Apeli


Sanino & PanaritiMinistri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, gjatë vizitës në Bruksel për ministerialin mbi nismën Adriatikojoniane, u takua dje pasdite edhe me drejtorin e zgjerimit në KE, Stefano Sannino. Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se biseda mes Panaritit dhe Sannino-s u fokusua rreth situatës politike në Shqipëri. Saninno i bëri të ditur Panaritit se Shqipërisë i duhen rezultate të shpejta dhe konkrete për zbatimin e rekomandimeve të mbetura. “Miratimi i tri ligjeve hap dritën jeshile për statusin”, tha Sannino. Ndërkohë, MPJ bën të ditur se Panariti, nga ana e tij, tha se u ka bërë apel forcave politike shqiptare që të tregojnë përgjegjshmëri për marrjen e statusit. “Marrja e statusit do ta qetësonte klimën politike në vend. Forcat politike duhet të kuptojnë rëndësinë e zgjidhjes së situatës. Shpresoj në një zgjidhje për të mirën e vendit”, tha Panariti. Ndërsa zëdhënësi i komisionerit Stefan Fule, Peter Stano, për “AS TV” deklaroi: “Ne e kemi e bërë shumë të qartë në rekomandimin e komisionit se çfarë presim nga Shqipëria, në mënyrë që ajo të marrë statusin dhe të çelen negociatat. Dhe këto janë prioritetet bazë dhe tri çështjet e mbetura, që mund t’i ripërmend: reforma e gjyqësorit, e administratës dhe rregullorja parlamentare. Ne kemi nevojë të shohim që këto çështje të mbyllen në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara në rrugën europiane. Pra, kjo është një nga arsyet që këto duhen kryer, që komisioni të raportojë para vendeve anëtare dhe t’u paraqesë atyre rekomandimin për statusin”.