Izraeli, gjatë ditës së djeshme, dha për herë të parë sinjalin se ndoshta nuk do ta pushtojë provincën



Së paku 26 njerëz vdiqën në Rripin e Gazës si pasojë e bombardimeve të vazhdueshme ajrore të forcave izraelite. Izraeli thotë se bombardimet e saj kanë për synim të ndalojnë raketat e palestinezëve të godasin territorin e saj. Më pak raketa janë lëshuar, por qytetet e Izraelit vijuan të goditen edhe gjatë ditës së djeshme. Deri në darkë, më shumë se 100 palestinezë dhe tre izraelitë kanë mbetur të vrarë në gjashtë ditë dhune të pandërprerë.


Përpjekjet për të arritur një armëpushim vijuan dhe një zyrtar egjiptian tha se “ka shenja premtuese”. Khaled Meshaal, udhëheqës politik i Hamasit, tha se Izraeli ka kërkuar një armëpushim, por se është në dorë të Netanjahut t’i japë fund luftës. Izraeli mohoi ta ketë bërë një kërkesë të tillë, por tha se parapëlqente armëpushimin në vend të ofensivës tokësore që po përgatit.


Ndërkohë, Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e cilësoi Izraelin si një “shtet terrorist”, duke cituar “masakrën e fëmijëve” që është kryer nga bombardimet në Gaza.


Forca mbrojtëse e Izraelit tha se ka goditur 80 vende gjatë natës së të hënës, duke përfshirë ndërtesa nën pronësinë e militantëve. Gjatë gjashtë ditëve të fundit janë goditur 1350 objektiva.


Analistët thonë se në të vërtetë ka pak oreks për një pushtim tërësor në Gazë në Izrael. “Reuters” raportoi në një analizë se lufta e fundit është një lojë e ndërsjellë politike e partisë në pushtet në Izrael, e cila do të përballet me votuesit në janar, si dhe Hamasit që po përpiqet të galvanizojë Lindjen e Mesme të ndryshuar pas Pranverës Arabe për interesa të saj.


Analistët ushtarakë të Izraelit besojnë se pjesa më e madhe e objektivave ushtarakë janë arritur përgjatë dy ditëve të para të konfliktit dhe se vijimi i sulmit ajror mund të shkaktojë humbje më shumë se sa përfitime.


Rritja e numrit të viktimave mes civilëve në Gaza do të zhvendosë mbështetjen ndërkombëtare nga Izraeli, kosto më e lartë kjo sesa shkatërrimi i disa bazave të tjera të Hamasit.


Militantët në Gaza hodhën edhe 32 raketa në Izrael të hënën, katër prej të cilave u kapën nga sistemi antiraketor i Izraelit. Njëra prej tyre goditi një shkollë në qytetin Ashkelon. Mësimi është ndërprerë sakaq në shumë qytete izraelite dhe nuk ka raportime për viktima. Së paku nëntë fëmijë u vranë në Gaza ditën e diel, dita më e përgjakshme deri më sot. Televizionet në të gjithë botën po paraqesin pamje rrëqethëse të trupave të tyre të djegur dhe sakatuar. Në një nga goditjet, nëntë anëtarë të familjes së një polici të Hamasit u vranë, katër prej tyre, fëmijë. Ushtria izraelite tha se e kishte bombarduar shtëpinë, për shkak të dyshimit se një udhëheqës i Hamasit gjendej aty, por nuk kishte informacion konkret, vetëm dyshime.


Gazetarët në Gaza thonë se ekziston frika që konflikti të ketë akoma më shumë pasoja para se një paqe të harrohet. Që nga fillimi i konfliktit, 877 raketa janë lëshuar drejt Izraelit, nga të cilat 307 janë kapur në ajër. Më herët, Izraeli ka bombarduar vazhdimisht zona të ndryshme në Gaza, ndërsa palestinezët kanë hedhur herë pas here raketa. Por bombardimet aktuale janë më të rënda që nga lufta e katër viteve më parë. Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian e konsiderojnë Hamasin si një organizatë terroriste.