shërbimin e pediatrisë, pritet të punësohen mjekë në pavijonin e urgjencës, kjo edhe si pasojë e rritjes së fluksit të pacientëve nga mosha 0-12 vjeç që paraqiten të sëmurë me virozat e stinës. Vetë kreu i Shëndetësisë, Vangjel Tavo në vizitën e tij të fundit në shërbimin e urgjencës kërkoi të merren masa të menjëhershme për përballimin e pacientëve që paraqiten me viroza jo vetëm nga Tirana, por i gjithë vendi. L.Mixha