PD-PS
Kronologjia e diskutimeve dhe kontakteve në 24 orët e djeshme
Fatjona Mejdini
Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi kanë zhvilluar një takim të shkurtër dje pasdite, i cili ka dështuar. Dita e djeshme ka shënuar një përpjekje për diskutime, por që nuk ka arritur të sigurojë një takim Berisha-Rama. Palët s’ranë dakord për Fierin. Një ditë përpara përfundimit të afatit zyrtar të vendosur nga Komisioni Europian për miratimin e tri ligjeve që do të siguronin statusin e vendit kandidat këtë dhjetor, politika shqiptare tregoi edhe njëherë se e ka të pamundur të gjejë gjuhën e përbashkët. Dita e djeshme nisi me një shtrëngim duarsh nga ana e Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, duke dhënë një sinjal pozitiv dhe duke ngrohur shpresën se dita e ftohtë e nëntorit do të sillte më në fund një konsensus që do i hapte rrugë integrimit të Shqipërisë. Orët në vijim e bënë edhe më prezente këtë shpresë, kur Kryeministri Berisha, gjatë një mbledhje qeverie, ku u diskutua për projektbuxhetin e vitit 2013, deklaroi se ishte i hapur për të diskutuar me PS-në dhe kërkesat që ajo do të paraqiste për tri ligjet e mbetura pezull. “Unë shfrytëzoj këtë mbledhje dhe këtë rast, që t’i bëj apel zotit Rama, që në një akt përgjegjësie të lartë të frymëzuar nga përpjekjet e shqiptarëve që sollën këtë vend në 100-vjetorin e Pavarësisë, si një komb dhe si një vend i lirë, të takohemi në çdo kohë dhe kudo që të dëshirojë për të diskutuar për tri ligjet që kërkon KE-ja, për rekomandimin final për statusin e vendit kandidat. Unë jam disponibël deri në mesnatën e kësaj dite, të takohemi, të vendosim, të shqyrtojmë në çdo nivel që dëshiron zoti Rama, çdo propozim, çdo amendament të lidhur me ligjet që duhet të votojmë në Parlament”, deklaroi Berisha paraditen e djeshme nga ambientet e Kryeministrisë. Kjo deklaratë solli edhe një reagim të Partisë Socialiste, ku Edi Rama i kërkoi Berishës takim me të dhe kryetarët e tjerë të partive sot në orën 10:00. “Kryetari i opozitës propozon që takimi të zhvillohet sot paradite në orën 10:00 në mjediset e hotel ‘Sheratonit’, edhe me praninë e të gjitha forcave parlamentare. Po ashtu, Edi Rama propozon që takimi të zhvillohet edhe me praninë e medias, për të garantuar transparencën optimale me publikun të të gjitha kontributeve në këtë tryezë të partive parlamentare për procesin e integrimit”, theksohej në këtë njoftim të PS-së. Pak orë më vonë, nga mbledhja e grupit parlamentar të PD-së, Berisha deklaroi se ai nuk mundej për këtë orar të përcaktuar, por do të ishte i hapur për të zhvilluar një takim në çdo orë tjetër dje ose sot. Në këtë moment u duk se i vetmi kompromis që u mbetej palëve të gjenin ishte ai për ditën, orën dhe vendin e takimit. Por një deklaratë e ardhur nga Kryeministria pasditen e djeshme, zbehu çdo shpresë se palët do të mund të takoheshin dhe të gjenin kompromis për të përmbushur në afatet e fundme detyrimin për miratimin e tri ligjeve. Në këtë deklaratë të bërë nga Kryeministri Berisha, theksohej në mënyrë të qartë se takimi i dy negociatorëve Astrit Patozi-Gramoz Ruçi kishte dështuar, fillimisht për axhendën e takimit të shumëpritur. Në deklaratën e kreut të qeverisë, theksohej fakti se Ruçi i kishte kërkuar Patozit që në tryezë të diskutohej çështja e Qarkut të Fierit, e cila është bërë edhe preteksti për mosgjetjen e bashkëpunimit mes palëve. Berisha theksoi me këtë rast, se kjo çështje nuk mund të diskutohej, sepse ai e kishte bërë të qartë se vendimet e gjykatave nuk do i diskutonte në tryezë. Këtë qëndrim refuzues në fund të ditës, Edi Rama e cilësoi si të çuditshëm dhe tregues për mungesën e vullnetit nga ana e qeverisë. Rama theksoi në “Twitter”, se “Kryeministri refuzon kërkesën e opozitës për ta kërkuar zgjidhjen përmes dialogut, sepse nuk do votat e opozitës, por justifikimin pse nuk e merr statusin. Kryeministri thotë ‘takohem në çdo orë, por jo vetëm unë do të them atë që dua unë, por edhe opozita duhet të thotë atë që dua unë të thotë’! E padëgjuar!”
Kronologjia
09:00 – Kryeministri Berisha dhe Edi Rama shtrëngojnë duart në një konferencë
11:00 – Berisha e fton Ramën nga mbledhja e qeverisë të votojë ligjet
12:00 – Rama përcakton orën 10:00 të ditës së sotme për negociata mes palëve
13:00 – Nga mbledhja e grupit të PD-së, Berisha shprehet i gatshëm për takim në një orë tjetër
15:30 – Takohet Patozi-Ruçi pa rezultat për axhendën e një takimi të mundshëm
18:30 – Kryeministri Berisha deklaron se nuk pranon të diskutojë për vendime gjykate
19:30 – Edi Rama në “Twitter” thekson se refuzimi i Berishës për tryezën tregon mungesën e vullnetit
