Rusmali i heq fjalën Gjiknurit, PS braktis mbledhjen e ligjeve
Drafti për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes shkaktoi përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Një debat i ashpër u zhvillua ndërmjet kryetarit të komisionit, deputetit të PD-së, Ilir Rusmali, dhe socialistit Damian Gjiknuri. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, deklaroi se SHIU ka përgjuar deputetët e opozitës dhe se diçka të tillë e ka pranuar edhe vetë Kryeministri pas ngjarjeve të 21 janarit. Kjo u hodh poshtë nga Rusmali, i cili ka tentuar t’ia ndërpresë diskutimin Gjiknurit. “Shërbimi Informativ i Ushtrisë u përdor në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese në atë të ashtuquajturin sulm ndaj rendit kushtetues më 21 janar”, tha Gjiknuri. Por Rusmali ka ndërhyrë, duke theksuar se “je jetim në këtë pretendim. Kjo nuk mund të jetë bazë për arsyetimin tonë”. “Këtë vetë e ka deklaruar Kryeministri, të lutem më lër të mbaroj, mos më ndërhyj. Rendi kushtetues është një term i padefinuar qartë, abuziv dhe ne jemi dëshmitarë se mund të dalim jashtë kontekstit politik. Shërbimi Informativ i Ushtrisë u përdor në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese në atë të ashtuquajturin sulm ndaj rendit kushtetues më 21 janar”, replikoi Gjiknuri. Rusmali, duke i cilësuar si të pavërteta këto qëndrime, kërkoi që t’i pritet fjala deputetit socialist. Ky veprim i kryekomisionerit Rusmali solli më pas reagimin e PS-së, ku deputetët, si pasojë e këtij veprimi ekstrem, u larguan nga mbledhja e komisionit. Ndërsa Rusmali e cilësoi si tentativë bllokimi veprimin e opozitës. Deputeti Gjiknuri, në fjalën e tij, kërkonte heqjen e shprehjes nga neni 6 i draftit për të drejtën e AIM (SHIU) për mbrojtjen e rendit kushtetues. Kjo, sipas opozitës, duhet ndryshuar, sepse është tepër abuzive. Drafti për Shërbimin Sekret të Ushtrisë u miratua vetëm nga votat e mazhorancës në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Drafti do të shqyrtohet sot nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë. Kjo është edhe struktura kuvendore përgjegjëse për shqyrtimin e projektligjit. Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, socialisti Ilir Gjoni, deklaroi për mediat se opozita do ta shqyrtojë me imtësi atë draft dhe se nuk do të lejojë të votohet pa pësuar amendimet e nevojshme. Opozita ka ngritur pretendimet për keqpërdorim të SHIU-t, i cili ka përgjuar opozitën, si dhe diplomatët e huaj. Gjithashtu PS-ja ka fajësuar Ministrinë e Mbrojtjes për blerjen e pajisjeve të përgjimit pa vënë në dijeni strukturat ushtarake euroatlantike, si NATO. B.HOTI