Gjithnjë kam qenë i mendimit se kombëtarja e çdo shqiptari, pavarësisht se ku është lindur, ku është rritur dhe ku vepron sot, është vetëm kombëtarja shqiptare


Mesfushori i Shqipërisë i qëndron besnik edhe njëherë idesë së tij


Nga Nafail Maliqi


Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, në një intervistë për “Presheva Jonë”, ka thënë se kombëtarja është e çdo shqiptari. Ylli shqiptar thotë se është vetëm kombëtarja ajo që na përfaqëson në Ballkan me një ekip dhe një flamur. Por ai ka komentuar edhe ndeshjen me Kamerunin apo problemet e integrimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.


Lorik, meqë gjendeni në Gjenevë, një koment për ndeshjen e fundit me Kamerunin, që sigurisht nuk ishte e lehtë, përballë një kundërshtari që është kualifikuar 6 herë në Kupën e Botës?


Pajtohem plotësisht me ju, por do të shtoja se ndaj Kamerunit zhvilluam një miqësore prestigjioze. Kjo nuk do të thotë se mund të justifikohemi pse nuk shënuam gol, kur dihet që ekipi ynë sot ka futbollistë profesionistë dhe kemi një organizim dhe koordinim të mirë në fushën e gjelbër. Por megjithatë besoj se të fituar jemi edhe me këtë rezultat, sepse ishte një test, ku fituam më shumë përvojë. Kameruni njihet ndër ekipet më të forta në kontinentin afrikan, skuadër e cila është kualifikuar disa herë në Kupën e Botës.


Është përfolur një ide për krijimin e një kombëtareje efikase dhe të fortë të Kosovës, iniciativë të cilën me sa di unë edhe ju e keni mbështetur, duke mbledhur futbollistët tanë më të mirë anekënd botës. A është duke u punuar në këtë drejtim?


Nëse kemi tërë këtë potencial të futbollistëve shqiptarë, qoftë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia apo Lugina e Preshevës, që luajnë sot për ekipet e njohura të botës, është krejt normale që na shtyn të mendojmë, pse një ditë edhe ne shqiptarët në Ballkan të mos kemi një kombëtare të fortë, që do të pretendonte të garonte me skuadrat më të njohura të kontinentit. Kjo mund të ndodhë, pse jo, kur i kemi futbollistët. Tani nevojitet vetëm një bashkim, organizim i mirëfilltë dhe gjetja e rrugëve sesi duhet ta realizojmë këtë dëshirë, këtë iniciativë, projekt madhështor me karakter kombëtar. Por si fillim ne duhet të jemi të qartë para opinionit se çfarë duam, kë dhe si duam ta përfaqësojmë. Unë gjithnjë kam qenë i mendimit se Kombëtarja e çdo shqiptari, pavarësisht se ku është lindur apo ku është rritur dhe ku vepron sot, është vetëm kombëtarja shqiptare, pavarësisht se politika nganjëherë përpiqet të na çorientojnë synimet tona, por politikat shkojnë e vijnë…, sporti, futbolli mbetet. Ne këtë mund dhe do ta arrijmë. Pas vendimit të ardhshëm të FIFA-s në mesin e dhjetorit, që do të jetë hapi i parë, më pas ndoshta Kosova do të mund të marrë lojtarët kosovarë, që luajnë me kombëtaret e vendeve të tjera. Shpresoj se një të ardhme jo të largët ne do të kemi në hapësirat tona vetëm një kombëtare, një përfaqësim të futbollit shqiptar në Ballkan me një flamur.


Si Platini ashtu edhe Blater u kanë thënë agjencisë “Presheva Jonë” se Kosova për të qenë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s, së pari duhet të jetë anëtare e OKB-së. Blater ka premtuar se më 14 dhjetor në Tokio, FIFA do të marrë një vendim në favor të Kosovës. Jeni optimist për futbollin kosovar?


Po, sigurisht, sepse Kosova ditë e përditë po ecën në rrugë të mbarë drejt integrimit në organizmat ndërkombëtarë, procese këto politike, që besoj se edhe te sporti dhe futbolli kosovar janë të ndërlidhura dhe do të reflektohet pozitivisht, edhe pse ndoshta pak ngadalë. Jam optimist se sportin kosovar në përgjithësi e presin ditë të mira. Integrimi në UEFA apo FIFA i Kosovës nuk lidhen aq për nivelin e futbollistëve kosovarë, pasi talenti dhe suksesi i tyre, si në Kosovë ashtu edhe jashtë, është dëshmuar me mjaft sukses, por problemi qëndron te politika. Dhe me keqardhje e them se, nëse kemi ngecje në Kosovë në fushën e sporteve apo futboll, faji kryesor është te politika, sepse ne nuk mund të kapërcejmë politikën. Edhe po deshëm, nuk na lënë. Por, megjithatë, unë jam optimist se FIFA më 14 dhjetor në Tokio do të marrë më në fund një vendim të prerë, të favorshëm për Kosovën, çka besoj se këtu s’ka kthim mbrapa.