Këshilli – Më 12-13 dhjetor, mblidhet Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian që do të vendosë për t’i dhënë apo jo statusin Shqipërisë
Vota – Sipas rregullit, sikur një vend anëtar i BE-së të jetë kundër, atëherë nuk mund të merret vendim pozitiv. Holanda ka dhënë votën kundër
Bregu – Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi se qeveria holandeze ka ndryshuar qëndrim dhe si kusht vendosi vetëm ligjet me 3/5
Bushati – Kreu i Komisionit të Integrimit, Ditmir Bushati, tha se qëndrimi i Holandës është parimor dhe Bregu e Panariti s’mund të bëhen zëdhënës i Amsterdamit
Bushati: Bregu dhe Panariti s’mund të bëjnë zëdhënësin e Holandës
Muhamed Veliu – “Top Channel”
Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Tiranë, Martin de la Beij, nëpërmjet një letre i jep përgjigje interesimit të “Top Channel” për të mësuar pozicionin e qeverisë së vendit të tij, që lidhet me procesin e integrimit të Shqipërisë. Në fillim të përgjigjes, ambasadori thotë se pozicioni i qeverisë holandeze nuk ka ndryshuar që prej letrës së 26 tetorit 2012, dërguar nga kabineti qeveritar për Parlamentin holandez, e cila shpjegon opinionin e kabinetit qeveritar për Strategjinë e Zgjerimit që Komisioni Europian bëri publike më 10 tetor 2012.
“Holanda e mirëpret këtë raport dhe mbështet theksin e vënë nga Komisioni Europian mbi rëndësinë e shtetit të së drejtës që diskutohet me të gjitha vendet që synojnë të bëhen anëtare të BE-së”, thotë ambasadori De la Beij. “Raporti i progresit përmban një analizë dhe vlerësim shumë të mirë dhe të detajuar për këto vende. Komisioni Europian rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat me kushtin e plotësimit të masave të rëndësishme (kyçe) në fushën e reformës së gjyqësorit, reformës në administratën publike dhe rishikimit të rregullores dhe procedurave të Parlamentit. Komisioni gjithashtu do të vlerësojë përpjekjet e mëtejshme të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Në vijim të kësaj letre, ambasadori thekson se Holanda është dhe mbetet një mbështetëse e fuqishme e politikave të BE-së për zgjerimin. Edhe një herë tjetër, në emër të qeverisë holandeze, ambasadori Martin de la Beij thekson se gjithsesi, bazuar në kriteret e Kopenhagës, Holanda ka opinionin se Shqipëria nuk është ende gati për statusin e vendit kandidat. “Holanda e vlerëson shumë atë çka është bërë dhe arritur në këtë një vit e gjysmë si për shembull emërimi i Avokatit të Popullit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe ligji mbi imunitetet”. Pozicioni i Holandës përballë zhvillimeve në Shqipëri, që lidhen me integrimin, është i qartë pasi sipas ambasadorit të Mbretërisë së Holandës, tani është e rëndësishme që Shqipëria të tregojë shembuj konkretë se si këto ligje zbatohen dhe vihen në jetë. Në përgjigjen e ambasadorit nuk mungon së kujtuari autoriteteve shqiptare se “raporti e deklaron qartazi se Shqipëria duhet të ndërtojë një ‘track record’ të besueshëm (bazë e besueshme të dhënash), duke vërtetuar faktin se këto ligje kanë mundësi të ekzekutohen dhe zbatohen. Por ky nuk është ende rasti, prandaj Holanda është e mendimit se është shumë herët për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”.
Ambasadori e mbyll me këto fjalë letrën e tij. “Holanda ka pasur gjithmonë një politikë ‘strikte dhe të drejtë’ për sa i përket procesit të zgjerimit. Është Shqipëria ajo që duhet të bëjë përpjekjet për të përmbushur kriteret dhe për të treguar se është e mundur që këto kritere të zbatohen”. Opozita shqiptare i shikon deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë të qeverisë që lidhen me proceset integruese, si vijimin e një politike me mendësi të vjetra. Ditmir Bushati, kryetar i Komisionit Parlamentar të Integrimit, në një intervistë për “Top Channel” shprehet se qeveria është duke u munduar që dështimet në plotësimin e 12 prioriteteve, në mënyrë absurde, t’ia faturojë opozitës. “Është një mendësi e vjetër e Kryeministrit, që kur është përballë dështimeve, të keqen e gjen te të tjerët. Ja vlen të bëhet me dije se është qeveria e Berishës që ka dështuar, te mungesa e aftësisë për të gjetur kompromis me opozitën dhe për të arritur standarde më të larta jetese për qytetarët e këtij vendi. Mjafton të shohim diskretitimin e djeshëm ndaj opozitës shqiptare dhe qëndrimeve të saj, për të kuptuar kredibilitetin e administratës publike”, deklaron Bushati. Deklaratën e djeshme të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, se qeveria e re e Holandës e ka ndryshuar qëndrimin refuzues që u bën rekomandimeve të Komisionit Europian, Bushati e quan dizinformim dhe diversion. Bushati thotë se ministrja Bregu dhe kolegu i saj Panariti nuk mund të marrin atributet e zëdhënësit të qeverisë holandeze.
Qëndrimi – “Raporti e deklaron qartazi se Shqipëria duhet të ndërtojë një bazë të besueshme të dhënash, duke vërtetuar faktin se këto ligje kanë mundësi të zbatohen. Por ky nuk është ende rasti, prandaj Holanda është e mendimit se është shumë herët për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”