Debati


Kryeministri dhe kreu i opozitës shtrëngojnë ftohtë duart në aktivitetin e ambasadës së Kosovës


Fatjona Mejdini


Kryeministri Sali Berisha, Ambasadori i Kosoves ne Tirane Sulejman Selimi, Kryetari i Kuvendit te Kosoves Jakup Krasniqi dhe Kryetari i PS Edi RamaNjë konferencë shkencore në lidhje me rolin e Kosovës në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë mundësoi pas shumë kohësh një shtrëngim duarsh mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës. Edhe pse tensioni politik në vend është i lartë për shkak të mosgjetjes së kompromisit mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, dy drejtuesit e partive nuk i thanë “Jo” ftesës së ambasadës së Kosovës për të marrë pjesë në të njëjtën tryezë. Dy krerët e politikës shqiptare patën kortezinë të shtrëngonin duart dhe të ishin të të njëjtit qëndrim në deklaratat e tyre mbi rolin e rëndësishëm të Kosovës në procesin e shtetformimit shqiptar. Ata theksuan idenë se i vetmi bashkim kombëtar që mund të ndodhte ishte ai pa ndryshimin e kufijve, por vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë ekonomik, kulturor dhe shpirtëror mes dy popujve që i përkasin të njëjtit komb. Por Kryeministri Berisha nuk pati mundësi dje të dëgjonte fjalimin e Ramës, pasi ai kishte një axhendë të ngjeshur dhe u largua nga konferenca menjëherë sapo përfundoi fjalimin e tij.


Berisha


Kryeministri Berisha deklaroi dje se kufijtë mes dy vendeve nuk mund të ndryshonin, pasi kjo do të sillte probleme dhe akte të ngjashme në të gjithë Ballkanin. Sipas kreut të qeverisë, bashkimi kombëtar duhet të udhëhiqet nga projekte të njëjta bashkëpunimi, të cilat do t’i bënin kufijtë e parëndësishëm.


“Masa të tjera shtesë që të njësojnë tërësisht standardet, normat, praktikat dhe të bëjnë që shqiptarët të ndihen një, kudo që ata jetojnë, duke respektuar kufijtë ekzistues aktualë ndërkombëtarë. E drejta e bashkimit kombëtar është e drejtë e shenjtë, por ajo duhet të frymëzohet, të udhëhiqet nga interesi kombëtar dhe interesi kombëtar është që shqiptarët të mos humbasin asnjë pëllëmbë territor. Çdo lloj rivizatimi i territoreve do të shoqërohej me humbje të territoreve të reja. Ne jemi të përkohshëm, territorit janë të përjetshme”, deklaroi Berisha. Ai theksoi se pa Kosovën kremtimet e 100-vjetorit do ishin të mangëta. “Kosova u shndërrua në djepin ku po zhvillohej dhe konsolidohej përpjekja kombëtare e shqiptarëve. Në lidhjen e Prizrenit, ideali kombëtar i shqiptarëve, u shndërrua në idealin udhëheqës të tyre”, deklaroi Berisha.


Rama


Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se historia duhet të përdoret për ta bërë më të mirë të ardhmen mes dy vendeve. Sipas Ramës, energjitë duhet të përdoren në kahun e duhur për të rritur bashkëpunimin konkret mes dy vendeve. Sipas Ramës, politikanët duhet të ndalojnë së modifikuari historinë dhe të mos humbin kohë për t’i bërë marrëdhëniet mes dy vendeve funksionale. “Kjo është një përpjekje e ndarë e historianëve nga njëra anë dhe e politikës nga ana tjetër. Kemi jo pak energji të konsumuara në drejtim të paditur, për shkak të politikanëve që përpiqen të rishkruajnë historinë dhe historianëve që përpiqen ta modelojnë ata sipas interesave politike. Në këtë moment kaq themelor për shtetin, siç është 100-vjetori, ne duhet t’i referoheshim së ardhmes si domosdoshmëri për të mos humbur kohë”, deklaroi Rama në fjalën e tij. Sipas Ramës, sot Kosova dhe Shqipëria kanë mundësi që të krijojnë një strategji kombëtare, që kapërcen kufijtë, e cila do t’i shërbejë përballimit të sfidave që do vijojnë nga bashkimi i dy vendeve në BE. “Nëse e shohim drejt bashkimin kombëtar, që do të ndodhë në BE, duhet të përgatitemi sot dhe të mos i lëmë gjeneratës së re barrën e rëndë për të përballuar sfidat”, deklaroi Rama.


 


 


Zhvillimet


Aktivitetet – Politikanët shqiptarë në këtë përvjetor të 100 të pavarësisë së Shqipërisë kanë zhvilluar aktivitete të shumta dhe në Kosovë.


22 nëntor – Në datën 22 nëntor, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në ceremonitë festive të cilat do të mbahen me Kosovë.


Ish-presidentët – Konferenca për Kosovën mblodhi dje ish-presidentët e vendit të cilët diskutuan për rolin që ky vend ka dhënë për shtetforminin e Shqipërisë.


Agolli – Në konferencë mori pjesë dhe Dritëro Agolli me referatin “Kosova është Shqipëri”, e cila theksonte veprimtarinë e figurave të shquara të Kosovës